Dieta dhe të ushqyerit janë shumë të rëndësishme për personat që rezultojnë me HIV pozitiv, por për shkak të infeksioneve oportuniste (gjatë trajtimit) dhe efekteve anësore, mbajtja e dietës është një sfidë e madhe. Specialistët e shëndetit publik rekomandojnë që krahas trajtimeve mjekësore të sëmurët me HIV-AIDS të tregojnë kujdes të veçantë ndaj dietës ushqimore.
Për këtë kategori pacientësh rekomandohen dieta të pasura me proteina dhe vitamina. Për të parandaluar infeksionet shtesë (oportuniste) personat me HIV pozitiv duhet të zbatojnë masa parandaluese të cilat përfshijnë: “larjen mirë të ushqimeve veçanërisht frutat dhe perimet, larjen rregullisht të duarve sidomos para ushqimit, gatimi i plotë i ushqimit, përdorimin e ujit të pastër, etj. Megjithatë mënyra më e mirë për të mbajtur larg këtë sëmundje është parandalimi i saj përmes marrjes së masave mbrojtëse gjatë kryerjes së aktivitetit seksual.
Lidhur me trajtimin, bëhet me dije se për momentin nuk ka shërim apo vaksinë për kurimin e HIV/AIDS. Megjithatë ekzistojnë mënyra efektive trajtimi me preparatet Anti-Retro-Virale (ARV) që mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit dhe që trajtojnë infeksionet oportuniste. Barnat antiretrovirale, një dietë dhe ushqyerje e shëndetshme, si dhe strategji të jetuarit në mënyrë pozitive zgjasin dhe përmirësojnë cilësinë e jetës tek këta të sëmurë. Barnat Anti RetroVirale janë barnat që bëjnë të mundur ngadalësimin e përhapjes së virusit në organizëm.
Marrja e barnave bën të mundur që një person me HIV të jetojë më gjatë dhe të bëjë një jetë më të shëndetshme. Terapia antiretrovirale prej vitesh për një pjesë të pacientëve të identifikuar me këtë sëmundje ofrohet falas edhe në vendin tonë. Aktualisht e marrin këtë terapi rreth 222 pacientë. Pranë Shërbimit Infektiv në QSUT marrin terapi antiretrovirale 207 pacientë të rritur dhe 15 fëmijë e marrin këtë terapi pranë Shërbimit Infektiv të Pediatrisë.
Strategjitë e të jetuarit në mënyrë pozitive ndihmojnë personin me HIV të qëndrojë në gjendje të mirë dhe pa simptoma, për një periudhë të gjatë kohe. Disa nga strategjitë për të jetuar pozitivisht përfshijnë: shmangien e situatave stresuese, të qëndruarit aktiv (puna, sporti, hobi, etj), heqjen dorë nga alkooli e duhani, të ngrënit e të fjeturit mirë, praktikimin e seksit të sigurt, mjekimin e hershëm të infeksioneve etj.
