Një raport i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm evidenton problemet me të cilat përballen forcat e rendit në vend. Në analizën vjetore të Strukturave të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, një ndër problemet më shqetësuese është ai i mungesës së sigurimit të jetës të punonjësve të komisariatit special RENEA. Në këtë repart mungojnë gjithashtu edhe sistemet TIMS të adresave të komunikimit të brendshëm, certifikatat e sigurisë për punonjësit e të gjitha niveleve, ndërsa në strukturat e policisë mungojnë strategjitë për hetimin e ngjarjeve të vjetra. SHKB në raport thekson se për një vit ka dërguar 105 çështje penale në prokurori.
“Duke marrë shkas nga ankesat e shtetasve, ka nisur hetimi për 12 raste, ndërkohë që janë ndëshkuar me masa disiplinore 70 punonjës policie. Gjatë vitit të kaluar SHKB-ja ka referuar pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore 105 çështje penale për 132 punonjës polici. Për vitin 2012 janë konstatuar 80 raste ku punonjësit e policisë kanë kryer shkelje disiplinore”, theksohet në raportin e SHKB-së të cituar nga GSH.