Rënia e flokëve, trajtoni me kujdes çrregullimet e tiroides dhe aneminë

Dita

Jo pak njerëz ndeshen në jetën e tyre me problemin e rënies së flokëve, që në gjuhën mjekësore njihet edhe si “alopecia”.  Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, se nga ky fenomen preken masivisht, si burrat ashtu edhe gratë. Megjithatë, si fenomen ndodh më shpesh tek meshkujt. Edhe llojet e rënies së flokëve janë të ndryshme dhe në varësi të shkaktarëve të këtij fenomeni. Rënia e flokëve zakonisht fillon rreth moshës 30, apo 40 vjeçare, si rezultat i sëmundjeve të ndryshme, traumave emocionale, deficiteve ushqimore, ndryshimeve hormonale, siç janë ato gjatë pubertetit, shtatzanisë, menopauzës dhe andropauzës.

 Si ndikojnë në rënien e flokëve medikamentet dhe terapitë e ndryshme që ndjekin kategori të caktuara pacientësh?

Ekzaminimin shëndetësor bazë për këtë problem mund ta kryejë mjeku i familjes, internisti, apo gjinekologu. Dermatologët janë mjekët, që specializohen për probleme të lëkurës, flokëve, thonjve dhe kështu mund të mundësojnë një diagnozë të avancuar dhe trajtim adekuat të problemit. Edhe pse shumë medikamente në efektet e tyre anësore rendisin rënien e flokëve, janë të pakta rastet që ato të jenë shkaktarë të mirëfilltë të alopecisë. Nga ana tjetër, kimioterapitë dhe medikamente të tjera që frenojnë imunitetin, zakonisht shoqërohen me rënie flokësh. Por, ky fenomen është i përkohshëm, pasi flokët dalin pas një periudhe gjashtë, deri n dymbëdhjetë muaj pas trajtimit.

Cilat janë format më të shpeshta të alopecisë?

Forma më e zakonshme është “alopecia armata”. Kjo lloj rënie e flokut fillon si zona të vogla në formë rrethore me diametër dy-tre milimetër në kokë, në mjekër apo në vetull. Në këto zona floku bie dhe ato ngelen tullace. Zakonisht ato rigjenerohen pas tre deri në gjashtë muaj pa trajtim. Mendohet se kjo situatë vjen nga çrregullime të brendshme autoimune që sulmojnë rrënjët e flokëve (folikulat). Megjithatë, shumica e pacientëve nuk kanë probleme sistemike dhe nuk kanë nevojë për teste mjekësore. Kjo ndodh zakonisht pas situatave stresuese. Një formë tjetër është “trikotilomania e kokës dhe e vetullave”. Kjo vihet re më shpesh tek femrat që i mbajnë flokët bisht të shtrënguara fortë, ose tek ato që duan të bëjnë tërheqje të vetullave dhe syve. Në jo pak raste është i nevojshëm këshillimi me psikologë, apo edhe me mjekë psikiatër.

 

Po infeksionet mykotike të kokës a ndikojnë në humbjen e flokëve dhe ku shfaqen më shpesh?

Një formë mjaft e përhapur është “tinea capitis” (infeksionet mykotike të kokës). Ky është një infeksion mjaft i shpeshtë për fëmijët e moshës shkollore dhe rrallë prek të rriturit. Kjo sëmundje shoqërohet me rënie të flokëve në formë pullash, por edhe dëmtime të fijeve të flokut. Në këtë rast duhet kuruar mirë infeksioni dhe pastaj flokët rritën përsëri. Këto infeksione janë mjaft ngjitëse nga personi në person sidomos, kur ndërrojnë kapelet me njëri tjetrin. Përveç rënies së flokëve në formë pullash kemi edhe rënien e përgjithshme (difuze) të flokëve. Kjo lloj humbjeje mund të mos jetë shumë e dukshme në sytë e të tjerëve, por vetë individi e ndjen që flokët e tij nuk kanë aq të plotë dhe aq voluminozë sesa ishin më parë. Kjo mund të ndodhë më shpesh gjatë sëmundjeve të ndryshme, pas lindjeve te gratë, si edhe gjatë çrregullimeve hormonale.

Kur rënia e flokëve duhet të shihet si shqetësim?

Në kushte normale qimet e flokëve të kokës jetojnë përreth tre vjet. Kjo quhet edhe faza e rritjes. Pas kësaj ato hyjnë në fazën e pushimit (faza telogene), e cila zgjat afërsisht tre muaj. Gjatë kësaj periudhe tre mujore rrënja e flokut thahet dhe floku bie.

Prandaj është normale që të humbasim rreth 100 qime çdo ditë, sepse ato do të zëvendësohen më pas nga organizmi. Normalisht rreth 10 për qind e fijeve të flokut janë në fazën telogene. Tek meshkujt njohim shpesh alopecinë androgjenike. Ky lloj i atribuohet një predispozicioni gjenetik dhe një historie familjare. Kjo nënkupton një kombinim midis hormoneve mashkullore dhe trashëgimisë. Kjo vlen si për burrat, ashtu edhe për gratë, pasi hormonet mashkullore janë të pranishme (në sasi të ndryshme padyshim) si te meshkujt, ashtu edhe te femrat. Shkaku i saktë i këtij modeli mbetet ende i panjohur. Po ashtu infeksione të ndryshme janë përgjegjëse qoftë për rënien në formë pullash, qoftë për rënien difuze të flokëve. Anemia nga mungesa e hekurit përbën gjithashtu një arsye tjetër. Gjatë shtatzanisë dhe menopauzës, si rezultat i ndryshimeve të forta hormonale gratë mund të kenë humbje të flokëve, apo dobësim të tyre.

Si trajtohet ky problem?

Natyrisht që në themel të terapisë qëndron gjetja e shkakut. Prandaj pacientit i duhet bërë një vlerësim i mirë i gjendjes shëndetësorë nga mjekët e familjes dhe specialistët përkatës. Të dhënat shkencore sugjerojnë se multivitamiant me përmbajtje vitaminen B, acidin folik, zinkun , hekurin, biotinen dhe kalciumin përbëjnë një zgjedhje të arsyeshme. Po ashtu sipas këshillimit të mjekut specialist janë të rëndësishme edhe terapitë që përdoren lokalisht, gjithmonë në baze të shkaktarit. Parandalimi i humbjes së flokëve varet nga shkaku themelor. Në radhë të parë higjiena e mirë e flokëve është kryesore, por gjithashtu rol të madh ka ushqyerja e mirë dhe e shumëllojshme.  Rëndësi të veçantë marrin edhe trajtimet e duhura të çrregullimeve të tiroides, anemia dhe çrregullimet hormonale. Këto luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e rënies së flokëve.

Rënia

Tek femrat humbja e flokëve ndodh më shpesh në zonën ballore dhe atë anësore mbi veshë. Njerëzit kanë rreth 100 mijë deri në 150 mijë qime mbi kokën e tyre. Numri fillestar i qimeve të humbura në një ditë është mesatarisht 100. Në mënyrë që të ruhet vëllimi normal i flokëve duhet që flokët e rëna të zëvendësohen me të njëjtin ritëm që ato humbasin. Shenjat e para të rënies së flokëve duken kur shohim se pas krehjes, ose pas larjes bien më shumë flokë se zakonisht. Përveç këtij fakti konkret një shenjë tjetër klinike është edhe stresi psikologjik që shoqëron pacientët që vuajnë nga rënia e flokëve.

Ushqimi

Gjithashtu rëndësi maksimale i duhet kushtuar edhe mënyrës së ushqyerjes. Duhen përdorur frutat dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë kripëra minerale dhe elementë të shumtë kimikë, të cilët janë shumë të nevojshëm për rritjen, zhvillimin dhe forcimin e rrënjës së flokëve. Duhet të qëndrojmë larg ushqimeve të shpejta, të ngrira, të konservuara, sheqernave, të cilat përmbajnë një kalorazh shumë të lartë që ndikon në rënien e flokëve. Një mënyrë e shëndetshme jetese dhe ushqyerje ndikon në pasjen e flokëve  të shëndetshëm.

Sëmundjet që theksojnë ndjesinë e lodhjes

Lodhja mund të shkaktohet edhe nga prania e shumë sëmundjeve të tjera që mund të prekin organizmin. Kundrejt këtyre rasteve bluzat e bardha sqarojnë se katër janë sëmundjet më të shpeshta që mund të theksojnë ndjesinë e lodhjes. Megjithatë, duhet të dimë që janë të shumta sëmundjet që si simptomë të vetme kanë lodhjen. Ndër to, më të shpeshtat rezultojnë të jenë anemia, çrregullimet e tiroides, sëmundjet reumatizmale, si dhe diabeti e mbipesha. Sa i takon lodhjes së shkaktuar nga anemia, mjekët shpjegojnë se kjo sëmundje se ndikon në presionin e ulët të gjakut, e cila më pas nuk furnizon siç duhet organet e tjera, çka mbart pasoja të rënda pasi nuk funksionojnë siç duhet. Çrregullimet tiroides, përpos hipotiroidizmit, për shkak të të cilit prodhohet sasi jo e mjaftuar e hormoneve, që me atë rast shkakton ngadalësimin e metabolizmit, dhe me atë rast posedon më pak energji dhe më lehtë lodhet. Nga ana tjetër edhe sëmundjet e natyrës reumatizmale çojnë në zvogëlimin e fuqisë muskulore, e cila ndikon më pas në forcimin e ndjesisë së lodhjes. Ndërsa tek sëmundja e diabetit, tek ai që konsiderohet si tip 2, ku është i dëmtuar mekanizmi i përdorimin e insulinës në muskuj, ndërsa në një numër të madh të rasteve ekziston edhe dëmtimi i enëve të imëta të gjakut dhe i nervave periferike. Sa i takon masave që mund të merren në trajtim, mjekët thonë se: “Asnjëherë nuk duhet neglizhuar simptoma e lodhjes, sidomos kur ajo zgjat për një periudhë të gjatë kohore”. Menjëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, pasi ka shumë sëmundje që fillojnë dhe shoqërohen me lodhje. Ndër këto sëmundje mund të përmendim hepatitet virale, mononukleoza infektive, sklerozat multiple, sëmundje të ndryshme malinje, diabeti, sëmundje të tiroides, sëmundjet reumatizmale, sëmundjet e zemrës, çrregullimet depresive, marrja e tepruar e medikamenteve të ndryshme, etj. Sigurisht që sëmundjet shoqërohen edhe me shenja të tjera të veçanta. Prandaj është e domosdoshme konsulta me mjekun dhe kryerja e analizave dhe ekzaminimeve që nevojiten. Çdo sëmundje që mund të rezultojë duhet të trajtohet rregullisht dhe të mbahet në kontroll. Në rastin e sindromës së lodhjes kronike pa ndonjë shkak të veçantë nuk është se ka ndonjë terapi të veçantë medikamentoze që mund të përdoret. Mund të trajtohen simptoma të tilla si dhimbja e kokës, e muskujve, e barkut me qetësues (edhe këto vetëm me këshillën e mjekut të familjes). Rekomandohet jetë aktive dhe aktivitete sportive, sigurisht sipas mundësisë që lejon edhe gjendja shëndetësore. Bëni çdo ditë shëtitje në ajër të pastër dhe jetë sa më të pasur sociale e në marrëdhënie me njerëz (qofshin familjarët tuaj apo takime me shoqërinë). Mos u mbyllni në guaskën tuaj dhe mos bini pre e dëshpërimit. Mos nguroni të kërkoni edhe ndihmën e psikologut apo edhe të mjekut neuro-psikiatër sipas nevojës. Kjo mund të jetë ndoshta edhe detyrë e familjarëve. Hani shëndetshëm, me sa më shumë jeshillëqe, fruta e zarzavate. Kufizoni përdorimin e mishit të kuq dhe shtoni pulën dhe peshkun. Qëndroni larg fast-foodeve, të skuqurave, pikanteve, pijeve të gazuara e të sheqerosura. Përdorni ushqime të freskëta, të ziera dhe të zgarës, komposto të bëra vetë me fruta të freskëta. Në përgjithësi pacientët që kërkojnë ndihmë për probleme të tilla kanë ecuri të mirë, sidomos kur përkrahen edhe nga familjarët e tyre. Fëmijët kanë ecuri më të mirë se sa  të rriturit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *