Rënia e konsumit dhe efektet sezonale ulin çmimet në qershor

anazapta

Çmimet në muajin qershor 2013, shënuan një ulje prej 0.6 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm, njoftoi INSTAT, kryesisht si rrjedhojë e produkteve bujqësore më të lira, teksa kanë dalë në treg produktet vendase. Megjithatë, ndryshimi vjetor është pak më i lartë se një vit më parë. Ndryshimi vjetor në muajin Qershor është 2.3 përqind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.2 përqind. Inflacioni mbetet afër kufirit minimal të objektivit të Bankës së Shqipërisë, prej 2-4 për qind, duke i dhënë asaj hapësirë për të vazhduar me politikën lehtësuese monetare. Banka Qendrore, institucioni përgjegjës për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve ka paralajmëruar se presionet inflacioniste do të jenë të ulëta dhe në pjesën e mbetur të vitit, për shkak të kërkesës së dobët të brendshme. “Rritja e kërkesës nën potencialin e ekonomisë edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit do të vijojë të ushtrojë presione të dobëta inflacioniste nga kahu i kërkesës”, ka pohuar guvernatori Fullani në daljen e fundit për shtyp, dy javë më parë.

 

Shifrat sipas INSTAT

1. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.4 përqind. Ulja më e madhe prej10.4 përqind vërehet në nëngrupin ”zarzavate përfshirë patatet”. Çmimet në nëngrupin ”fruta” shënuan një rritje prej 3.5 përqind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonave me 19.5 perqind, portokalleve me 16.0 perqind, etj.

2. Indeksi i grupit ”Pije alkolike dhe duhan” ka shënuar një ulje 0.2 përqind. Brenda këtij grupi çmimet e pijeve alkolike shënuan një rritje prej 0.1 përqind dhe çmimi i duhanit një ulje prej 0.4 përqind.

3. Indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 1.2 përqind.

4. Indeksi i grupit “Qera, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje prej 0.4 përqind ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të qerave te banesave me 0.6 përqind si edhe uljen e çmimit të lëndëve djegëse me 0.4 përqind.

5. Indeksi i grupit ”Transport” ka shënuar një ulje prej 0.3 përqind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.7 përqind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 0.4 përqind.

6. Indeksi i grupit ”Mallra dhe shërbime të ndryshme” ka shënuar një ulje prej 0.4 përqind, ulje kjo që ka ardhur si rezultat i uljes së tarifave të siguracionit të makinave.

 

Edhe bankat me humbje në 5 muajt e vitit 2013

Si të gjithë sektorët e ekonomisë edhe sistemi bankar shqiptar ka pësuar një tkurrje të ndjeshme të fitimeve gjatë muajit maj. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, rezultati financiar progresiv i pesëmujorit të parë ka zbritur në maj në vlerën e 962 milionë lekëve, nga 1.56 miliardë lekë që ishte në fund të Prillit. Rezultati i sistemit bankar ka rënë ndjeshëm ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kur fitimi ishte katër herë më i lartë. Rënia e fitimeve të bankave lidhet me sasinë e madhe e kredive të probleme dhe me ritmet shumë të ngadalta të kreditimit. Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, kredia e re ka pësuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa stoku i kredisë ka regjistruar një rritje shumë afër zeros. Bankat kanë rritur investimet në titujt e borxhit të qeverisë shqiptare, por kthimi nga këto instrumente ka rënë në nivelet më të ulëta historike, duke siguruar më pak përfitime për bankat. Por sipas këtyre të dhënave të paktën nuk ka patur rritje të kredive me probleme, duke qëndruar në nivelin 24 për qindëshit, edhe pse në vetvete kjo është një shifër alarmante.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *