Rënia e lirë e Interit, ndaj Lazios si një finale

DITA Online

Diçka është krisur tek zikaltërit e Interit që deri në datën 9 dhjetor kishin një supremaci në statistika që i etiketonte ata si surprizën më të bukur të Serisë A. Por humbja në Kupën e Italisë ndaj Milanit që përkon të jetë e treta disfatë rradhazi pas atyre me Udinesen dhe Sassuolon shton pikëpyetjet se çfarë po shkon keq me këtë skuadër. Rënia është e dukshme si në rezultate, lojë apo gjendje fizike.

Paraqitja e dobët në Kupën e Italisë përballë Milanit shënon humbjen e tretë radhazi për  skuadrën e Spallettit pas 16 takimeve ku nuk numëronin asnjë disfatë.

Sinjali alarmues vjen nga reparti sulmues që në 5 takimet e fundit ka shënuar vetëm një gol, pikërisht atë të Icardit përballë Udineses.

Ndërkohë që Perisic nuk ka vazhdimësi dhe po përjeton një rënie të formës fizike. Nga ana tjetër Candreva ka qënë thuajse inekzistent në këtë drejtim nëse i referohemi faktit se nuk numëron asnjë gol të shënuar. Por për fatin e mirë të Spallettit takimi i rradhës i planifikuar për të shtunën përballë Lazios në San Siro premton një mundësi të artë për t’a mbyllur vitin me një sukses që do të linte pas edhe shijen e hidhur të derbit.

Në rast triumfi të zikaltërve bilanci i kësaj pjese të parë të sezonit do të ishte sërish pozitiv për ta. Në të kundërt puna e madhe dhe kualitative e këtyre tre muajve do të zhbëhej e gjitha në harkun e këtyre 20 ditëve të fundit. Spalleti është besimplotë dhe optimist  e as nuk merr në konsideratë një fakt të tillë.

Për teknikun 58-vjeçar ky është vetëm një ngërç psikologjik.

“Kemi humbur besimin. Duhet të bëjmë një kthesë nga ana psikologjike sepse fizikisht jemi mirë. Unë mendoj se skuadra ime mund të fitojë ndaj kujtdo, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë tona dhe duhet t’i shfrytëzojmë ato gjithmonë”, tha trajneri i Interit pas humbjes 1-0 ndaj Milanit në çerekfinalen e Kupës.

Skuadra që ka në dispozicion zotëron gjithë potencialin për të mundur këdo kundërshtar që i del përballë, u duhet vetëm  pak inkurajim në aspektin psikologjik dhe forcë karakteri për t’u rikthyer në skuadrën fituese që realisht janë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *