Bizneset dhe individët kanë arritur që të marrin më shumë kredi nga bankat në muajin maj, me huanë për ekonominë që shënoi rritje prej 0.5% në krahasim me një muaj më pare. Kjo sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Kjo është rritja e dytë mujore në periudhën janar-maj, që në tërësi ka qenë i dobët për kreditimin. Bankat kishin sinjalizuar se do të ishin më aktive në kreditim, teksa një ndikim pozitiv psikologjik dha dhe fillimi i shlyerjeve të detyrimeve të prapambetura për biznesin nga Ministria e Financave. Shtimi i kredisë në maj erdhi pothuajse tërësisht nga rritja e huadhënies për bizneset (korporatat e tjera jo financiare) dhe është dhënë në valutë. Në raport me dhjetorin 2013, stoku i huasë për ekonominë është tkurrur me 2.4 miliardë lekë, apo 0.44%, teksa performanca e mirë e majit nuk ka arritur që të përmbysë ecurinë e dobët të kreditimit në muaj e mëparshëm. Me bazë vjetore (maj 2014/maj 2013) rritja e huasë për ekonominë vijon të jetë negative, me minus 1.7%, ndonëse janë ngadalësuar ritmet e rënies (për katërmujorin tkurrja ishte rreth 2.14%). Megjithatë, mbetet të presim ecurinë e muajve në vijim për të parë nëse rritja e huadhënies në muajin maj do të jetë e qëndrueshme, apo një rast i izoluar siç ka ndodhur shpesh përgjatë muajve të fundit.
