Kryeministri italian do të ashpërsojë dënimet ndaj të korruptuarve dhe pohon se çdo person që vjedh do të paguaj deri në qindarkën e fundit. Ai ka bërë të ditur se do të bëjë 4 ndryshime të forta në Kodin Penal.
Kryeministri italian Matteo Renzi ka njoftuar këtë të martë se qeveria e tij po studion një paketë masash për të ashpërsuar dënimet e personave që janë dënuar për korrupsion si dhe të zgjatet periudha e parashkrimit të këtyre dënimeve. Lideri i Partisë Demokratike shpjegoi përmes një videoje që Këshilli i Ministrave që do të mblidhet, sot më 11 dhjetor do të vendosë në tavolinë katër modifikime të Kodit Penal për rastet e korrupsionit. Renzi kërkon që të rrisë dënimin minimal për korrupsion nga 4 në 6 vjet, gjithashtu do të thjeshtojë procesin e konfiskimit të pasurive të të dënuarve që kanë marrë dënim të formës së prerë.
Për më tepër nëse provohet që ka pasur korrupsion i dënuari duhet të kthejë deri në qindarkën e fundit atë që ka vjedhur dhe do të zgjatet periudha e parashkrimit të dënimit. Ish kryetari i Bashkisë së Firences tha se bëhet fjalë për një iniciativë me të cilën ekzekutivi përkushtohet së bashku me qytetarin në luftën kundër këtyre lloj aktivitetesh ilegale. Është një mënyrë për t’u përballur me këto shkelje, pas skandalit të mafies ku 37 persona, përfshirë edhe ish kryetarin e Bashkisë së Romës, janë akuzuar për lidhje me mafien për krijimin e një rrjeti korrupsioni në subjektet publike të rajonit italian të Lacios dhe Romës.
“Qeveria nuk duhet, nuk do dhe nuk do të fusë hundët në atë që po bën drejtësia italiane (në rastin e mafies). Do të jenë gjykatësit që do të përcaktojnë nëse kanë bërë krim mafioz, apo e thënë ndryshe një akt korrupsioni”, tha ai. Ekzekutivi, ka shtuar Renzi, do të bëjë çdo gjë që është e mundur që më në fund, ai që vjedh në Itali të paguajë deri në qindarkën e fundit, deri në ditën e fundit.
“Pra, janë gjëra të vogla, por shumë serioze, shume domethënëse. Janë gjërat e vogla që bëjnë të kuptosh që në Itali, koha ka ndryshuar dhe kush vjedh, kush korrupton, do të përndiqet deri në ditën e fundit, deri në qindarkën e fundit”, mbyll fjalën e tij kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.

Këtë duhet të bëjë dhe kryeministri ynë. Konfiskim pasurisë- masa më e mirë për të ndëshkuar fajtorët.
Edhe per atdheun, s’ka rruge tjetet per te c’renjosur vjedhjet qe kryhen nga c’do shqiptar qe te jete, me pozite pa pozite,pervecse zbatimit te ideve te Z. Renzi.Si mund te hyjme ne Evrope kur vidhen 200 milion euro energji elektrike, nga te gjithe ata ajdute?