Po mendoj me i dhane nje pergjigje nje komenti shume cinik e aspak profesional te Dr. Artan Fuges mbi moralin dhe Politiken shqiptare të botuar në gazetën DITA. Në atë interviste duke diskutuar ne lidhje me pragmatizmin e moralin, Dr. Fuga thotë:
“Unë mendoj se ky është një diskutim i gabuar nga njerëz që nuk e dinë se çfarë është pragmatizmi dhe çfarë është morali politik. Ngatërrohet morali politik me moralin familjar apo fetar, ose shoqëror. Kurse morali politik është një formë e veçantë e moralit dhe dallohet nga morali ta zëmë fetar apo ai familjar. Morali fetar ta zëmë kërkon ta duam tjetrin, kundërshtarin tonë, por morali politik nuk është se e respekton këtë gjë. Morali familjar për shembull, kërkon që bashkëshortët t’i qëndrojnë besnik lidhjes së krijuar, por në politikë kjo nuk vlen. Në politikë ka vetëm lidhje interesash politike, të cilat bëhen dhe zhbëhen sipas konjukturave të caktuara dhe për të cilat merren pasojapozitive apo negative. Unë gjithmonë kam ecur me mendimin e mjaft filozofëve politikë amerikanë se partnerët politikë në një koalicion janë gjithmonë “vëllezër ujq” sipas shprehjes së përdorur prej atyre vetë. Si bëhen ashtu edhe mund të zhbëhen e kështu pafundësisht.”
A eshte e mundur qe te gjithe intelektualet, te vetequajturit intelektuale, dhe pseudointelektualet duhet te behen ushtare te parise? e per cfare arsyeje duhet qe te mashtrohet populli dhe t’i sherbehet me kaq zell nje bande kriminale si Paria e Tiranes, kur ne te njejten kohe mundohesh te shitesh sikur je filozof e mendimtar i pavarur?!!! Arsyeja eshte vetem kur ke vene gurin ne radhe per nje post, ose kur per hir te lidhjeve me parine, mbron pikepamjen qe i duhet asaj. eshte me te ardhe keq se si po i hedhin maskat te gjithe keta qe mbahen per dikushi ne Tirane. Po shihet qarte se ka vetem dy pale. Ne nje ane eshte paria dhe zhurmuesit e teneqexhinjte e saj te shumte, dhe ne anen tjeter jane shqiptaret qe duan zgjidhje e qe jane te dizinformuar nga kjo kakofoni argumentesh cinike e krejtesisht ne sherbim te parise. ne keto kushte, thenia e te vertetes behet shume e rendesishme.
MORALI DHE POLITIKA: RASTI SHQIPTAR
Në një shkrim të Moikom Zeqos trajtohet lidhjen e moralit me politikën në filozofi. Mandej, autori e analizon këtë lidhje edhe në kontekstin bashkëkohor shqiptar. Thënë përmbledhtas, argumenti i tij është se në shtetin shqiptar mungon morali i mirëfilltë politik. Argumenti i shkrimit është se në shtetin shqiptar nuk ka një pasqyrim e mbrojtje të interesave të vërteta të popullit nga shtetarët e nga drejtuesit e opozitës. Në morinë e argumenteve të shumta të autorit, spikasin mungesa e vizionit të parisë për të ardhmen, mungesa e lidhjes së ngushtë midis institucioneve shtetërore dhe popullit, zvetënimi moral dhe cektësia intelektuale e parisë (anipse ai përdor terma më të ndryshme prej meje), personalizimi i institucioneve nga shtetdrejtuesit e rradhës. Një faktor i rëndësishëm për autorin, është edhe sistemi i klientelizmit. Klientelizmi politik, si sjellje e pamoralshme, ka çuar si në varfërimin e mendimit politik. Në nivelin e politikës praktike, autori mbrrin në përfundimin se klientelizmi politik ka mundësuar praninë në politikë të individëve që nuk i kanë karakteristikat e duhura për të qënë burra shteti.
Por, ky argument shumë i rëndësishëm, që konsideron lidhjen e moralit me politikën, nuk është ftilluar sa duhet e si duhet në këtë shkrim. Një nga arsyet është se, autori pret që lexuesi të nxjerrë vetë përfundimet nga pyetjet e shumta retorike. Mirëpo, kjo mënyrë argumentimi funksionon kur shkruesi dhe lexuesi ndajnë të njëjtin botëkuptim. Kur njerëzit nuk e ndajnë të njëjtin botëkuptim, ata nuk nxjerrin përfundime duke u nisur nga pyetja retorike. Përgjegjia e pyetjes retorike dihet paraprakisht ose merret si e vërtetë e patundshme. Mirëpo, kur përgjegjia e pyetjes retorike duhet bërë nga lexuesi, që si pikënisje ka një botëkuptim e një sistem vlerash është i kundërt me atë të shkruesit ,ajo është krejt e ndryshme.
Nga ana tjetër, lidhja midis moralit e politikës është një temë shumë e rëndësishme dhe që duhet analizuar me shumë vëmendje. Një mënyrë tjetër për të analizuar e thjeshtuar këtë lidhje midis moralit e politikës do të ishte kjo. Morali është një mënyrë të sjelluri e kodifikuar në një sistem rregullash e normash shoqërore, që pranohet nga një grup i caktuar e nga nga individët që janë pjestarë të tij si rruga e vetme e ndërtimit të marrëdhënieve të duhura (të ndershme, të pastra, pa hile e anësi), midis pjesëtarëve të grupit si dhe midis këtij grupi e të tjerëve (kur interesat e grupit do të mbrohen e duhet të mbrohen me çdo mjet përmes shtetit). Pika e nisjes, për çdo analizë, është se cili është burimi i këtij sistemi të kodifikuar sjelljesh. A është individi, që, e racionalizon gjendjen e vet, dhe që e konsideron të moralshme atë që i shërben interesave të tij të ngushta dhe individuale? A është grupi, pavarësisht nga parimi bazë i formësimit, që mund të jetë feja, lidhja e gjakut, apo kultura? Apo morali është një vlerë universale që është e pranishme, në të gjitha shoqëritë njerëzore, sepse është diçka thelbësore, e pashkëputshme dhe e pa tëhuejzueshme nga natyra njerëzore?
Shoqëritë njerëzore nuk mund të ekzistojnë në mungesë të një sistemi moral vlerash, me të cilin pajtohen paria dhe pjesa më e madhe e shoqërisë. Skllavërimi, shitja e njeriut, shfrytëzimi dhe liria bëhen të mundshme, vetëm kur shoqëria i pranon këto sjellje si të moralshme. Ipso facto, çdo sjellje e cila iu bjen ndesh normave të pranuara, është e dënueshme, sepse nuk është e moralshme. Mirëpo, duhet mbajtur ndërmend se morali është justifikimi i interesave. Në qendër të vlerave morale të çdo shoqërie, qëndron gjithnjë ose interesi i bashkësisë, kombi ose shteti, ose interesat e individit, kur shteti është në gjendje që të ruajë interesat e veta nga shoqëria dhe individët veprojnë në një nivel tjetër sistemik.
Kur një shoqërie i mungon ky sistem autoritativ vlerash e modelesh sjelljeje, atëherë paria mundohet të përdorë sistemin e ligjeve dhe politikën, për të zgjidhur problemet midis pjestarëve të grupit si shtetas. Në këtë pikë, politika dhe politikanët bëhen tejet të rëndësishëm, sepse nuk ka asnjë bashkësi që identifikohet me shtetin në të njëjtin nivel. Por, kontrolli i shtetit i bën politikanët faktorin kryesor që garantojnë rregullin, sigurinë, begatinë, mbarësinë e qetësinë në shoqëri. Politikanët ose e zgjidhin konfliktin në shoqëri, duke u sjellë simbas kodit të pranuar nga shoqëria dhe punojnë, që t’i ruajnë e konsolidojnë ato vlera, ose mundohen ta ndryshojnë atë sjellje, duke përdorur shtetin për të transformuar shoqërinë simbas vizionit e moralit të tyre. Rasti i shtetit shqiptar në tranzicion është një ilustrim i shkëlqyer i lidhjes së munguar midis moralit të duhur e politikës së duhur. Sistemi enverist u përpoq shumë fort që të ndryshonte shoqërinë shqiptare e sistemet morale të saj. Kjo çoi në krijimin e një njeriu të përçudnuar, në një shoqëri të terrorizuar e pa besimin e duhur në institucionet e shtetit. Gjithashtu kjo çoi edhe në instrumentalizimin e paskrupullt të shtetit në shërbim të interesave të parisë.
Me kohë, u krijuan tre sisteme morale, që ishin tërësisht të papajtueshme me njëri-tjetrin. Një grup i vogël, që identifikohej me interesat e shtetit e të kombit, e gjente burimin e sjelljes së vet, moralin, në një gjendje ideale, në shpresën se krijimi i shtetit-komb do të mundësonte përmirësimin e gjendjes dhe se kjo do të ishte rruga më e mirë e mundshme. Shtresat e gjera, katundarët dhe shtresa e proletarizuar qytetase, zhvilluan një sistem moral vlerash, që iu kundërvihej shtetit dhe interesave të bashkësisë. Sistemi moral, që filloi të karakterizonte këto shtresa të gjera, gradualisht dhe me tolerimin e shtetit, pranoi si të moralshme sjellje që deri pak kohë më parë edhe në nivelin shoqëror kishin qenë kriminale, si hajnia e mallit, vjedhja e pronës, trami i favoreve e me radhë. Sistemi që u zhvillua mori karakteristika të theksuara klienteliste. Paria përdorte shtetin për t’iu bërë favore klientëve të saj në shtresat katundare dhe proletariatin urban, që, nga ana e tyre, ofronin të mirat materiale që paria dhe intelektualët nuk mund t’i gjenin në një mënyrë të ligjshme. Puna e mirë për nusen në shtet shkëmbehej me një gjel deti çdo vit, një thes me arra, apo me një antenë alumini të vjedhur në ndërmarrjen e shtetit. Kjo sjellje u bë e moralshme. Me shndrrimin e kësaj sjellje në të moralshme, shteti u bë edhe armiku kryesor i të gjithëve.
Duke qenë në kontroll të një shteti, që filloi të konsiderohej si armiqësor nga shtresat e popullit, por që për shkak të moralit sundues e shtërngonte keqazi edhe atë vetë, paria u shkëput dhe me kohë krijoi një sistem vlerash morale, që i dallonte nga shqiptarët. Duke mos e identifikuar më veten me interesin e shtetit, duke e konsideruar interesin e bashkësisë si parësor, duke mos u identifikuar më me popullin, paria dhe rrethi i intelektualëve vendosi në qendër të sistemit të vet të vlerave morale, interesin e ngushtë e personal. Paradoksalisht, kjo po ndodhte nën kornizën e hegjemonisë së një ideologjie, si enverizmi, që synonte krijimin e një shoqërie komuniste përmes zhveshjes së individëve nga prona dhe nga morali tradicional shoqëror, fetar, etnik apo kulturor, që mban bashkë të gjithë shoqëritë e tjera. Po ashtu, kjo po ndodhte paralel nevojës së parisë për të ruajtur shtetin terrorist dhe strukturat që mbronin lejgitimitetin e vet në nivelin ideologjik.
Kjo situatë, në të cilën përplaseshin morali që buronte nga ideologjia sunduese dhe morali që justfikonte sjelljen e përditshme, u përkeqësua me shpejtësi marramendëse gjatë viteve 1980-të. Nga ana e vet, morali sundues i parisë u konsolidua dhe u internalizua edhe nga shumica e inteligjencias që nuk kishte më asnjë lloj besimi në ideologjinë kolektiviste komuniste. Përmes trajektoreve të përbashkëta të edukimit, përvojave, presioneve, imitimit, dhe të funksionimit në një sistem të caktuar, shtresa që duhej të bënte ndryshimin u mbrujt dhe u kompaktësua, si në mendësi, ashtu edhe në vlerat morale. Ky proces mbrujtësimi zvetënoi tërësisht e rrënjësisht grupin e individëve që duhej të merreshin me politikë e që u morën me politikë, si gjatë asaj kohe, ashtu edhe më pas. Në thelb të moralit të tyre ishte zhveshja nga ndjesia e shërbimit publik, vendosja e interesave private mbi ato të bashkësisë e të shtetit, ruajtja dhe kultivimi i rrethit shoqëror, dhe dallueshmëria nga shtresat e origjinës, që përgjithësisht ishin proletariat qytetas apo katundarë. Nëse në thelb të sjelljes morale është mosshkaktimi i dëmit apo të keqes ndaj pjestarit të grupit të cilit i përket individi, në rastin e intelektualëve dhe të parisë sunduese, proletariati qytetas dhe katundarët nuk shiheshin me si pjesë e grupit, por si të tjerë, d.m.th. si të huaj. Paradoksalisht, si intelektualët ashtu edhe katundarët pajtoheshin në kundërvënien e tyre ndaj shtetit. Po ashtu, të gjithë kishin zhvilluar mendësinë klienteliste, që ua siguronte jetesën në ato kushte.
Morali i kësaj shtrese, por edhe ai i parisë dhe i shtresave katundare dhe të proletariatit qytetas, kushtëzoi sjelljen e secilës shtresë edhe mbas vitit 1990. Si shihet kjo? Deri në vitin 1990, të gjithë mund të thonin se “sistemi mbahej përmes frikës e terrorit” dhe se “ne nuk kishim zgjidhje të tjera” ose se “besonim në atë sistem, prandaj bëmë këtë e atë gjë”. Por, nga viti 1990-të e më pas, të gjithë kanë patur mundësinë që të bëjnë zgjidhje në bazë të sistemit moral të vlerave individuale e të grupit përkatës. Dhe, në këtë kontekst, mund të thuhet pa frikë se paria dhe shoqëria shqiptare nuk u shkëputën nga e keqja e deriatëhershme. Ishte e pritshme që proletariati qytetas dhe katundarët do të vazhdonin të silleshin me të njëjtën mendësi. Por, fillimisht pritej që paria dhe inteligjencia do të punonin për shtetin. Arsyeja ishte sepse, formalisht, si paria ashtu edhe inteligjencia, silleshin simbas kodit moral zyrtar. Nuk ishte e lehtë të dalloje thellësinë e zvetënimit moral të tyre. Por, paria dhe inteligjencia u zhveshën me shumë lehtësi nga zhgualli i moralit zyrtar. Duke e gjetur justifikimin në ndërtimin e ‘shoqërisë së re kapitaliste’ dhe duke pasur mbështetjen e gjerë të proletariatit qytetas e të katundarëve, paria dhe inteligjencia zyrtarizuan atë që deri dje ishte konsideruara sjellje jo e moralshme dhe kriminale.
Nga një anë, ata vazhduan ta manifestojnë atë moral imoral të rrënjosur thellë gjatë kohës së sistemit totalitar në sjelljen e tyre të përditshme, duke e çuar shoqërinë e shtetin deri në këtë pikë. Por, tashmë, kjo sjellje nuk ishte më sjellje kriminale dhe e dënueshme, por e moralshme dhe e respektueshme. Arrivizmi, pragmatizmi, hajnia, mashtrimi, poshtërsia dhe të gjithë veset e dënueshme të një kohe, u bënë virtyti publik i një kohe tjetër. Kriza e vërtetë e thellë morale dhe, në dukje, e pashërueshme, e shoqërisë shqiptare në tranzicion fillon pikërisht këtu. Paria e pati shumë të lehtë që të shiste këtë moral të nënujshëm të shoqërisë enveriste, si moralin e duhur dhe të përshtatshëm për ndërtimin e një shoqërie ndryshe.
Problemi është shumë i rënduar. Nga një anë, është refuzimi i parisë dhe i shoqërisë, tashmë haptazi të kriminalizuar, për të kuptuar e pranuar se shoqëria nuk funksionon fare, nëse konflikti është i rrënjosur thellë në mendësinë e njerëzve. Arsyeja është se pjestarët e shoqërisë e shohin njëri-tjetrin si armiq të papajtueshëm dhe konflikti është i përhershëm dhe i pashmangshëm. Në një shoqëri normale, individët mund të mos pajtohen me njëri-tjetrin, por shoqëria duhet të ketë një sistem vlerash morale, që mundëson pajtimin, ose që ofron zgjidhje të përkohëshme, siç është, bie fjala, sistemi demokratik. Përplasja e vazhdueshme, dhe ndarja në mik-armik, në nivelin e vlerave morale mbarëshoqërore, e bën një shoqëri të pamundshme. Edhe pse paria mund ta ruajë kohezionin e saj, përplasja është vetëm përkohësisht e shmangshme. Kjo është sindroma më e qartë e mungesës së moralit mbarëshoqëror, e shpërthimit dhe e vazhdimit të luftës brenda grupit. Kjo është edhe gjendja faktike në shtetin shqiptar. Këtu bien në sy shprehje të neveritshme, si “popull i majtë” e “popull i djathtë” e me rradhë, që reflektojnë këtë përpjekje sistematike të parisë për të ndarë shoqërinë në struktura mobilizuese dhe klienteliste. Këto shprehje nuk kanë asnjë bazë në mendësinë ideologjike e në vlerat e shoqërisë. Por ato kullohen nga përvojat e shkuara historike të grupeve të ndryshme. Këto përpjekje e ilustrojnë mirë mendësinë konfliktuale, të yshtur e të cytur me shumë kujdes nga paria e Tiranës. I vetmi grup që ka kohezion dhe që e di mirë e qartë se çka i shërben si grup, është paria. Paria ka një moral tjetër nga shoqëria,nga “këta pisa”, siç thirret populli në rrethet e parisë në Tiranë. Por ndarja dhe thërmimi i shoqërisë, deri në atomizimin e mundshëm, po ndodh thjesht sepse i shërben parisë dhe interesave të saj. Klientelizimi është teknika përmes së cilës paria e mban bashkë e të lidhur rrjetën e mbështetësve të vet për interesa.
Ky proces duhet konsideruar edhe nga një anë tjetër. Nuk ka dyshim se i vetmi grup shoqëror që kishte dijen e mundësinë për të bërë diçka të mirë të orientimit të popullit në rrugën e duhur ishte paria. Mirëpo, ndryshe nga të gjitha paritë e vendeve të ish-kampit socialist, paria e Tiranës bëri zgjidhjen më të keqe të mundshme ideologjike e morale. Paria e konsideroi ndarjen në mik-armik si të natyrshme. E transformoi luftën e dikurshme të klasave, që ishte një luftë brenda llojit, sepse të gjithë ishin shqiptarë, në luftë të hapur klasore. Në përpjekjen e synimin për të ndërtuar kapitalizmin, një mendësi që pajtohej plotësisht me sjelljen e saj kriminale gjatë viteve 1980-të, paria i ndau shqiptarët në klasa ,që do të ishin armike për vdekje të njëra- tjetrës. Të lidhur përmes strukturave oligarkike e kleptokratike, paria e kultivoi mendësinë që e ndan nga populli. Populli u trajtua si një grumbull “pisash” ,që duheshin shfrytëzuar e përdorur pa pikë mëshire.
Vizioni i saj ishte që paria e ngushtë dhe disa të tjerë afër parisë, do të bëheshin borgjezia. Të gjithë shqiptarët e të tjerët që jetojnë në shtetin shqiptar, do të ishin proletarët e skllevërit e tyre. Kjo ishte edhe themeli i një luftë tjetër brenda llojit. Gradualisht, në një brez a dy, taksativisht, të gjithë shqiptarët, këta “pisa”, do të bëheshin proletarë që shesin krahun e punës, ose në rastin më të mirë, petit bourgeoisie, mikroborgjezë, që vegjeton në anët e shoqërisë moderne, si katundarë majë malit, dyqanxhinj të vegjël, apo si zanatçinj.
Prandaj edhe lufta e parisë së Tiranës është e drejtuar kundër çdo sistemi moral që e mban shoqërinë bashkë. Në këtë rrugë të ndërtimit të kapitalizmit engelsian, armiqtë e saj më të mëdhenj ishin sistemet morale, që burojnë nga mendësitë e bashkësive të mundshme si ideja e kombësisë, që është e lidhur pazgjidhshmërisht me shtetindhe demokracia e vërtetë, si metodë e zgjedhjes së udhëheqësive. Arsyeja është e kthjellet: morali që buron nga këto dy ideologji nuk ishte e nuk është asfare i pajtueshëm me kapitalizmin ekstrem klasor, monopolist e oligarkik, që ëndërronte, të cilin e dëshiron dhe për të cilin po punon edhe sot e kësaj dite që ta konsolidojë paria e Tiranës.
Këto dy sisteme morale, që janë të pajtueshme me njeri-tjetrin, nuk janë të pajtueshme me një shoqëri shfrytëzuese klasore ekstremiste si kjo që u synua dhe synohet që të ndërtohet. Natyrisht, këto dy sisteme janë të ndryshme në rrugën e zgjidhjes së konflikteve në një shoqëri. Por, zgjidhjet morale që ofrojnë secili sistem, iu bien ndesh interesave të parisë. Edhe më shumë se kaq, këto dy sisteme krijojnë shtërngesa, si mbi kapitalizmin ekstrem, ashtu edhe në sjelljen e parisë, veçanërisht në lidhjen e saj me shtetin e me shoqërinë. Arsyeja është se, të dy këto sisteme kërkojnë që paria e pasuria e saj të jenë edhe në shërbim të shoqërisë. Prandaj, paria oligarkike i lufton për vdekje. Interesat e shoqërisë nuk janë interesat e saj si shtresë. Sistemi që i shërben parisë është një sistem , ku ato që kontrollojnë monopolet duhet të kontrollojnë edhe pushtetin politik e të vendosin normat morale të një shoqërie të kontrollueshme prej tyre. Një shoqëri, që bart vlerat morale të parisë, do të jetë detyrimisht një shoqëri në shërbim të saj dhe nën kontrollin e saj.
Mirëpo këtu ka disa probleme të pazgjidhshme, anipse periodikisht të kontrollueshme prej parisë. Nga një anë, lufta për kontrollin e institucioneve të shtetit është e pashmangshme edhe midis vetë palëve të parisë së Tiranës. Në një shtet, ku nuk ka ekonomi të mirëfilltë, pasurimi fillon e mbaron me vjedhjen e arkës së shtetit. Se si vidhet arka e shtetit është temë tjetër, por ky është edhe burimi i konfliktit, që nuk mund të mbyllet nga asnjë forcë apo grup midis palëve të parisë së Tiranës. Të dy palët duan pushtetin dhe me çdo kusht. Kështu, edhe konflikti midis palëve të parisë që bien dakord për objektivin “moral”9kupto: imoral) të tyre (të pasurohemi vetë se këto të tjerët që s’bëjnë si ne, skllevër kanë qenë e të tillë do të vdesin), është bërë endemik.
Dhe paria duhet të organizohet politikisht; ajo duhet që të bindë pasuesit e tyre që kjo sjellje është e moralshme. Cila ishte forma e grupit që zgjodhën ata? Duke mos e parë veten si shqiptarë ose si pjestarë të shoqërisë kombëtare shqiptare, ata iu kthyen bajrakut, ortës jeniçere, kishës, xhamisë, klanit, fisit, apo akrabasë. Në mungesë të lidhjeve reale, ata iu drejtuan formës e strukturës fiktive, që thjesht vesh lidhjet personale me ngjashmërinë e lidhjeve të natyrshme të gjakut apo të vlerave. Në nivelin politik, ky moral i një mendësie të ngushtë e tejet konfliktual u shfaq, mbi të gjitha, në ringjalljen e strukturave të sistemit partisë-shtet. Në rastin e PS, ajo parti e rëndësishme politike ekziston vetëm si strukturë, ruhet si strukturë personale dhe mbahet bashkë vetëm e vetëm për shkak të mendësisë së parisë. Gjithashtu, ky konceptim i ngushtë i moralit u vu re edhe në krijimin e në funksionalizimin e strukturave, të bazuara në shtresën e të përndjekurve dhe në përqafimin e moralit e të vlerave të kësaj shtrese, nga kundërshtarët e klaneve që kontrollojnë PS. Këta pjesëtarë të parisë, si Sali Berisha, Genc Ruli, Ilir Rusmajli, Bujar Nishani, Ridvan Bode, Tritan Shehu, apo Genc Pollo, që formalisht e shohin grupin e tubuar në PS si burimin e të gjitha fatkeqësive të veta, shumë mirë mund të kishin qenë drejtuesit e sotëm të PS-së. Edi Rama, Erion Veliaj apo Ben Blushi mund të kishin qenë fare mirë në krye të partive opozitare.
Mirëpo, vlerat e shpallura, morali partiak, kujtesa historike, normat e sjelljes e gjithçka tjetër që i ndan këto grupe të parisë, janë thjesht “shtresa gjalpi”, që e bëjnë mbrojtjen e interesave të saj të mundshme nga palët. Po për këtë arsye, paria është e organizuar në makina oligarkike, të drejtuara nga “njëshat”, që janë kthyer në mishërim të këtij sistemi kundërshtues vlerash. Rrjedhimisht edhe parlamenti e qeveria janë të mbushur me “zero”. si Një nga treguesit e sistemit oligarkik është besnikëria e padiskutueshme personale e klientëve ndaj prijatarëve të klaneve respektive.
Kështu, prania e këtyre tre elementëve, gjegjësisht mungesa e vetëdijes shoqërore se shtetasit i përkasin një grupi të caktuar, mungesa e vetëdijes se shteti i përket një grupi të caktuar dhe se është në shërbim të tij, si dhe përpjekja e jashtëzakonshme e parisë për të përhapur një moral shoqëror që iu shërben interesave të saj të ngushta oligarkike ,ka çuar në gjendjen mjerane të shoqërisë shqiptare. Këtë gjendje, autori e përshkruan bukur mirë, por nuk i shkon në rrënjë. Problemi është se, në vend që të krijonte një sistem kulturor hegjemonik, që ta mbante të gjithë shoqërinë bashkë dhe kështu të mundohej që të arrinte të ndërtonte një shoqëri moderne, kombëtare dhe demokratike, paria bëri të kundërtën. Paria ka punuar dhe punon që ta ndajë veten nga shoqëria edhe në nivelin moral, duke përdorur trashëgimninë morale të sistemit të kaluar, për ta mbajtur të gjithë shoqërinë peng. Kriza morale e shoqërisë shqiptare është e thellë dhe rruga ku po i çon shqiptarët paria e Tiranës, është rruga e shkatërrimit të sigurtë të shoqërisë. Paria nuk ka se si të ndrrojë rrugë, thjesht sepse çdo rrugë tjetër që mund të ndiqet, i bie ndesh interesave të saj të ngushta.
Rrugëzgjidhja nga kriza që po përkeqësohet progresivisht fillon edhe me kuptimin e drejtë të gjendjes ekzistuese si të pashpresë, pa të ardhme e jo të moralshme. Zgjidhja nis me nevojën e ringjalljes së moralit të duhur shoqëror. Zgjidhja duhet mbështetur në një mirëkuptim të drejtë të rolit të shtetit e të përkatësisë së tij. Mbi të gjitha, rrugëzgjidhja vjen me krijimin e përhapjen e vetëdijes se shqiptarët i përkasin një grupi të caktuar dhe se politika e politikanët duhet të jenë në shërbim të atij grupi. Atëherë e vetëm atëherë, në momentin kur ta shohin veten si pjestarë të një grupi të caktuar e ta duan dhe ta konsiderojnë shtetin e tyre si mbrojtës të interesave të kombit, do të ketë shpresë, të ardhme e një jetë më të mirë për shqiptarët, por edhe për pakicat që jetojnë me ta.

Sa gjate i bini o vlla.Kjo race keshtu ka qene gjithe jeten.Historia flet qarte,te fundit kemi qene, jemi dhe do te jemi.S’na e ka fajin asnjeri,as turku,as Zogu,Enveri,Sala,Tosi dreqi e shejtoni.Armiku i shqiptarit eshte shqiptari,mos e harroni kete,eshte konstatim i modh.
z.Shinasi eshte e para here qe behet nje analize profesionale e gjithe kesaj periudhe post diktatoriale.ju me shume te drejte keni zberthyer se si eshte paria dhe ne te njejten kohe dhe intelektualet qe keni shume te drejte se dhe ata qe mbahen per filozof apo individe te zot sjane gje tjeter vecse o me nje parti qe i sherbejne asaj ose jane ne opozite dhe e trajtojne problemin sipas interesave te paris.Megjithate kemi dhe analist qe kane punuar per zberthimin e e ideve reale te demokracise por niveli i pergjitheshem eshte i lidhur me buken e gojes dhe nuk te lene qe te mendosh gjate se si pjestare te nje grupi qe eeshte e lidhur me interesa te ngushta ashytu sic thashe me larte per buken e gojes(populli dhe fshataret ne mase} dhe parija qe shohin punen te thesi i tyre per ta mbushur deri ne gryke e pertej,nuk te lejon qe te krijosh kushte per te kerkuar llogari paris qe te veje interesin ne sherbim te ketij grupi.kame pershtypjen qe kjo gje nuk vjene me nje vite e shume vite ,koha do beje te veten ,por nuk munde te behen krahasime sali edi.me edin populli do e kete me te lehte per tu shprehur neser per premtimet qe ka bere,ndersa me saliun askujt nuk i shkone mendja ta beje sepse ai te fundos ose te ………Mirkuptimi i drejte midis shtetit dhe mendimit qe ai eshte ngritur per te mbrojtur interesat e popullit,me kohe do vije ,por sbehet gje he per he ne se lideri do punoj me perkushtim qe tengeli ne histori si nje drejtues shteti qe beri per popullindhe la gjurme .Amerika ka disa nga ishe presidentet qe kujtohen per nje pune te tyre ne sherbim te popullit amerikan.Duam apo sduam ,populli i Tiranes krenohet me punen qe ka bere e
Edi rama si kryetar bashkije ,mbase ne te ardhmen si kryeminister do beje per popullindhe te tjere mbase tije do jene te detyruar qe te thellojne vlerat e punes per popullin,qofshin te djathte apo te majte
ELAMI
Eshte hera e pare qe lexoj nje shkrim te Shinasi Rames, i cili ( shkrimi ) eshte teresisht kontradiktor, i paqarte dhe madje, edhe i pavertete. Pavertetesia e shkrimit ben qe ato qe ai thote ne shkrim te mos ndihmojne askend dhe, me e rendesishmja, te mos i ndihmojne daljes nga bataku ku jemi. Pergjigjja ndaj ketij shkrimi eshte e nevojshme, por kerkon angazhim kohor.
Megjithe konsideraten per Sh. Ramen,me duhet te them se eshte edhe ai i infektuar nga semundja e pergjithshme qe e shikon batakun e sotem moreal tek e kaluara. E verteta eshte krejt ndryshe. Edhe atje ku jeton Shinasiu, mund te flitet per shtet efektiv dhe serioz, por, per kurrfare morali. Madje, ai moral eshte transfuzuar ne shoqerine tone dhe ne kete shoqeri shfaqet me dukshem dhe agresiv per shkak te prapambetjes se shoqerise shqiptare dhe jo se nuk ekziston ne Perendim.
I nderuar Shenasi,duke qene dakord,plotesisht, me mendimin tuaj te njohur tashme per parine e Tiranes,kam pershtypjen se ne rastin e z.Fuga kemi te bejme me nje keqkuptim nga ana juaj.
Jam mese i bindur,se ajo c’ka shkruar z.Fuga nuk e justifikon imoralitetin kuterbues te aleances po kaq kuterbuese PS-LSI.
Gjithashtu, amoraliteti i politikes,nuk justifikon imoralitetin e saj,ashtu sic pragmatizmi amoral i aleances PS-LSI nuk justifikon imoralitetin ulerites te saj.
Sa u perket te tjerave,jam plotesisht dakord,sepse, jo vetem ne kete shkrim,por edhe ne te tjera ndjehet fuqishem revolta,neveria,percmimi i sinqerte ndaj kesaj klase politke( parise se Tiranes) qe dita-dites,me kembengulje,duket sikur rreket te na rendet vendi yne…
Shkrim i mire i Rames (edhe pse tejet i gjate) dhe ndoshta nje perpjekje per te hapur nje debat real e civil pas palo-intervistes qe ka dhene Fuga (filozofi i regjimit).
Shqoeria jone ka sot me tepr se kurre nevoje per te tilla debate “intelektuale” dhe nga kjo pikepamje e konsideroje si te turpshme e “cowardice” komentin/tweet te Muc Nanos per Shinasiun. Une nuk ndaj shume mendime me Shinasiun dhe jam totalisht kunder idese se tij per bojkot/ apo votes se bardhe ne fleten e votimit, por keto jane pikerisht ide/ceshtje qe ja vlen per tu debatuar ne menyre civile dhe adulte. Shinasiu ka shume te drejte ne zvetenimin dhe tkurrjen (mosekzistencen tashme) e mendimit intelektual e “filozofik”…. ne Shqiperi dhe katandisjen e shume prej gjoja intelektualeve ne propagandist e sherbetor (xhustifikator) te regjimeve. Formimi i nje klase te re “intelektuale” (e urrej kete shprehje idiote e mendjemadhe).. mendimtaresh te lire e mundesisht te ?? ndricuar e profesionistesh te afte eshte ajo qe cdo shoqeir ka mjeft nevoje per tu ri-ngritur. Kjo jo dhe aq per tu dhene mend njerezve e popullit te “ngrate” sesa me teper per te sherbyer ne nje fare menyre si koshienca dhe sensi etik e estetik i kesaj shoqerie
Bravo zotni Rama…me vjen mire qe me shume kompetence prekni problemet e medha te konstruktit te shoqnise shqiptare….lexova qasjen tuej,komentet,ku secili shprehet ashtu sic e sheh te arsyeshme,ndaj dhe perhere e ma teper me shtohet shpresa se me ju,kemi te bajme me nje pene te forte dhe pa kompromis me te keqen qe na ka pllakose….sa ma shume t’ia bajme qejfin vetes me situaten aktuale apo me keta hajdute karrikesh,aq ma shume ia zgjatim vetes vuajtjet dhe zhgenjimet….