Replikë me z. Zylyftar Hoxha

Dita

Ne që e kemi origjinën nga Dangëllia përdorim një shprehje “Kos majdanoz ngjan, ndërsa kos patëllxhan nuk ngjan”.
Z. Zylyftar Hoxha nuk e njoh personalisht. Lexova me vëmendje shkrimin e tij për Ali Sami Yen, “një emër i shquar që njihet pak nga shqiptarët”. E lexova me një frymë dhe falenderoj autorin që na sjell një fakt kaq interesant. Me zotërinë në fjalë nuk dua të polemizoj përsa shkruan ai për pinjollin frashëriot Ali Sami.
Unë do të përqendrohesha veç me kapitullin (hyrjen) e shkrimit, ku zotëria në fjalë, na i bën të pabesueshëm të gjithë shkrimin. Po citoj: “Mit’hat Frashëri, nip i Abdylit, Mehdi Frashëri, nipi tjetër i frashërllinjve Skënder Luarasi etj. Ndërsa një pjesë tjetër, pa zhurmë e bujë, pa u mburrur me bëmat e baballarëve vazhduan të qetë rrugën e tyre”.
Madje këtu ngeca unë! Në melazëm – do të thoshin tiranasit. Ç’hyn këtu si pykë i madhi Skënder Luarasi? Skënder Luarasi ka meritat e veta të pallogaritshme, plus që është djali i Petro Ninit Luarasi, mësuesi i parë i gjuhës shqipe.
Ngeca këtu, se këtu gabon autori. Për sqarim për respekt të lexuesit të gazetës “Dita” dua te sqaroj sa më poshtë:
Dinastia e Bejlerëve të Frashërit kishte vërtet lidhje me Luarasin. Por kushërinj të tyre kanë qenë dy bejlerë me emër e titull nga Porta e Lartë. Këta ishin Xhafer Bej Shkëmbi dhe Mehmet Bej Allteri, nga ka origjinën zonja e nderuar Irisi Haki Luarasi. Sa për origjinën time, që nuk dua të mburrem me fisin e madh Frashëri, ia vlen të sqaroj se katragjyshja ime, e quajtur Sulltana e që shkurt thirrej Tana, e martuar në familjen e madhe të frashërllinjve, pasi i vdiq burri që quhej Sherif, u kthye në Luaras me të vetmin djalë që quhej Halit, (mbante emrin e gjyshit). Emër ky që trashëgohet edhe sot në fisin tonë, e që e kemi pasur si mbiemër. Por, meqë gazeta nuk është garë për t’u mburrur, do t’i thosha autorit që të mos bëjë të tilla gafa. Ta lërë Skënderin edhe të birin e tij Petron që të kënaqen me meritat që kanë.
E falënderoj z. Zylyftar që shkruan për një pinjoll me emër të frashërjotëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *