Reportazh/ Mirë se na erdhët te Bota e Skënderbeut

redaktor

Ditët e fundit të Dhjetorit, pyeta gruan: Ç’do të bëjmë për Vitin e Ri? Prej saj mora këshillën: “Pyet xhepat, pastaj shohim e bëjmë”. I kam pyetur e s’tërpyetur, i thashë, por s’më janë përgjigjur. Mos ua merr për ters, më qortoi gruaja. Xhepat kanë hallet e veta. Janë grisur dhe andra s’po gjenden për t’i riqepur. Kaq u desh, unë burri dola me vrap jashtë, në rrugët plot me mbeturina, gruaja ndoshta priste e shpresonte.

Pas dy ditëve erdhi një telefonatë që nga përtej detit. Nga telefoni dëgjova ftesën: “Vitin e Ri do ta bëjmë bashkë, këtu në Palermo”. Telefonata qe e ngrohët, unë u shndërrova në akullnajë! Xhepat e grisur dhe mosha 78 vjeç bënë punën e vet. Miku italian foli shkurt: “Babush. Kur isha aty, në vendin tuaj, më pate thënë: Të kam mik të mirë, të dua shumë. Mos vallë, je shtirur? Sidoqoftë, sot a nesër, të vjen bileta. Do udhëtosh me Alitalia, edhe për të ardhur edhe për t’u kthyer. Rrugë të mbarë, mirupafshim”. Më 29 Dhjetor u ndamë me gruan: Ajo u nis tek djali në Greqi, unë tek çupa në Itali.

Paraqita biletën dhe pasaportën në Rinas. Një djalë sa i sjellshëm dhe aq i pashëm, më tha: “Xhaje. Të lutem ulu këtu, ja karroca! Formalitetet do t’i bëj unë, do të ul edhe në ndenjësen e aroplanit”. Kshtu ndodhi në Rinas, e njëjta gjë në Romë, pastaj edhe në Palermo.

Kush më priti

Karrocierja më çoi aty ku priten e përcillen njerëzit e afërm, unë i putha dorën, ajo më përshëndeti: “Arrivederci, Arrivederci”. Me mall e dhimbsuri shikoja kush kishte dalë për të më pritur. Disa minuta as pashë as më panë. Pastaj dëgjova zërin e një vogëlusheje 4 vjeçe në gjuhën shqip – “Gjyshi, gjyshi. Eja këndej. Po të pres këtu. Mirëse na erdhe në Palermo. Faleminderit”! Pashë Nikolën 4 vjeçare, dëgjova zërin e saj. Harrova se qeshë burrë. Lotët bënë punën e vet.

Mamaja shqiptare dhe babai italian qenë diku aty pranë. Panë gjyshin e përlotur, e përqafuan. Surpriza kam parë e përjetuar, por këtë rast nuk e harroj dot!

Në shtëpinë e mikut

Rruga për në qytet, (Palermo) qe e shkurtër. Shqiptarja dhe italiani donin të dinin a u lodh gjyshi, si e pritën e si e përcollën në Rinas, në Romë dhe këtu në Palermo. Por s’na linte të pyeteshim e përgjigjeshim Nikola 4 vjeçe. Qeshëm u shlodhëm deri sa arritëm në shtëpi. Aty pashë me sy e dëgjova me vesh të pabesuara: Në kuzhinë flamuri shqiptar! Në këtë flamur shkruhej shqip dhe italisht: “Dashuria është pa kufi. L’amore e senza fine”. Aty pranë edhe fotografinë e zonjës së shtëpisë, nuse italjane, çupë shqiptare! Pa prezencën e italianit pyeta shqiptaren: “Kur është vendosur këtu flamuri shqiptar? Këto ditë për të më pritur mua, apo…”. Prej Linditës mora përgjigjen: “Që ditën e parë, kur u futëm në shtëpinë e re. Fraçesko është njeri i mirë, tolerant. Ka respekt për Shqipërinë dhe shqiptarët. Katër vitet që punoi si pilot tek Nënë Tereza nuk i harron”. Ramë vonë në gjumë. Pjatat me gjellë dhe vera e Palermos bënë punën e vet.

Vizita që nuk harrohen

Në dy katedralet të ndërtuara nga dy vëllezër në garë me njëri tjetrin, në këto mrekulli, hyje brenda dhe nuk dilje dot jashtë. Në ishullin e grave! Legjendë apo ngjarje e vërtetë ende nuk dihet saktë. Për këtë ishull, më thanë dhe dëgjova vetëm kaq: Shumë vite më parë, ushtri të huaja, paskan hedhur në det 100 gra! Shtatë prej tyre paskan mundur të dalin në këtë ishull të pa banuar. Dhe, këto gra paskan qëndruar aty pesë vjet, duke u ushqyer me barishte, të pa veshura e të pambathura! Më pas qenkan gjetur prej njerëzve të tyre, të cilët i dinin të mbytura.

Në komunat e arbëreshëve

Kisha dëgjuar për 5 komunat e Arbëreshëve të Palermos, (Kuntisa, Pallasi, Muncifsi, Sendastina, Hora e Arbëreshëve) por nuk e dija sa patriotë dhe mikpritës ishin. Këtu po shkruaj fare pak mbresa: 200- 300 metra para se të hyje në komunat, do lexoje në një tabelë të madhe: “Mirse erdhët në botën e Skënderbeut”. Po aty ndodheshin të vizatuara bukur dhe në përmasa të mëdha kostumet tradicionale, që patën veshur rreth 500 vjet më parë. Brenda në komuna shikoje rrugë të gjëra e të pastra. Pemë, bar, lule, shtëpi dy-tri katesh. Në çdo ballkon flamuri shqiptar, dyqane të mbushur me mallra, restorante dhe kafe me masë, klient që flisnin aq sa dëgjoheshin në tavolinat e veta. Në njërën nga këto restorante drekuam. Duke u ndjerë si në Shqipëri, kërkova nga pronari i lokalit të mos pranonte të paguante miku im italian. Por, prej tij mora përgjigjen që s’e prisja: E paskeni hup traditën shqiptare. Juve sot jeni mik. Miku nuk paguan. Drekat e vakte të tjera i shtron i zoti i shtëpisë. Zot shtëpije jam unë. Mos më kurseni. Gjithçka janë të mijat. (Andrea por edhe të tjerë, të moshuar e të rinj flisnin shqip dhe italisht). Qëndruam aty rreth tri orë. U ndamë si miq e si vëllezër. Më është krijuar përshtypja: Ne shqiptarët, kur punojmë e banojmë jashtë vendit, shndërrohemi më të dhimbsur, më patriotë, më të edukuar…

Ditën e shtatë u ktheva këtu në Shqipëri. Gjysmën e shpirtit e lash tek Nikola engjëllore, tek prindërit e saj, në komunat arbëreshe.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *