Reportazh nga zyra e pensioneve

J L

Hamdi Jupe

U kujtova që po mbushja moshën e pensionit. Kisha shkuar sa e sa herë para zyrës te rruga “Myslim Shyri”, “kaluar” e më këmbë, kisha parë turma njerëzish aty, si dikur të dyqani i qumshtit, por isha krejt indiferent përsa shihja. “Punë pensionistësh”, mendoja dhe shtyhesha tutje. “S’më lidh gjë hë për hë me atë zyrë.” Por ja që erdhi koha të trokas edhe unë atje. Lëmshi i moshës po mblidhet dhe po mbush plot gjashtëdhjetë e pesë.

Kontrolloj dokumentet për punët që kam bërë gjatë 43 viteve, që nga mbarimi i shkollë së lartë dhe më del se jam në rregull me letrat. Ka kohë që kam menduar për to. Kam ndërruar nëntë vende pune, në tre rrethe të ndryshme. Ah, po, kisha harruar të marr një vërtetim që kam qenë 5 muaj ushtar në Përmet, kur mbarova shkollën e lartë, se edhe ato llogariten për pensionin dhe e marr edhe atë te Shkolla e Bashkuar.

Zyra e Sigurimeve Shoqërore te “Myslym Shyri”është e mbushur me njerëz. Në krye të saj, nja tetë vetë, burra e gra, punonjës të sigurimeve, të veshur me bluza të bardha, presin një e nga një para tavolinave kandidatët për pensionistë, duke kontrolluar dokumentacionin për vitet e punës. Në sallën me nja njëzetë karrige, rrinë ulur ata që presin. Shumë të tjerë si puna ime, në këmbë, se nuk ka vend ku të ulesh. Të gjithë mbajnë në duar nga një dosje ose qese plastike me dokumente. Atje mbajnë dyzetë a më shumë vite të punës së tyre nëpër fabrika, kantiere, shkolla, ara e zyra, në të gjithë Shqipërinë. Te ato letra mbajnë tani shpresat për të ardhmen, derisa të marrin frymë.

Ka edhe shumë të tjerë, që nuk kanë arritur të vijnë dot deri te pragu i kësaj zyre, se i ka këputur në mes të rrugës kosa e vdekjes së parakohshme. Midis tyre, edhe miq të mi, gazetarë me emër. Me ata që mbetën “jashtë derës”, mund të isha edhe unë. Të paktën dy here në jetë, desh më është mbyllur ajo derë. Dhe  atëherë… ky reportazh do të kishte mbetuar pa u shkruar. Por, iadola dhe arrita ta kapërcej këtë prag. Edhe unë kam dosjen e jetë sime nën sqetull.

Të gjithë ata që presin radhën, nuk ka nevojë t’i pyesësh për moshën: burrat gjashtëdhjetë e pesë, gratë gjashtëdhjetë e një çikë. Të tjerët nuk kanë punë këtu, do duken “te çerepi”,kur t’u vijë radha. Të gjithë burrat janë të thinjur, me përjashtim të atyre që u kanë rënë flokët dhe u shkëlqen tulla nga neonet e sallës. (Vetëbëj pjesë tetë parët) Gratë i kanë flokët të lyera me bojë dhe duken sikur po mundohen ta ruajnë ende “luk” –un e dikurshëm me anë të ngjyrave, por i tradhëtojnë rrudhëzat  që kanë zënë vend në mjekër e në gushë. Eh, dikur, kurfilluan punën dyzetë vite më parë, ishin ndryshe, nuk kishin nevojë për bojëra artificiale në flokë, as për rimel në faqe. Dikur! “U plake mike, u plake,/branë m’i heq ato çarape;/ U plake mik edhe tinë,/ mbete si kau në brinjë”.

Tek pres në këmbë radhën për te tavolina, kujtohem se kështu vijnë këtu, kur mbushin moshën të gjithë: ish – presidentë, ish – kryeministra, ish- ministra, ish – deputetë, ish – minatorë, ish – kooperativistë, ish – gjeneralë, ish – artistë, ish – sportistë, ish – analistë, ish – gazetarë, ish – shoferë, ish – magazinierë dhe ish – të tjerë. Të gjithë ish- ët, nga janë e nga s’janë, “falen” këtu një ditë, te kjo kishë/xhami, që e ka emrin Zyra e Sigurimeve Shoqërore. Edhe unë sot jam një ish. Vijmë të “rrëfehemi” para nëpunësve të ftohtë zyrës, edhe për një ditë të vetme pune që kemi bërë në jetë.

Ne që rrimë në këmbë (sa shumë kandidatë për pensionistë që jemi!) vështrojmë se mos lirohet ndonjë karrige. Një grua aty pranë më fton të ulem në vendin e saj, derisa t’i vijë radha, se “duhet të dal pak jashtë” – thotë. Njerëz jemi, edhe të moshuar, kemi halle. Përfitoj nga rasti dhe ulem, duke falenderuar. Një “fitore” e parë kjo e ditës së sotme në këtë zyrë.

Heshtje në sallë. Të pranishmit fillimisht nuk flasin me njeri – tjetrin. Ata janë të panjohur. Edhe të ndrojtur. Por duket se tekoka e cilido, është tensioni për atë se çfarë pensioni do të dalë nga vitet e punës që ka bërë në jetë. Tre të katërtat e tyre kanë ardhur në Tiranë gjatë viteve të tranzicionit. Ata kanë punuar në ndërmarrje dhe sektorë të ndryshëm, në rrethe të ndryshme. Pastaj, pasi kalon pak kohë, fillojnë e thyejnë akullin mes tyre. Sa vite pune ke ti? Po ja, kam nja dyzetë. Po ti? Unë kam tridhjetë e pesë. Mbeta pa punë ca kohë pas nëntëdhjetës, se u mbyll ndërmarrja, kështu që, i qava ato vite. Shëndeti, vëlla, shëndeti, mbi të gjitha. Atë thuaj. Po shëndeti do edhe parà.

Biseda zhvillohet në përgjithësi me zë të ulët. Por ja, në sallë hyn një burrë i gjatë, me trup paksa të kërrusur si kosë nga ato të jonxhës, me flokë të thinjura edhe ai. Pyet se kur do të bëhet rritja e pensionit. Askush nuk i përgjigjet. Ai pyet prapë, me zë më të lartë. Dikush nga tavolinat e punonjëzve përgjigjet se nuk ka rritje pensionesh tani. Si nuk ka, unë e kam lexuar në gazetë, ia pret tjetri. Po mirë, me që e ke lexuar në gazetë, shko kërkoje rritjen te gazeta pra, jo këtu. Ashtu thua ti? Mashtrues jeni të gjithë, edhe ju edhe ata të gazetave. O xhaxha, të lutem shumë tani, na ler të punojmë, se s’ta kemi terezinë, po na del tym nga koka. Kemi dokumente nëpër duar. Hë të keqen. Dil përjashta! I revoltuari shfryn edhe një herë mbarë e prapsh dhe del. Me sa duket, i ka rënë dielli në kokë. Dikush nga punonjësit thotë i nervozuar: Lexojnë gënjeshtra nëpër gazeta dhe vijnë pastaj e na zbrazen neve këtu.

Unë ul kokën aty ku ndodhem, se mos më njohin që jam i “rracës” së gazetarëve dhe më përvishen me ndonjë të sharë vendçe. “Ja, ju gazetarët na morët në qafë, me ato shkrimet tuaja!” Kali që kapet shin lëmin. E di se e kam parë edhe vetë: nëpër gazeta botohen lloj –  lloj mbroçkullash se do ketë rritje të pensioneve, se shtesa do të jetë kaq e aq, etj etj, shkrimetë papërgjegjshme, që çorientojnë njerëzit e vuajtur. Rritja e pensioneve bëhet vetëm me ligjin për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe s’ka tjetër. Por këta gazetarë nuk kanë provuar akoma të paguajnë një kontribut minimal në sigurimet shoqërore për veten e tyre, prandaj nuk e kanë për gjë të luajnë me ndjenjat e njerëzve.

Jo të gjithë ata që shkojnë te tavolinat e pritjes për të dorëzuar dokumentet, largohen të kënaqur prej andej. Disa ikin të trishtuar. Ja, kjo grua që u largua tani, ishte me një pamje të vrarë në fytyrën e rrudhur, gati në të qarë. Ndoshta nuk i kanë dalë mirë llogaritë e viteve të punës për pensionin. Ndoshta, pronari ia ka paguar sigurimet me rrogë minimale, ndërsa ajo ka patur rrogë tjetër. Ndoshta, pensioni që do marrë, nuk do t’i dalë as për bukë. Ndoshta nuk ka paguar minimumin prej pesëmbëdhjetë vitesh të sigurimeve dhe tani mbetet me gisht në gojë. Ndoshta nuk ka fëmijë këtu që t’i japin një dorë ndihme. Ka shumë “ndoshta” që ta vrasin shpirtin në këtë rast. Dhe ajo largohet me fytyrën e ngrysur sepse, “Një kokërr misër, asht një kokërr dhimbje, kur ka shumë u, e aspak misër”. Se legjenda e misrit vazhdon edhe në shekullin e internetit.Sa fate të trishta njerëzore, kryeqëzohen te kjo zyrë!

Nga tavolina e pritjes dikush thërret: Hajde radha, sipas numrave. Pra, paska numra këtu!? Kam dyzetë minuta duke pritur e nuk e dija këtë. Duket që jam bërë për pension. Dikush në krah më thotë se duhet marrë një numër te ajo makina atje te qoshi,në të majtë dhe unë ngrihem e marr. Vështroj në tabelë: kam edhe pesëdhjetë e katër vetë përpara, derisa të më vijë radha. Vendos të largohem. Boll prita sot. Do vij një ditë tjetër. Në fund të fundit, sot mësova hyrjen e zyrës dhe se duhet të marr numrin që tregon radhën, pastaj të ulem e të pres.

Një muaj më vonë, avitem prapë te zyra e pensioneve. Marr numrin dhe pres në radhë. Ndryshe nga hera tjetër, ka zhurmë të madhe në sallë. Atje, te njera nga tavolinat, në të majtë, ka pritje vetëm për minatorët. Edhe ata duan të dalin në pension. Janë nga të gjitha minierat e Shqipërisë: Valiasi, Bulqiza, Memaliaj,Guri i Kuq, Selenicaetj, që tani banojnë në Tiranë.

Janë mbledhur të gjithë në këmbë te tavolina përkatëse, pa mbajtur radhë. Flasin me zë të lartë, bërtasin, kërkojnë, pyesin: pse kështu? Ngrejnë zërin njëherësh: pse po na zvarrisni?  Duam të drejtën tonë etj? Ata janë mësuar për vite me zhurmën e motokompresorëve dhe të pistoletave të shpimit në galeritë e minierave, prandaj flasin me zë të lartë. Kam qenë një herësi gazetar nën tokë në Nivelin Tetë, të Zonës D të minierës së Bulqizës dhe e kam idenë se në çfarë kushtesh kanë punuar.  Ndoshta mendojnë si dikur, se janë “shtylla vertebrore” e shoqërisë. Nga zhurma që bëjnë, edhe salla pushtohet nga rrëmuja. Të gjithë fillojnë të flasin me zë të lartë, pa ndonjë arsye konkrete. Mulliri është lule, në krahasim me këtë zyrë. Dikush nga punonjësit thërret: “Qetësi more shokë, na lini të punojmë”, por më kot. Më dhimsen këta njerëz që punojnë çdo ditë këtu. Me këtë zhurmë dhe tension, jam i sigurtë që ata vetë,po të qëndrojnë gjatë këtu, nuk do ta arrijnë moshën e pensionit. Po çfarë të bësh?Për t’u qetësuar disi, hedh sytë te Libreza ime e punës që kam në dosje.

16 gusht 1976. Kjo është dita e parë e paraqitjes sime zyrtare në detyrë si mësues i gjuhës dhe i letërsisë në shkollën e bashkuar të Lishanittë Poshtër, të Luznisë së Epërme të rrethit të Dibrës. Ishin me mijëra specialistë me arsim të lartë, nga Tirana dhe rrethet e tjera të jugut, që punonin në zonat e veriut. I takoja pasditeve në qytetin e Peshkopisë. Më 1 shtator duhet të filloja punën si mësues për herë të parë. Por nuk ndodhi kështu. Isha pa dhomë gjumi në fshat dhe prandaj kisha fjetur në Turizmin e Peshkopisë për pesëmbëdhjetë ditë. Bëja katër orë rrugë vajtje – ardhje në ditë për në shkollë. Lekët që më kishte dhënë babai për t’u ushqyer dhe për të blerë takëmet e fjetjes, kishin firuar. Në xhepa kërcisnin tani vetëm disa monedha metalike. Kështu vendosa të braktis punën që ditën e parë dhe të shkoj të ankohem te Sekretari i Byrosë sëPartisë së Kooperativës.

Babë Myslimi, siç i thoshnin, më priti në zyrë, më uroi punë të mbarë dhe pyeti se ç’hall kisha. I thashë se kam filluar punën prej pesëmbëdhjetë ditësh, por nuk kam ku të fle. Nëse nuk më gjeni vend për fjetje, nesër kthehem në Sarandë, andej nga kam ardhur dhe përgjegjësinë për këtë do ta mbani ju, i thashë.

  • Kadalë, or mixhë,kadalë – tha Baba dhe filloitë shkruante diçka në një copë letër të vogël, sa një kartë cigareje. – Merre këtë letër dhe shko në Lishan të Poshtër.
  • Jam ngopur me copa letrash pesëmbëdhjetë ditë rresht, boll u tallët me mua – i thashë. – Tani dua dhomë gjumi.
  • Lexoje, lexoje letrën – tha ai.

Hodha sytë te pusulla: “Haxhi, t’i lirosh menjëherë zyrën tënde mësuesit nga Saranda. Myslim Koka”.

  • Kush është ky Haxhi? – pyeta.
  • Ky është Haxhi Lleshi – m’u përgjigj tjetri.
  • Ç’punë kam unë me Haxhi Lleshin? Ai është kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në Tiranë, unë jam mësues fshati këtu, në katund.
  • Oh, ç’më gjeti mua me këtë djalë!Kemi edhe ne një Haxhi Llesh tjetër këtu, që është përgjegjës sektori në fshatin ku ti do jesh mësues. Atij do t’ia dorëzosh letrën.

Shkova takova Haxhiun në zyrën e tij. Ishte një burrë i gjatë, rreth pesëdhjetë vjeç, pa mish në faqe, i heshtuar, baba i shtatë fëmijëve, siç mësova më vonë. Sapo lexoi letrën e Sekretarit, mori nja dy blloqe që kishte në tavolinë, më dorëzoi çelësin e zyrës dhe u largua. U habita se si u bë kështu kjo punë. Pas pak minutash më erdhën edhe rrobat e fjetjes, po nga kooperativa, të gjitha të reja e të hekurosura. Nuk po u besoja syve. Mbylla zyrën – dhomë dhe vrapova në shkollë, nja treqind metër më tutje, për t’i thënë drejtorit që jam gati për mësim.

  • Tani mbaroi mësimi, se ishte ditë e parë dhe orët u zhvilluan të shkurtuara. Por ti do vish me ne, se sot është ditë rrogash dhe ti do marrësh rrogën e parë.
  • Çfarë rroge më thua?Unë s’kam filluar punë akoma.
  • Ke filluar, ke filluar, që më gjashtëmbëdhjetë gusht- tha ai. – Jo vetëm rrogën. Do marrësh edhe transfertën, pra një gjysmë rroge mojure, se ti je mësues jabanxhi. E kështupra,do marrësh një rrogë të plotë sot.
  • Me gjithë mend e ke?
  • Po, po.

Shkuam morën paratë. Të gjitha pesëqindshshe të reja me ngjyrë të kuqe. Ishte rroga e parë në jetën time. Aq sa është sot në vlerë një rrogë mujore e një mësuesi të ri me shkollë të lartë. U ngroh xhepi, u ngroh shpirti. Babai nuk do ta merrte vesh që i kisha bërë “rrush e kumbulla” në Turizëm lekët e rrobave të fjetjes. Të nesërmen nuk do të kthehesha në Sarandë. Nuk kishte arsye, të paktën  hë për hë. Këto më kujtoi ajo data 16 gusht e vitit 1976, e regjistruar në fillim të librezës së punës. Plot dyzetetre vjet e një muaj më parë. Që nga ajo ditë fillon pagesa e sigurimeve shoqërore për pensionin që pres të marr tani.

Duket se më në fund,po më vjen radha. Ja, te ajo tavolina e mesitatje, prapa së cilës rri një grua rreth të pesëdhjetave, me një fyryrë simpatike, me flokë të zinj, pak më e shëndoshë se ç’duhet, ngaqë qëndronpa lëvizuar për tetë orë në karrige. Ka një buzëqeshje të ëmbël në fytyrë, që e kam vënë re edhe më parë, pra nuk është posaçërisht për mua ajo buzëqeshje, por “e përmban vendi i punës” atje. Me të ajo duket sikur u thotë të moshuarve: “Ja, unë buzëqeshjen kam në dorëdhe atë po jua jam pa kursim, falas. Për të tjerat, duhen letrat një e nga një.” Dhe unë atë bëj: I vë mbi tavolinë dokumentet e mia. Ajo fillon të lexojë me një theks verior:

  • Ou, po t’i paske punue në Dibër a!
  • Po, katërmbëdhjetë vjet.
  • O, po ti qenke ai gazetari!
  • Paske qenë edhe deputet.
  • Edhe je nga Saranda.
  • T’i kam lexue do shkrime tuejat në gazetë, t’i kam lexue.
  • Me gjithë mend? Mos ke lexuar gjë ato ku kam sharë qeverinë!
  • Edhe prej atyne kam lexue. – Ajo vazhdon të kontrollojë letrat e mia:
  • Edhe pasqyrat e rrogave mujore qysh prej vitit 1994 i ke në rregull. Më duket se ka me të dalë pension i mirë ty, besa.
  • Ishallah!

Gruaja ngre sytë nga letrat e  mia.

  • Edhe unë jam dibrane – thotë dhe buzëqesh prapë. – Zare e kam emrin. Si, more, paske punue në Dibër katërmbëdhjetë vjet e s’jena njoft? – Kujtohem që kjo Zarja duhet të ketë qenë nja pesë a gjashtë vjeç, pra në kopështin e fëmijëve, kur fillova punë atje. Tani kjo po më nxjerr në pension. Kështu është jeta. Edhe këtu nuk m’u ndanë dibranët. Më vjen mirë që ajo sot është në këtë zyrë. Këmbejmë disa fjalë për Dibrën dhe dibranët. Kam mbresa të mira prej atje. Zarja pastaj kontrollon edhe një herë tjetër letrat.
  • Dosja është në rregull – thotë dhe më vë përpara disa formularë e deklarata që i firmos, pa i lexuar fare. – Tani ajo do shkojë në Dibër për të bërë verifikimet.
  • Prapë në Dibër unë? Nuk mjaftuan katërmbëdhjetë vjet atje? – pyes ihabitur.
  • Jo ti, jo, dosja. – thotë Zarja. – Edhe duku pas ndonjë muaji të marrësh përgjigje. Edhe mos haro: Herën tjetër të biesh me vete edhe librezën e dritave, me dritat e pagueme. Ndryshe, nuk ka pension –Ajo buzëqesh prapë.
  • Po unë ipaguaj rregullisht dritat! – i them. Qesh edhe ngjesh Zarja.
  • E di, e di, po duhet dokumenti këtu, në dosje. – Rri edhe pak atje. E pyes gruan:
  • – Zare, si ia bëni me gjithë këtë zhurmë e potere përditë këtu?
  • Ç’a me ba? Duhet me punue. E gradojmë në zero dhe vazhdojmë punën.

Largohen i lumtur që mbarova punë, duke e lenë zyrën përsëri plot me njerëz. Zhurma e rrugës “Myslim Shyri” më duket si muzikë sinfonike, krahasuar me atë të zyrës së pensioneve. Do vij edhe një herë pas një muaji të sjell libresën e dritave dhe të shikoj se çfarë “fati” më ka dalë. Pastaj nuk do vij më, nuk kam më punë atje. Të tjerë do të vijnë varg e varg, pa mbarim. Sa shumë pensionistë ka Shqipëria: gati shtatëqind mijë. Njëri prej tyre tani jam edhe unë. Do ta hamë pensionin sa të mundemi. E di se skema e pensioneve mezi mbahet në këmbë. Ajo  ingjan trupit të drobitur të një pensionisti. Por nuk jemi vetëm ne kështu. Zoti na ndihmoftë.

Kur të mos jem më në këtë botë, dikush tjetër nga të mitë do vijë këtu e do thotë: “Hiqeni nga lista atë emër, se nuk është më”. “Këtu s’do jem, do jem larguar…,” do kem mbërritur në parajsë.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *