Nga Zenepe Luka
Kryetari i bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli dhe një përfaqësi e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, i përbërë nga Tinka Kurti Nderi i Kombit, Makbule Çeço, Vllasova Musta, etj., udhëtuam drejt Tetovës me qëllimin e vetëm, për të nderuar aktin e djaloshit 24 vjeçar Benjamin Ferati nga fshati Kamjan i Tetovës, që humbi jetën, për të shpëtuar dy vajza në detin e trazuar të Zvërnecit më 15 korrik.
Medalje ari për Benjaminin
Akti i djaloshit , që humbi jetën më 15 korrik në detin e trazuar në Zvërnec, për të shpëtuar dy vajza që u rrezikuan, ka ngjallur dy ndjenja të fuqishme njëherësh edhe tek anëtaret e Fondacionit Mbarëkombëtar Nermin Vlora Falaschi” në Shqipëri, rajon dhe shtete të Europës. Atë të dhimbjes, që ndërpreu jetën në lule të rinisë ,por edhe krenarinë për të riun hero, që dha jetën për të shpëtuar jetë njerëzore.
Peticioni i nënshkruar nga 5000 intelektuale të shquara,, me objekt për t’i akorduar Medaljen e artë të riut Benjamin Ferati, përcaktoi edhe një përfaqësi të këtij Fondacioni.
Më parë u ndërtua një program në bashkëpunim me Komunën e Tetovës me kryetare zonjën Teuta Arifi.
Dhimbje dhe krenari në Tetovën shqiptare.
Në qytetin e Tetovës, ku 85 përqind është e banuar nga shqiptarë, në lokale e kudo tirrej biseda,që kish në epiqendër aktin e të riut Benjamin Ferati. Ai vlerësohet si heroi më i ri, që do të frymëzojë shqiptarinë.
Takimi i parë ishte me kryetaren e Komunës zonjën Teuta Arifi, një grua e shquar, që admirohet nga shqiptarët e Maqedonisë, por jo vetëm. Më parë ajo ka qenë zv.Kryeministre në qeverinë maqedonase dhe tashmë është në përfundim të mandatit. Ajo është edhe zv. Kryetare e Partisë së BDI-së dhe gruaja më me influencë, jo vetëm tek shqiptarët në Maqedoni.
Në bashkëbisedimin në zyrën e saj, ajo vlerësoi veprimin e kryetarit të bashkisë së Vlorës z.Dritan Leli dhe të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, për të vlerësuar aktin e të riut Benjamin Feratit, djaloshit 24 vjeçar nga fshati Kamjan i Komunës së Bogovinës, i cili sakrifikoi veten e tij për të shpëtuar dy vajza në detin e trazuar në Zvërnec në Vlorë, që tashmë është shndërruar në një pishtar frymëzimi për rininë e mbarë shqiptarinë.
Arifi u ndal edhe tek situata politike në Maqedoni dhe përpjekjet e partive politike shqiptare, që me formimin e qeverisë së re, do të materializohet Marrëveshja e Ohrit, që ka në themel të drejtat e shqiptarëve.
Gjatë këtij bashkëbisedimi zonjës Arifi iu dorëzua edhe libri “Testamenti i Grave për Gratë”, në faqet e të cilit ku zë vend edhe gruaja e shquar shqiptare në Maqedoni. Më pas organizohet një konferencë shtypi, për të sensibilizuar aktin e të riut Tetova, për të bërë të njohur qytetarëve se Vlora ka ardhur për të nderuar e vlerësuar Benjamin Feratin, që me aktin e tij, përjetësohet nderi i shqiptarisë.
Në shtëpinë e Benjaminit
Pak km larg Tetovës ishte fshati Kamjan, atje ku ndodhet shtëpia e Fadil Feratit, që na prêt për kafe. Të gjithëve ne, që udhëtonim për atje, na u duk e gjatë , pa mbarim. Në çastin e mbërritjes atje, ishte e pamundur të përmbaje lotët. Një varg i gjatë njerëzish, që kanë në krye të zotin e shtëpisë, na shtrëngojnë duart në heshtje.
Pavarësisht nga dhimbja, në hyrje të shtëpisë është shtruar enkas një tavolinë e gjatë, për të uruar mirëseardhjen e mysafirëve nga Vlora. Në grumbullin e të afërmve të djaloshit, diktohet lehtë nëna e Benjaminit, jo vetëm pse i ngjan aq shumë të birit, por edhe pse rënkimet dhe lotët , që nuk iu ndanë gjatë gjithë kohës, e dallonin lehtë, që ajo ishte nëna..
Bisedën e çeli zonja Teuta Arifi, e cila pasi ka ngushëlluar familjarët, ka prezantuar kryetarin e bashkisë së Vlorës Dritan Leli dhe delegacionin e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që kanë ardhur për të nderuar e vlerësuar aktin e djalit tuaj, që tashmë është bërë pishtar frymëzimi. Më pas e ka marrë fjalën kryetari i bashkisë së Vlorës.
Dritan Leli:
“Për mua është nder , që të ndodhem këtu pranë sentimentit njerëzor të lidhur me territorin, aty ku ku djali juaj u rrit, u edukua dhe në fund e mbylli jetën larg nga këtu, në brigjet e Vlorës.Me besoni , për mua është një moment shumë prekës dhe në reflektimin e ndërgjegjes njerëzore dhe të humanizmit dhe të vlerësimit për ata që nuk janë, e ndjeva si detyrë të veçantë ,që sot të jem përballë qytetarëve të këtij vendi, përballë familjes së Benjaminit, për t’i dhënë titullin e mirënjohjes së qytetit të Vlorës me motivacionin, që ky djalë dha jetën në lulen e rinisë për të shpëtuar jetët e dy vajzave. Për Vlorën dhe për shqiptarinë, ky akt i vetëmohimit, do të mbetet një akt frymëzimi.
Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”:
Fondacioni ynë, ku aderon gruaja e shquar shqiptare mbarëkombëtare, e ndjeu për detyrë të vinte në Tetovë, në gjirin e familjes së Benjaminit, të ngushëllonte dhe të vlerësonte aktin e djalit, që është bërë Heroi i ditës. Ne ndjemë thellë në shpirt edhe dhimbjen, pse jemi nëna,gjyshe, por edhe krenarinë për aktin e 24 vjeçarit, që e mbylli jetën pa e nisur ende,për të shpëtuar dy jetë njerëzore, që kërkonin ndihmë.
Fadil Ferati
Dhimbja jonë është shumë e madhe për humbjen e djalit tonë, Benjaminit,por sot ndjejmë gëzim, që keni ardhur këtu, për të ndarë dhimbjen dhe vlerësuar Benjaminin.
“Historia gjithmonë ka treguar, se ne kemi djem trima, jemi vëllezër të një gjaku dhe ka nxjerrë njerëz të mëdhenj, heronj, që janë në themel të Kombit.Im bir, bëri aktin ,që duhet ta bëjë çdo qytetar patriot, human, që i dhimbset jeta e tjetrit, si e tija.Ardhja e Vlorës këtu, vlerësimi që I bëni djalit tonë, na ngushëllon dhe jep krenari.Ju jemi mirënjohës.
Nëna e Benjaminit
Ajo ka folur pak, më shumë është shprehur me lot dhimbjeje dhe dhe rënkime shpirti.Por pas një përqafimi, ajo më vë dorën tek zemra e saj dhe thotë: “Më iku drita e syrit.Na mbetet pengu, që nuk e pamë dhëndër. Erdhi në Vlorë me të fejuarën dhe në vjeshtë do të bënim ceremoninë, por dashuria e tij për vajzën që donte, për jetën, u shua në valët e detit në Zvërnec të Vlorës.
U gëzuam, që Vlora sot ishte këtu dhe që djali ynë, u bë biri i mijëra familjeve shqiptare, që na telefonojnë e përgëzojnë për aktin që ai bëri.Ia kam bërë hallall gjirin, por më la pas dhimbjen, pengjet, që nuk mbyllen deri sat ë mbyll sytë.
Kthimi
Ishim të lehtësuara disi, pas largimit nga shtëpia e Fadil Feratit, pasi kryem një mission të vështirë.Me kërkesën tonë, kryetarja e Komunës zonja Teuta Arifi, na krijoi mundësinë, për të bërë një takim me gra intelektuale të Tetovës. Në përfundim, u formua edhe dega e Fondacionit “Nermin Vlora” për Tetovën, ku kryetare u zgjodh zonja Miqerem Rizai, drejtore e gjimnazit “7 Marsi” në Tetovë.
Po kështu, delegacioni i Fondacionit ndoqi në Kompleksin Arabati Baba Teqe, koncertin përmbyllës të Manifestimit “Vera e Kulturës Tetovare”.
Pas largimit nga Tetova, morëm rrugën drejt Voskopojës, ku Fondacioni organizoi një veprimtari në vendlindjen e aktores Violeta Manushi, në ditën e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta.

Faleminderit VELLEZER per solidaritetin,kudondodhur!
Ju faleminderit bijte dhe bijat e Vlores VLORE me te tera,per ate nderim bere herroit me te Ri shqiptar,dhene jeten ne shpetim te dy femijeve Vlonjate, ne kulmin e gezimit ti;krijimin e families es re,ne Vlore shkuar per pushime;i ndieri djale Tetovar BeniaminFerati nga fshati Kamjan i Tetoves.Falenderime dhe drejtuesve te Bashkise Vlores me ne krye Dritan Leli,per nderimin bere me titullin te larte akorduar.Faleminderit penes te te mires gazetar evprimtare Zenepe Luka,per sa na perciell.
I perjetshem kujtimi i djalt Beniamin ferati, si vertet SHQIPTAR Kosovar dhene jeten.
Ne Toronto me dhimbie e mesojme kete ndodhi te dhimbeshme,teksa festonim ne nje aktivitet te shoqates “shqiptaro kanadeze me ne krye z.Ramazan Kellezi, me ne krah veteranet:ish Kryetare Rukik Kondaj dhe Arta Fafaj,me te rinj e te reja mare stafeten.Mes tyre i mikrenjohuri Alban Minepeza me koleget e e koleget e tij sponsorizues.
. Faleminderit vellezer shqiptare te kudo ndodhur,per solidaritetin manifestuar.Suksese ne VIJIMESI.
Veterani 82 vjecar, mes jush jeton
Guri Naimit D. .