REQUIEM PËR SHKRIMTARIN SIRI SULEJMANI

anazapta

Më 3 korrik u nda nga jeta, në moshën 77-vjeçare shkrimtari Siri Sulejmani. Ai, për shkaqe, që le t’ia lëmë kohëve të shkuara, u detyrua ta kalonte jetën e tij kantjereve të ndërtimeve sipër makinerive të rënda, në drejtimin e manovrimin e të cilave ishte një mjeshtër i kategorisë së lartë. Por thirrja e brendshme shpirtërore e vërtetë e tij ishte talenti i shkrimtarit.

Ai ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Shkroi e botoi mbi dymbëdhjetë libra me tregime e novela. Shkroi me qindra artikuj publicistikë në shtypin e atëhershëm si korespondent i jashtëm i “Zërit të Popullit”, por më shumë në shtypin pas diktaturës, dhe një mori shkrimesh satirike e humoristike, në përbërje të kolegjumit të revistës së njohur “Hosteni”. Në të gjithë veprimtarinë letrare të Siriut janë pasqyruar me një vërtetësi të rrallë karakteret e njerëzve, jeta e gjallë, hallet dhe problemet që ngrinte jeta dhe puna përpara tyre, probleme të cilat Siriu i shtronte për zgjidhje përpara shoqërisë ku jetoi. Heronjtë e tregimeve të tij ishin punëtorët që luftonin me vështirësitë e jetës, dhe që, nën penën e mprehur hollë të Siriut, bënin luftë të papajtueshme edhe kundër mentalitetit diktatorial, kundër njerëzve të korruptuar të atij dhe të këtij sistemi. Në letërsinë e Siriut nuk ka stërhollime të zgjatura stilistike, por ama ka përplot metafora dhe alegori që ia diktonte jeta e gjallë e kantiereve dhe për të cilat autoritetet, ashtu si edhe redaktorët, i kishin bërë shumë herë vërejtje, madje ia kishin hequr edhe nga botimi. I tillë është avokati te tregimi “Një ndodhi në kafe Kursal”, gjenerali tek tregimi “Pardesyja”, “Për një gotë ujë”, “Bodigardi”, vetëm sa për të cekur ndonjë. Për ta përmbyllur këtë pjesë të rëndësishme të jetës së Siriut po sjell vetëm një pasazh nga vlerësimi që një kritik i njohur letrar i bën krijimtarisë së tij. Ai shkruan:“… moria e skicave me temë nga jeta e përditshme të shkrimtarit Siri Sulejmani, vazhdojnë të faktojnë se kjo penë ende mbetet dhe është një nga majat e prozës shqiptare. Ata, pra bashkë me tërë krijimtarinë e këtij autori në vite, mbesin, me plot kuptimin e fjalës, mendimi letrar që u duhet kohërave”.

Siriu, në shkrimet e tij, si publicistike edhe letrare, shpesh e tejkalonte kohën në të cilën jetonte teksa kërkonte ndryshimin e disa normave tabu, të cilat janë bërë barrë për njerëzit, por që, për shkak të opinionit, janë të dëtyruar t’u përmbahen. Kështu ai i ka bërë thirrje politikës të ndërmarrë një nismë ligjore për vendosjen e eutanazisë në rastet ekstreme dhe kërkonte që, po ta lypte nevoja, të aplikohej së pari tek ai vetë. Në tregimin e tij, ndër më të mirët që ka shkruar, me titull “Amaneti”, ka dënuar si të papranueshme për kohën që jetojmë faktin e shtrimit të drekave e të darkave pas varrimit e në ditë të tjera më vonë, pasi, siç vërtetonte me të drejtë ai, ato mjete financiare që harxhohen në të tilla ceremoni absurde, mund të shfrytëzohen për një punë më të rëndësishme. Po kështu dënonte dhënien e parave gjatë qokave në shtëpinë e atij që largohet nga jeta, si një veprim i padenjë, në radhë të parë për ata që i pranojnë.

Ai ishte orator i lindur që, me fjalën e mençur dhe me argumente të forta bëhej i besueshëm dhe i vlerësuar. Ai pati disa raste në jetë që iu desh të fliste përpara shumë auditorëve të zgjedhur për nga vitet e shkollës së tyre, por jo për nga forca e intelektit dhe e argumentit të Siriut. Njerëzit në sallë e dëgjonin duke mbajtur frymën dhe e duartrokisnin në mënyrë krejt spontane fjalimin e tij të pashkruar.

Për shkak të këtyre dhuntive të tij, por edhe duke njohur luftën e madhe, herë të heshtur dhe herë me zë të lartë që ai kishte bërë kundër diktaturës, pra duke njohur pikpamjet e tij antikomuniste, disa parti që u krijuan, e thirrën të bënte pjesë në radhët e tyre. Ai shkoi në to, por kur vuri re se synimet e atyre nuk përputheshin me konceptet e tij për politikën në të mirë të shqiptarëve, ai, me atë kryeneçësinë pozitive që e karakterizonte, u largua prej tyre.

Siriu, me largimin e tij nga jeta, la një zbrazëti në  familjen e tij së cilës i ishte përkushtuar me gjithë aftësitë e tij, la zbrazëti ndër shokët që e njohën dhe e deshën, por zbrazëtinë më të madhe e la në letërsinë e mirëfilltë dokumentare. Ai për modesti, nuk deshi të shkruante romanin e gjatë dhe tejet të ndërlikuar të jetës së tij të gjatë e plot peripeci, por sikur ta kishte shkruar, ajo do të radhitej denjësisht krahas “Universitetet-eve të mia” të Maksim Gorkit, ose “Martin Iden-it” të Xhek Londonit. Megjithatë, Siriu do të kujtohet gjatë, shumë gjatë, për sa kohë do të jetojnë njerëzit që do të lexojnë librat e tij, për sa kohë do të jetojnë fëmijët e tij të mrekullueshëm dhe të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Prandaj, duke i dhënë fizikisht lamtumirën e fundit, dua të shpreh edhe një herë bindjen e patundur se kujtimi i tij do të na shoqërojë ngado që të shkojmë.

Këto fjalë zemre dua t’i mbyll me shprehjet që Siriu i përmendte shpesh: Duaje njeriun sa është gjallë, shpërfille vdekjen, jeta vazhdon.

 

*SHËNIM I KRYEREDAKTORIT:  Siri Sulejmani ishte një nga lexuesit që e kontaktonte thuajse përditë redaksinë e DITA-s. Shënimet e tij shfaqeshin shpesh në rubrikën tonë të lexuesve. Stafi i bashkohet dhimbjes së familjarëve dhe miqve dhe u shpreh atyre ngushëllimet më të sinqerta.

Share This Article
6 Comments
  • Wow, wow sapo e mora vesh kete lajm te hidhur, me tronditi, Oh zot nuk ka shume kohe qe komentonte ne poezite dhe shkrimet e mija per cdo gje qe une botoja ne shtypin shqiptar dhe ne rrjetin social Facebook. Biles ndonjehere kujtonte se une nuk i kisha pare e m’i conte komentet ne inbox! Wow nuk gjej fjale te shpreh kete “shok” qe me la ky lajm! U prefsh ne Paqe, miku im i mrekullueshem! Te qofte Dheu i Lehte, koleg i virtytshem! I perjetshem kujtimi dhe vepra tuaj drita e tyre qe le pas! Letrat Shqipe humben shkrimtarin energjik, te talentuar dhe dinjitoz! Ngushellime familjes e gjithe te dashurve! Me respekt, dhimbje e nderim, perzemersisht Raimonda Moisiu & Familja, Hartford CT USA

  • Paç kujtimin e te gjitheve njeriu i mire dhe aq i dobishem per te gjithw, Siri Sulejmani.
    Humori yt, qendrimi burreror ndaj se keqes, fisnikeria ne shoqeri, paste fat te percillet dhe mbijetoje tek familja, tek te dashurit dhe pasardhesit.
    Myzeqeja

  • Nie humbje e madhe e letersise se guximshme shqipe. Na vjen keq qe vdekjen e Siriut e mesojme me vonese prej gazetes, shkrimit te mikut te tij dhe tonit Guri Shytit, duke mos na u dhene mundesia te merrnim pjese ne percjelljen e tij per ne boten e perjetshme. Shprehim dhimbjen tone te madhe per humbjen e ketij shkrimtari dhe shoku te mire, duke i shprehur ngushellimet familjes se tij dhe miqve e te afermve te tij

  • Nderim per Jeten dhe per letrat e Siriut tone te dashur. I provoi te gjitha ne jete, stermundimin, sakrificat, transferimet neper kantiere, mosvleresimin e punes se tij te papertuar, derisa pena e tij e ndriçuar i beri njerzit te reflektonin e te shohin shpirtin intelektual, zemren e gjere, miresine e thjeshtesine e tij karakteristike. I paharruar, o Njeri i mrekullueshem!

  • Nderim per S.Sulejmanin , tregimet e te cilit i lexoja ne rinine time ; po keshtu e lexoja me respekt kur shkruante ne faqet e SHEKULLI-t apo DITA-s. I lehte dheu dhe perhere i nderuar emri i tij !

  • nderim per penen e fuqishme te Siri Sulejmanit. Ai ishte si Jezusi,qe ndonese u gozhdua,por nuk u perkul dhe shkroi vepra te pelqyeshme nga lexuesit e shumte.Flm redaksine e gazetes Dita, e cila e perkrahu dhe publicistiken e tij e vleresoj ashtu sic duhej.
    I perjeteshme vepra dhe kujtimi i tij !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *