Ai quhet ndryshe djali i kapeleve të arta. Është kuzhinieri më i mirë në Greqi dhe punon shef në një nga restorantet më me emër në Athinë. Fama e tij ka shkuar deri në Amerikë, ku edhe gazeta njujorkeze ka shkruar për të. Është folur disa herë për Renato Mekollin, por sot kemi mundësinë ta kemi në një intervistë për “Ditën”, një rrëfim si shef, duke na sjellë aromën e gatimit të vjeshtës. Kemi folur me Renaton dhe për gjendjen e restoranteve në vendin tonë. Ai ka disa kritika në këtë pikë duke na thënë që në Shqipëri ka një luks pa logjikë.
Renato, ndryshojnë recetat e gatimit me stinën?
Po, sigurisht që po, tani për shembull unë jam në fazën që po ndryshoj menynë e restorantit, provoj shije të reja, ide, që të jetë gjithçka ndryshe dhe afër stinës.
Cilat janë gatimet e përshtatshme për vjeshtën?
Renato Mekolli
Vjeshta është afër dimrit dhe pak më larg verës. Sigurisht peshku, perimet dhe frutat e vjeshtës nuk duhet të mungojnë në menynë jonë. Të preferojmë sa më shumë ato gjëra që ka stina dhe jo perimet e verës në dimër apo frutat e dimrit në verë, çdo gjë me stinë.
Ju njiheni si “djali i kapeleve të arta”, por sa i artë është profesioni i kuzhinierit dhe i shefit të kuzhinës ?
Unë gatimin preferoj që ta them se është një art , një art më vete. Profesioni i një shefi kuzhine është vërtet fitimprurës. Paguhemi shumë mirë, sidomos ata shefa që janë jashtë Shqipërisë dhe drejtojnë restorante me emër. Gatimi ka një vend shumë të rëndësishëm në shumë vende të botës, është art. Shumë njerëz udhëtojnë vetëm e vetëm për të ngrënë në një restorant, i cili ka emër ose që është në listën e restoranteve më të mira në botë. Kjo kulturë mungon në Shqipëri.
Ju shpesh krijoni recetat tuaja, cila është më e fundit e bërë nga ju?
Jo shpesh, gjithmonë, pasi në restorantin që unë drejtoj si shef ekzekutiv, çdo gjë është e bërë me dorë , që nga buka, makaronat , akulloret, ëmbëlsirat dhe çdo gjë e freskët që të shijojnë klientët çdo ditë më të mirën. Për momentin jam duke eksperimentuar, duke shijuar, duke provuar deri sa të dalë ajo pjatë që dua unë.
Gatimi për ju është me frymëzim apo është punë mekanike?
Gatimi për mua është frymëzim, mund të shikoj diçka shumë të thjeshtë dhe ta shndërroj në një pjatë vërtet magjike, por unë provoj shumë, gjithçka dhe dua më të mirën për klientët e mi.
Ju ishit këtë verë në Shqipëri dhe dashje pa dashje bëtë një inspektim në lokalet e vendit, na tregoni pak, çfarë vutë re ?
Po, ajo që vura re është se ka një luks, që nuk ka logjikë, nëpër gota, pjata, pirunë, veshje kamerierësh, ndriçim e shumë akoma, përveçse asaj më kryesores: gatimit. Nuk mund ta imagjinoj një restorant pa gatim të mirë, menytë janë të ngatërruara, gjithçka në një meny, pa kuptim. Një restorant i mirë , do një biznesmen serioz, një shef i cili ka udhëtuar, që ka provuar dhe që e ka ëndërr këtë gjë. Sigurisht, një shef paguhet shtrenjtë, por jo pa arsye. Biznesmeni me shefin duhet të jenë shumë të lidhur bashkë, të flasin, të interesohen për klientët, për të mirën e klientit se mbi të gjitha klienti ka gjithmonë të drejtë.
Çfarë nuk shkon në shërbimin dhe gatimin e restoranteve në këtë vend?
Restoranti duhet të ketë pasaportë. Të di unë që vij nga jashtë apo edhe ata që janë këtu se ku do hanë dhe çfarë do hanë.
Si rregullohet kjo gjendje që thoni ju?
Duhet të ketë një guidë për restorante, të paktën për Tiranën ka, po nuk janë mjaftueshëm. Duhet të ketë një revistë serioze ose gazetar dhe të kritikojë restorantet që klienti të dijë në këtë mënyrë kur të lexojë kritikën e atij që e shkruan që sigurisht duhet të jetë një njeri i punës, që e di mirë nga gatimi, jo një gazetar do kudo, por duhet sigurisht që gazetari dhe revista apo gazeta të bëjë mirë punën e sajë dhe jo “ky restorant është i filanit e të shkruajmë mirë”. Kjo gjë mungon shumë këtu në Tiranë, që jashtë nuk ka revistë apo gazetë mos të ketë një kritikues gatimi. Kjo gjë do ndihmojë të gjithë restorantet që interesohen për të mirën e klientëve të ecin përpara dhe jo vetëm restorantet që do ecin përpara, por edhe shefat, po edhe gastronomia në Shqipëri, që është vërtet për të ardhur keq. Kemi një klimë fantastike, kemi gjithçka në këtë vend që çdo vend tjetër në botë do e kishte zili. Ne rrimë dhe merremi me kuzhinën tradicionale shqiptare, thua ti sikur nuk paska fantazi ky vend, merremi me kuzhinën italiane dhe atë greke, e në përgjithësi me të tjerët dhe jo me eksperimentimet e kuzhinës moderne shqiptare.
Jeta juaj në pak vite mori këtë rrjedhë. Ju sot jeni një shef i famshëm kuzhine, kur ktheni kokën pas, çfarë mendoni?
Mund të jem i famshëm për atë që bëj, por nuk lejoj veten që ta preki kjo gjë. Shijoji çdo ditë momentet e bukura që më jep dita, nuk harroj kurrë që kam lindur në një vend të vogël që quhet Shqipëri, ku luaja zbathur në lagje me shokët e mi, që ishim të gjithë të dashur me njëri-tjetrin. Mendoj që kemi kaluar vite të vështira dhe këto vite të vështira unë nuk dua që t’i fshij nga memoria ime , se këto gjëra më kanë sjellë këtu ku jam tani. Të jem po ai Renato i thjeshtë, i qeshur dhe të ndihmoj sa herë më jepet rasti kolegë shqiptarë në Greqi, pasi ata krenohen me mua në Greqi për arritjet e mia. Nuk e kam mohuar kurrë këtë vend dhe nuk e kam menduar kurrë që ta mohoj. Këta jemi ne, ka dhe të mira, ka dhe të këqija si kudo në botë. Kush të do dhe do shoqërinë tënde, do të të pranojë ashtu siç je dhe nga je.
Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur?
Mmm… Vështirësitë që kam hasur kanë qenë në fillim të karrierës time, kur sapo fillova të merrja përsipër restorante në Greqi. Në fillim kritikuesit e gastronomisë nuk shkruanin që unë isha shqiptar, pasi edhe biznesmenët edhe gazetaret e gastronomisë mendonin dhe kishin dyshime se mund të kumbisnin klientelën e tyre, sado që kritikat ishin shumë të mira. Ata shkruanin ose thjesht emrin ose se jam italian, nga Spanja apo Franca, përveçse Shqipërisë. Por unë mbylla kontratën me restorantin më historik të Athinës dhe që vazhdoj të jem për të katërtin vit nën drejtimin e kuzhinës. Gjëja e parë që kërkova para rrogës ishte që në momentin që do dërgohej në media se shefi Renato Mekolli do jetë drejtuesi i kuzhinës, duhet thënë se ky djalosh është nga Shqipëria, jeton këtu, ka studiuar në Greqi dhe ka punuar në këto restorante. Biznesmeni e pranoi direkt atë që unë i kërkova. Sado që akoma edhe këtu në fillim vazhdonte që të mos shkruhej se nga jam, vjen gazeta “New York Times” me gazetarin kritikues Frank Bruni, i cili është dhe më i rrepti. Ai provoi gatimet e mia, shkroi në bllokun e tij dhe përfundimisht gazeta “New York Times” shkroi se ku mund të hani mirë në Athinë, sigurisht në restorantin “Vassilenas”, aty ndodhet një star i gastronomisë, një top shef i vërtetë. Eh mbas këtij shkrimi, të gjithë tashmë shkruajnë që jam shqiptar dhe sa herë që kritikohet gatimi im nga kritikuesit e gastronomisë restoranti wshtw plot, sado që kriza e ka kapur keq Greqinë dhe shumë restorante mbyllen njëra pas tjetrës .
Si ushqehet një shef kuzhine si ju?
Unë personalisht jam tip i çuditshëm në të ngrënë nuk mund të ha jashtë. Ha, po vështirësohem të gjej se ku do ha mirë, dua që çdo gjë të jetë e bërë me shumë kujdes. Dita ime fillon me një lëng të freskët frutash, shumë sallata, perime, shumë peshk dhe pak mish.
Mjafton ushqimi për të bërë një jetë të shëndetshme?
Ushqimi s’diskutohet që është më kryesorja, por duhet të merremi edhe me palestër, të bëjmë vrap me sporte vere ose dimri , jo cigare dhe alkool. Këto gjëra bëj unë si Renato.
Aktualisht, cili është angazhimi juaj?
Nga tetori deri në qershor jam i përqendruar në restorant dhe tek çmimet “kapelet e arta”, pasi është kusht për një restorant luksoz në Greqi. Tani jam edhe në Shqipëri me xhirime, kështu që më merr kohë edhe Tirana. Mundohem dhe e gjej mënyrën që të kem kohë edhe për veten time, të shkoj në palestër, fundjavat në teatër ose kinema, argëtim dhe jetë nate.
Na sugjeroni diçka për të ngrënë (improvizim) tani?
Sigurisht nuk duhet të mungojë një lëng i freskët me fruta dhe perime në mëngjes, një kos me mjaltë, shumë peshk, shumë perime, oriz dhe makarona e pak, shumë pak mish. Ne shqiptarët e teprojmë disi me mishin. Në përgjithësi duhet të hamë gjithçka, por me kujdes, shumë herë në ditë, nga pak gjatë gjithë ditës.
Konkursi i fundit?
Tani në tetor do të jem pjesë edhe e festivalit të gastronomisë në Greqi, i cili organizohet për herë të parë dhe nga shefat e brezit të ri do jem unë dhe dy shefa të tjerë nga qindra shefa që ka Greqia. Ishte vërtet e papritur për mua, pasi janë shumë kolegë që bëjnë po të njëjtën punë si mua edhe më mirë, plus që ishte edhe ajo frika se jam shqiptar, por jo nuk ishte ashtu. Organizatorët, kritikuesit dhe gazetarët vendosën që të jem unë pjesë mes shefave më të rinj që po ndryshojnë gastronominë greke.
I riu shqiptar, tre herë çmim nderi në Gastronomi.
Në muajin prill të këtij viti çmimin e parë Kapelja e Artë 2013 për kuzhinën moderne greke dhe për këtë vit e mori Renato Mekolli. I riu nga Shqipëria, konkuroi mes më të mirëve të guzhinës në Greqi dhe është shqiptari i parë në histori që e merr këtë çmim për tre herë me radhë, në një konkurs me 225 kandidatë në artin e gastronomisë. Renato Mekolli u rendit ndër 20 më të mirët në Greqi dhe menjëherë më pas në vend të parë.

Krenohemi me ty Renato! Faleminderit që e ngre lart emrin e SHQIPTARËVE!
Krenohemi pa mas per ty Renato ,sepse sh.shqiptare qe te njofin edhe ata qe kane degjuar per ty jane krenare …..Te faleminderit Renato ,do te mbeshtesim ne cdo hap qe te hedhesh
Nje shqiptar i mire si shume te tjere neper bote qe suksesi i tyre eklipsohet nga bemat e bandave te droges dhe krimit me te cilat fatkeqesisht identifikohen shqiptaret.
Suksese Renato!
Vërtet një i ri që duhet nderuar sepse nderojnë KOMBIN