Marco Reus aktualisht është i dëmtuar, por synimet e tij me Dortmundin i ka të qarta. Ai parashikon se verdhezinjtë sivjet jo vetëm që do të mbrojnë Kupën e Gjermanisë, por do të kurorëzohen edhe si kampionë të Bundesligës.
Në një intervistë të fundit, i pyetur se në cilin vend të tabelës së klasifikimit do të jetë BVB-ja në fund të sezonit, ai u përgjigj pa u menduar dy herë: “Në të parin! …Dhe duam gjithashtu që trofeun e Kupës ta mbajmë në Dortmund”. Deri tani, Reus ka fjalët më të mira për trajnerin e ri, Peter Bosz.
“Po luajmë futboll shumë të mirë. Kështu duhet të vazhdojmë”, – shtoi mesfushori gjerman, i cili nesër do të shohë nga shkallët e stadiumit ndeshjen e verdhezinjve me ish-skuadrën e tij, Borussia Mönchengladbach.
28-vjeçari po punon fort për të kaluar dëmtimin në gju. “Gjithçka po shkon sipas planit, pa ndërlikime, por më duhet edhe pak për t’u rikthyer. Gjëja më e keqe është se duhet të punoj vetëm, por ia vlen. Rikthimi im do të jetë shumë emocional. Po e pres me padurim”.
