Prof. dr. Hamit Boriçi
“Dhe drita e diturisë
përpara do të na shpjerë…”/ Naim Frashëri
I.
Revista “Drita”-“Dituria” (“Çkronjëmësimi e përherçime”) u botua dhe qarkulloi në Stamboll (Turqi) nga 10 gushti 1884 deri më 11 korrik 1885. Dolën gjithsej 12 numra me nga 16 faqe, të gjiha në gjuhën shqipe me alfabet të Stambollit. (“Alfabeti i Stambollit ishte zgjedhje kompromisi, një kompromis që theksohej duke u quajtur “alfabet kombëtar”. Ai ishte hapi i fundit , përpara se të arrihej shkëputja vendosmërisht nga alfabeti grek”. ,,(Shih: Profesor Xhevat Lloshi-Rreth alfabetit të shqipes-, T.2008, Logo-A, Shkup, f. 167 )
Historia e kësaj reviste zë fill me vendimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, në Konstandinupojë më 1879 në Kanonizmën e së cilës thuhej se “Shkronjatë, që do të shtypnjë kjo shoqëri, do të jenë shkronja mësimi ndë shqip të parë herë shkruarë, ndo prej gjuhërash të huaja shqipëruarë”. (KANONIZMË e Shoqërisë së Shtypuri Shkronja Shqip, ndë Konstandinupojë mbë 1879, ku thuhet:: Shkronjatë, që do të shtypnjë kjo shoqëri, do të jenë shkronja mësimi ndo shqip të parë here shkruarë, ndo prej gjuhërash të huaja shqipëruarë…”.(f. 3) dhe “Shoqëria e të shtypuri shkronja Shqip…pret me krahë hapëtë këdo shqiptar, që i do zëmëra të shohë e të këndonjë ndë gjuhëtë të v et, edhe do të hynjë ndë Shoqërinë, edhe prej Muhamedanësh, edhe prej Katholikësh, edhe prej Orthodhoksësh, që të gjithë pa ndonjë çquarje…”. (f.4)
Jani Vreto, njëri prej anëtarëve të Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, institucion i krijuar në Stamboll më 1877, ngulmoi dhe, në vjeshtën e vitit 1879, arriti të sigurojë nga Porta eLartë lejen për botimin e një të përmuajshme arsimore, kulturore e diturake në gjuhën shqipe. Rilindasi Vreto shfrytzoi qenien e tij me besim fetar orthodoks, të drejtat e privilegjet që ia kishte njohur Qeveria e Stambollit komuniteteve të krishtera. Drejtor i pyetshën i revistës u caktua Petro Poga, po i besimit orthodoks.
Porta e Lartë e lejoi botimin e kësaj të së përmuajshmeje nën trysninë e kërkesave të shqiptarëve kristianë orthodoksë dhe faktorëve të tjerë politiko-shoqërorë dhe zhvillimeve në trevat arbërore të asaj kohe.(Porta e Lartë ndiqte një politikë tolerante ndaj orthoksisë, duke i njohur liri dhe të drejta edhe për botime. Prandaj leja për revistën “”Drita”-“Dituria” iu dha dy rilindasve shqiptar, kristianëve Petro Poga dhe Pandeli Sotiri. )
Fletorja “Drita”-“Dituria” është projektuar, orientuar dhe, pareshtur, drejtuar nga vëllezërit Sami e Naim Frashëri, në bashkëpunim me anëtarët e Shoqërisë Shqiptare të Stambollit Jani Vreto, Petro Poga, Pandeli Sotiri e Koto Hoxhi, por zyrtarisht përgjegjës ishin Petro Poga (për numrin parë me emër “Drita” dhe Pandeli Sotiri (për 11 numra, dy prej tyre me emrin “Drita” dhe 9 numra radhas “Dituria”).
Numri i parë i revistës “Drita”, që qarkulloi më 10 gusht 1884, shqetësoi Patrikanen greke në Stamboll dhe hjerarkët në Athinë, jo vetëm. Ata iu turren drejtorit zyrtar të revistës, Petro Pogës, duke e kërcënuar e detyruar të bëjë ndryshime në përmbajtje dhe t’i nënështrohej censurës së rreptë. Petro Poga fillimisht u lëkund, pastaj u tërhoq, duke ia lëshuar drejtimin e revistës Pandeli Sotirit.
Pandeliu e mori në sy rrezikun që i kanosej, sidomos nga reaksioni shovinist grek (që në Stamboll ishte i fuqishëm) por edhe nga censura zyrtare; mbajti përgjegjësinë e pronarit të revistës.
II.
Përmbajtja e revistës “Drita”-“Dituria”, miratuar nga autoritetet qeveritare të Stambollit për lejen e botimit, kishte karakter didaktiko-pedagogjik. Sami Frashëri shkruante se Linja kryesore e programit të së përkohshmes është: “ndritja e mendjes me çdo farë diturie” dhe lexuesi të dijë edhe “ç, ‘është, çka qenë e çdo të bëhet, ku është, nga ka ardhur, ku do të vejë ? (“Drita”, nr. 1, f. 1)
Tematika e problematika e saj, e gjërë dhe universal, buron nga misioni që ideatorët formuluan: për të zgjuar vetëdijen kombëtare dhe ushqyer me dituri, kulturë e qytetërim; për të ngritur zërin për nevojën e domosdoshmërinë për shkollimin e brezave të rinj në gjuhën amtare.
Politika editoriale e revistës përshkohet nga idetë iluministe të Rilindjes, dhe mendësisë se “pa emancipim kulturor nuk mund të ketë emancipim …”.(Hysni Myzyri -Shkollat e para kombëtare shqipe-, Tiranë, 1978, f. 15) Ajo është universale, gjithëditurake, që përcaktohej në editorialin promovues si dituri për “…gjithë çka ngjarë, gjithë ç’është bërë e gjithë ç’kanë menduar njerëzit e urtë e me mënt; gjithë ç’kanë parë e kanë përjetuar ata që kanë vajtur nëpër vende të largëta e të pa-ditura; me një fjalë, gjithë çka ngjarë në jetë, gjithë çka shpikur e mbledhur njeriu për gjithë çka gjetur në natyrë. Të gjitha këto bëjnë diturinë. Dituria është ajo që e bën njerinë të shquhet nga të gjithë kafshët e tjera, të cilat lëvizin, ecin, hanë e pinë edhe ata si njeriu… “…njeriu nuk mundet kurrë të dijë prej vetiu gjithë të vërtetat e gjithë ç’i duhet të dijë, as me të d՚ëgjuar nuk mund të bëhet njeri i ditur..”. (“Drita”, nr. f.1)
Për arsye studimore i rendisim:
Së pari,dituritë mësimore
Një nga mësimet e para është aritmetika, që, përveç shërbimeve të përditshme ndikon në zhvillimin e intelektit të individëve dhe të shoqërisë në tërësi. Revista këtë lëndë bazike të “Çkronjmësimisë së përherçime” e emërton Shumonjëtorja. “Ajo nuk mëson vetëm qysh bëhen numërat, por mëson edhe katër veprimet të tjera që janë: mbledhja, zbritja, shumëzimi dhe pjestimi…Këto katër e më shumë punëra duhen katër e më shumë mësime të shumonjëtorës”. Atyre u prin si hyrje editoriali Numërorja për të vijuarme mësimet:Mbledhja (“Drita”, nr. 2, vjeshtë e parë 1884, f. 9-13), Xbritja(“Dituria”, nr. 5 , f. 1-3), Shumëximi (“Dituria” nr. 6 më, 10 të Kallndorit 1885, f. 1-4 )dhe Pjestimi dhe Provë e shumëzimit e pjestimit. (“Dituria”, nr. 4, f. 6).
Pastaj vijnë dituritë mësimore: për gjeografinë me variante emërtimi Dheshkronja e Dhetregonja, shkrime-leksione të pasur me të dhëna historike e bashkëkohëse, por edhe me intepretime, si edhe skicat Kafshë-shkronja ( Zoologjia) dhe Njeritregonja, e para në fletoren “Drita”,nr 3dhe e dyta në fletoren nr. 4.
Së dyti, dituritë për edukatë e qytetari
Edukimi qytetar është një nga problemet e trajtuara në një cikël shkrimesh nga Sami Frashëri në kët f;etore dritë e dituridhënës.Në editorialin Qytetaria qartësohet se “Qytetaria është rrojtja e njeriut me dituri, me urtësi, me butësi…njeriu ka lindur në egërsi e dalëngadalë ka arritur në qytetari” (“Drita”, nr.. 2, f. 1) dhe se “Qytetarinë e gjejmë të tërë të plotë në Evropë, a, ta themi me fjalët që na është mësuar veshi, në Frengji, edhe në vendet që kanë ndertuar e qytetëruar e që rrinë evropianët, si shumë vende të amerikës e të Holandës”. (- po aty).
Vargu i shkrimeve me këtë tematikë fillon me artikullin Qytetëri e grekvet, ku vlerësohet: “Qytetëria e grekëve nuk ngjan me qytaritë e Babilonasvet a të Asirianvet apo të Egjyptianve,,, po një qytetari e vërtetë me gjithë degët e diturisë”. (“Drita”, nr. 3, 10 vjeshtë e dytë 1884, f. 8),
Rradhas vijnë edhe artikujt Qytetëri e Arabëve(“Dituria”, nr. , f. 9-10) dhe Qytetëri e Evropianëve(“Dituria”, nr. 8, f. 1-4). Në trajtesën e parë tregohet se “Pas Aleksandrit, dituri e grekëvet s’qëndroi dot n’Athinë, ndërroi vend e vate n’Aleksandri, n’Egjypt, në një qytet të të bukur që bëri për sërishmi ay burr i madh, tek mbretëronte pas tij Ptolemenjtë, të tjerë burra shqiptarë. Nuk mundim të themi se n’ Aleksandri u ngjall qytetari e grekëvet sikundër qe në Athinë. Ajo qytetari vdiq që me liri t’ Athinjotëve, vetëm dituri e tyre edhe filosofi e Platonit e Aristotelit vanë në Aleksandri…”.
Së treti, dituritë e Shkencave të Natyrës Fisiqiia( Fizika) dhe Qimija (Kimija), të përceptuara si lëndë mësimore. Redaksia e revistës u kushtonte vëmendje shpjegimeve të terminologjive, kuptimit të tyre. Kështu edhe për këto dy emërtesa: “Fisiqia na rrëfen ngjarjet e natyrës, që bëhen pa sjellë ndonjë ndryshim;Qimija është motër e fisiqisë, por rrëfen ato ngjarje të natyrës, duke sjellur ndryshime”.Dhe shpjegon me shembuj të thjeshtë: kur përpjekim dy gurë e dëgjojmë se çpiket një zë, kemi proces fizik; kur vëmë një dru në zjarr e shohëm që ndizet…kemi një ngjarje e Kimisë”. Konkretizon fenomenet fizike: dritën, ngrohtësinë, dëborën e breshërin, rrufenë, vetimat etj. (“Dituria”, nr. 6, f. 7) Në artikullin Qiell-shkronjë (Astronomi), pasi shkurtimisht vijëzohet idea se kjo lëndë “tregon hapësirën qiellore”, përshkruhen deri në detaje: “ç’ është dielli, dheu, hëna dhe yjet. (“Dituria”, nr. 5, f. 9).
Së katërti, gjuhësia dhe letërsia
Prirja për të ushqyer lexuesit me deshirë e dashuri dhemësimin e gjuhës amtare, si një nga detyrat kryesore të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll.it, shpallej bot%risht që në numrin e pare të fletores.
Nën titullin Për zgjedhjen e të folurit e të shkruarit, autori u drejtohet lexuesvet: “Është mirë të flas pak për zgjedhjen e të folurit e të shqipëruarit, … të flas për të folurit e shtetit tim ku jam lindur, të fshatrave të Pogonit, të fshatit tim, Postenanit, por me qenë se i kam të dashura e të nderuara njësoj gjithë shënjat e gjuhës shqipe, shkrova përzjerë edhe më shumë me gegërishte”. Ky mendim e qëndrim vjen si dëshmi e thirrje për një gjuhë të përbashkët, të njëjtë për shqiptarët e jugut e të veriut dhe, pare me sy poliyik si thirrje për bashkimin e kombit shqiptar. (Revista “Drita”, nr 1, f. 1)
Me një përkujdesje të admirueshme gjuhësore të një toskrishteje në përpunim për atë kohë janë shkruar shumica e artikujve, autorët e të cilëve mësojnë nga gjuha e pastër shqipe e Naimit. /E kristaltë është gjuha e tij në poezinë Fjalët e qiririt:, kur me dashuri “bashkëbisedon” me lexuesit: /Në mes tuaj kam qëndruar// e jam duke përvëluar//që t’u ap pakëzë dritë//natënë t’ua bënj ditë //se ma k’ënda t’u bënj mirë,//të mos mbeti n’errësirë/. (“Drita”, nr. 1, f. 14)
Naimi, përveç vjershave të tij, si Gjithësija, Dituritë, Varfëria, Bilbili, Fyellli”, Djali dhe zogu etj, në çdo numër botonte vargjet: Fjalët e t’urtit. Vargu poetik E vërteta ndër përrallat, pasqyruar në disa numra, ka tiparet e një studimi në vargje. Janë 23 përralla siKorbi dhe dhelpra, Gjinkalla dhe miza e dheut, Ujku dhe qëngji, Dragoi dhe ujku, I varfëri dhe pëlllumbi etj. Këto përralla tërhiqnin vemendjen e fëmijëve, çka ndikonte në mësimin e gjuhës shqipe në familjet shqiptare në mërgim.Shumë prej këtyre vjershave janë përfshirë në vëllimet Vjersha për mësonjëtoret e para, E këndimit të çunavet këndonjëtoreja, etj.
Sttudiuesit kanë shfaqur mendimin se revistën “Drita”-“Dituria” mund ta quajmë “nismëtare të një faqeje të re të madhe në letërsinë e, përgjithësisht në kulturën e re shqiptare”. (Dhimitër S. Shuteriqi- Gjurmime letrare -, Tiranë 1974, f. 269) Vargjet e Koto Hoxhit, si dhe fragmente nga romani i shkrimtarit francez, Fransua Fenelo, Të ngjarat e Telemakut, përkthyer nga Pandeli Sotiri, përforcojnë prirjen letrare të kësaj të përkohshmeje. (“Dituria”, numrat 8. 9, 10 e 11)
Jani Vreto shkroi disa artikuj të kësaj tipologjie.Dy prej tyre janë: editoriali Për të vërtetën dhe shkronjën e së vërtetës (“Dituria”, nr. 9, f. 1-7) dhe artikulliMirëvetije. (“Dituria”, nr. 11, f. 1-5)
Karakter shkencor kanë edhe disa shkrime të botuar në rubrikën Histori e përgjithshme.Mendohet se përcaktimi i kohëve të rrjedhave e zhvillimeve historike është një tezë referencë edhe për studiuesit e historisë. Një nga autorët anonimë mbron këtë arsyetim: “Historia e përgjithshme ndahet në tri kohë: Histori e vjetër , që tregon kohën e parë dhe mbaronte me 476 vjet pas Krishtit; Histori e mesme prej vitit 476 deri më 1500 pas Krishtit dhe Histori e tretë që nga viti 1500 e tëhu”. (“Dituria”, nr. 8,f. 5)
Fletorja “Dituria” në faqet e katër numrave të saj 9,10,11 e 12 pasqyron të dhëna, fakte dhe arsyetime për gjëndjen dhe zhvillimet historike të çdo periudhe, për çdo shtet, duke përfshirë edhe Shqipërinë e atyre kohëve.
Shkëpusim disa rradhë nga artikulli Shqipëria për shqiptarët
Me këtë titull, në numrin e fundit të revistës “Dituria” dhe të rubrikës Histori e Përgjithshme, trajtohet gjerësisht çështja shqiptare.Në tri faqe bëhet fjalë për lashtësinë dhe deri diku gjëndjen e saj, duke përshkruar disa tipare dhe karakteristike të Shqipërisë së atyre kohëve.
Në fillim bëhej përpjekje për t’iu përgjigjur pyetjes:kush ishte dhe është Shqipëria dhe kush ishin shqiptarët ?
Autori anonim shkruan: “Shqipëtarët janë bijt’ e Pellazgëvet, ardhë 4.000 vjet para Krishtit nga Asija, zunë Grekinë edhe Shqipërinë. Më pastaj erdhë të huaj në Grekëri dhe nga Pellazgët më të shumtët u hoqne në Shqipëri, të paktë u përzjenë me të ardhurit dhe u quajtne më pastaj Grekër a Elinë. Nga grekërit një tufë u hodhën në Itali dhe duke u përzjerë me të tjerët u bënë Latinët.Andaj Grekia dhe Latinët ishin fis me Pellazgët, dhe gjuhë e tyre rrënjët i ka nga gjuhët e Pellazgëvet.Edhe besa, që kishin Grekët e Latinët ishte e Pellazgëve.Andaj të tre kombet kishin afro një besë. Latinët duke u përzjerë me kombet e egër t’ Evropës, bënë evropianët e sotëm, që janë italianë, franciz, spanjolë, gjermanë, inglizë etj….”./ Revista “Dituria”, Konstantinopol , nr. 12, të 11 korrikut f. 5 /. Shënim 1: Duhet sqaruar se pikëpamja se nga shqiptarët e kanë prejardhjen nga Pellazgët nuk është e saktë. Ajo, gjatë Rilindjes Kombëtare është përkrahur për të treguar lashësinë e kombit tone. Shkencëtarë tanë kanë arritur në këtë përfundim: “Në kohën e tejlashtë në Ballkan e në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as një emër të n jëjtë për të gjitha këto treva, prandaj emërtimet Pellazgët e pellazgjishte janë të pasakta. Në këtë rast, Pellazgët janë e quhen popullsi paragreke, parailire e paratrake”. / Shih- Fjalor Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqiperisë, Tiranë 1985, f. 816 /

“Edhe sot, shqiptarët ndahen në Toskë, Gegë, Çam, Lab etj, por janë të gjithë një komb e kanë një gjuhë. Gjuha e tyre është pellazgjishtja, që është bij e Saankristes, që është gjuhë e Hindit të vjetër…”. / Revista “Dituria”, Konstantinopol , nr. 12, të 11 korrikut f. 5 /. Shënim 2 :Në vijim të shënimit 1 arsyetojmë se gjuha shqipe bën pjesë në grupin e gjuhëve indoeuropjane “që kanë afridhe bashkë përkime të shumta ndërmjet tyre në fjalor, në sistemin fonetik dhe në strukturën gramatikore”. / Shih: Fjalor Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2008 f. 864 /
Por pas disa rradhëve arsyeton: “Është çudi, duke qenë shqiptarët më të parët në Evropë dhe etërit e gjithë Evropasit, qysh nuk e kanë shkruar gjuhën e tyre”…”Janë dhe shumë më të diturit që kanë thënë se shqiptarët e vjetër kishin shkronja të gjuhës së tyre…”. (“Dituria”, nr. 12,f. 6)
Për besimin fetar, emrin shqiptar dhe flamuri kombëtar, autori shpjegon: “Shqiptarët e moçëm besonin Zonë dhe në mal të Tomorit ish falëtorja e Zotit…”….”Shpendi që i themi shqipe ishte pas besës, zogu i Zotit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër dhe nga shqipja u quajten shqiptarë…”. Shqiptarët këtë emër e kanë që moti…”.(“Dituria”, nr. 12, f. 6)
Po ashtu për emrat Ilir, Iliri dhe Toskri”: “Fjala Ilir është prap shqip: Iliri, vend i lirë”. Toskërija “…Ipiroja (Epiri –H.B) do me thënë Toskërija”…”Ilirija domethënë Gegërija”. (“Dituria”, nr. 12, f. 6 )
Iliria domethënë Gegërija.“Ilirja ishte qëmoti shumë e madhe dhe njerëzit e saj ishin gjithë shqiptarë…Më me emër nga Mbretërit e saj ishte nbretëresha që quhej Teftë (Teuta), mbretëroi 231 vjet para Krishtit”.
Tregon se: “Në luftën e Trojës Toskët kishin vajtur ndihmës për Grekinë”… Preras pohon:“Aleksandri s’ish as grek, as bullgar, po ishte burrë shqiptar”.
Në pëmbyllje argumenton se “Shqipëria qëmoti qe e gjerë shumë, por duke u përhapur Grekët dhe Shqetë u ngushtua Shqipëria…” dhe se “Shqiptarët që qëmoti ishin komb më vete, s’ ishin dhe as s’janë, as kanë për të qenë kurrë as Grekë, as Latinë, as Shqeh, as gjë tjetër, po veç shqiptarë.Gjithë botën fetë i kanë ndarë, veç shqiptarët kanë pasur e kanë sot më tepër se kurdoherë vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe mall’ e mëmëdheut”. (“Dituria”, nr. 12, f. 10 )
III.
Fletorja”Drita”-“Dituria”, e para në historinë e shtypit shqiptar, jo vetëm si botim i natyrës pedagogjike, por edhe si një organ kulturor shkencor, letrar e më tej, dukshëm i arriti synimet e saj kombëtare. Në shkrimet edhe didaktiko-pedagogjike, letrare a me karakter shkencor, pavarësisht nga tema dhe objekti i pasqyrimit, ka ndërthurje dhe bashkëveprim idesh.Tezat e shtruara dhe faktet për argumentim, arsyetim apo interpretim janë të zgjedhura dhe mjaft bindëse, duke u dhënë dorë mjeshtrave të mendimit shqiptar të Rilindjes kombëtare për përgjithsime logjike.
Meritë ideatorëve, e drejtuesve dhe e autorëve të shkrimeve kësaj reviste është njizja e mendimit kulturor me atë politik kombëtar. Rrjedhshëm e natyrshëm, pa sforcim, kjo ide themelore është realizuar me interpretime logjike prej mësuesi, shkrimtari e publicisti njëheri.
Vlerat tipologjike të formave të pasqyrimit publicistik, në 12 numrat e revistës, mishërohen në përpjekje për linja të ndryshme paraqitjeje e veprimi, për thyerje kodesh, për zhvillim dinamik mendimi, duke shfrytëzuar disa nga elementet e mjeshtrisë publicistike, si përshkrimi i detajeve, retrospektiva e ideve, e ngjarjeve, etj.
Censorët e përndoqën revistën derisa një ditë që autoritetet zyrtare të kyeqendrës së Perandorisë Osmane dhanë urdhër të prerë për ndalimin e saj, kur numri 12 sapo kishte filluar të shpërndahej.

Nje studim i vertete perkujtimor nga Mjeshtri i Madh i gazetsrise shqiptare Prof. Dr. Hamit Borici. Faleminderit dhe jete te gjate!
Faleminderit
ja paskeni bere qefin RAMUT MAHMUTIT
tani e pashe foton e Muthatit renditur krahas me rilindasit patriote dhe me Frasherllinjte baballare
si mund te vesh Papa Kristo Negovanin apo te tjere qe dhane jeten per mbrotjen e germave, me kelliren qe bashkepunoi me nazizmin per te vrare e internuar ne kampe perqendrimi bijte me te mire te popullit shiptar