Minuta e 85-të e sfidës Inter-Atalanta do të mbahet mend gjatë nga Rey Manaj. 18-vjeçari shqiptar debutoi me fanellën e një klubi të madh si Interi në një ndeshje të Serisë A dhe në një stadium legjendar si “San Siro”, diçka që shumë bashkëmoshatarë të tij nuk do ta shikonin as në ëndërr.
Falë punës dhe përkushtimit, por edhe talentit të madh që zotëron djaloshi i lindur në Lushnjë ka fituar besimin e trajnerit të skuadrës zikaltër Roberto Mancini dhe minutat e luajtura ndaj Atalantës mund të jenë vetëm fillimi i një karriere të gjatë dhe të suksesshme për Rey Manajn.
18-vjeçari i intervistuar nga mediat italiane u shpreh shumë i lumtur për debutimin e tij me Interin, ku thotë: “Debutimi im në “San Siro” ishte një emocion i papërshkrueshëm.
Jam i lumtur për fitoren dhe akoma më shumë për shokun tim Stevan Jovetic që edhe pse ka vetëm pak kohë në ekip po tregon sesa vlen”.
Por deri ku mund të shkojë ky Inter sipas Rey Manajt? “Ndaj Atalantës treguam shumë gjëra pozitive, gjithsesi kemi ende për t’u përmirësuar, por nuk duhet të harrojmë edhe faktin që jemi vetëm në fillim të sezonit.
Të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë kampionatit, por sipas mendimit tim kjo skuadër do të shkojë shumë larg”, thotë talenti shqiptar.
Sulmuesi i përfaqësueses Shpresa të Shqipërisë i ka të qartë objektivat e tij në këtë sezon me Interin: “Shpresoj të vijë goli im i parë me fanellën e Interit, por edhe të fitoj trofe. A shpresoj që Mancini të më hedhë në fushë rregullisht?
Patjetër që po, por është e kotë që diçka të tillë ta them unë, pasi nuk jam unë trajneri. E vetmja gjë që mund të bëj është të punoj fort në fushë dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”.
