E enjtja e kaluar ishte dita kur stilistja Rezarta Skifteri u bë nënë për të dytën herë. Ndaj në këtë periudhë është e vështirë të gjesh pak kohë në të përditshmen e saj. Dhe e kuptojmë mjaft mirë!. Pas shtatë vitesh nga lindja e parë, Skifterit i vjen në jetë djali. Ai djalë që të gjithë çiftet e duan, pavarësisht ëmbëlsisë së vajzave. Për disa kohë ajo do të shkëputet nga atelieja, nga puna e përditshme. Bebja do përkujdesjen e nënës.
Në fund të fundit e meriton, Xhoeli, (emri i djalit) i cili mban firmën e saj dhe ne besojmë së është një ndër më të shtrenjtit. “Dita” ka bërë një bisedë me Rezartën, duke na rrëfyer emocionet e paslindjes. Nuk ka refuzuar të na tregoj për shtatzëninë e saj dhe disa këshilla për gratë që në këtë periudhë janë duke jetuar pritjen e tyre të ëmbël. Dilema më e madhe për to është veshja dhe ne, nëpërmjet këtij rrëfimi të Rezarta Skifterit i kemi “rrëmbyer” edhe disa sekrete për nënat shtatzëna.
Rezarta, ke vetëm pak ditë që ke sjellë në jetë djalin tënd Xhoel, ç’do të thotë për ty?
Po është e vërtetë. Vajza ime e madhe, Sara, është shtatë vjeçe. Të bëhesha nënë për të dytën herë për mua ishte një mrekulli e vërtetë. Tani i kuptoj njerëzit që bëjnë, dy, tre, apo katër fëmijë.
Nuk është e sikletshme shtatzënia për një femër në karrierë si ju?
Përkundrazi, është shumë e bukur nëse merret me sportivitet dhe nëse të shkon mbarë, se edhe kjo ka shumë rëndësi. Shtatzënia e parë mua më eci shumë mbarë, mirëpo e kisha më me frikë. Gjatë gjithë kohës kisha merakun nëse po lëvizja shumë. Në shtatzëninë e dytë, kam lëvizur deri ditën e fundit përpara se të më vinin dhimbjet, madje një orë përpara kësaj gjendje isha për kafe. Këtë periudhë e kam shijuar në 360 gradë.
Ju ka ndihmuar bashkëshorti?
Padiskutim që po sepse janë dy tani (qesh). Punët duhen ndarë, vështirësitë janë, por ke më shumë eksperiencë tashmë, sepse je mësuar më të parin. Je mësuar si ta mbash, si ta lash, si ta ndërrosh, si t’i japësh qumësht. Megjithatë, njeriu është gjatë gjithë kohës duke mësuar. Këto kohë kam shfletuar libra të ndryshëm dhe jam informuar në to, për fazat të ndryshme të rritjes së bebit.
Nga ana tjetër, duket të keni gardërobën tuaj gati edhe për të sjell në jetë edhe një tjetër fëmijë, apo jo ?
Po, patjetër. E gjithë gardëroba ime ka qenë e realizuar nga firma ime dhe nga duart e mia. Duke filluar që nga veshjet e ditës, veshjet e darkës, veshjet e plazhit. Veshjet ishin të shumta dhe për fatin tim të mirë, unë nuk kam ndjerë atë ngërç që ndonjëherë shtatzënat ndjejnë. Jam ndjerë e lirshme dhe jam ndjerë feminile, sepse shtatzënia është një moment shumë i bukur në të vërtetë.
Dhe pas kësaj periudhe që jetove, ke menduar ndonjëherë të krijosh një koleksion për gratë shtatzëna?
Jo vetëm e kam menduar, por edhe e kam bërë. Ka vite që e bëj këtë, e bëra edhe këtë herë, ku për modele kryesore kisha veten. Kam krijuar gjithçka konform tendencave të fundit, sepse femra, megjithëse shtatzënë, ka nevojë të ndihet femër. Shpeshherë zgjedhjet e grave shtatzëna kushtëzohen shumë nga konfeksionet, që jo gjithmonë i përshtaten stilit të tyre. Kam krijuar veshje të mrekullueshme, mbi të gjitha të rehatshme, për shumë gra shtatzëna. Kur kisha gra shtatzëna në atelie, kujdesesha shumë për to, nuk doja që t’u mungonte asgjë, aq sa ndonjëherë edhe harroja që isha vetë shtatzënë (qesh).
Të paska sjell frymëzim shtatzënia…
Po, kam qenë vërtetë shumë e frymëzuar dhe e motivuar për të krijuar veshje të bukura. Edhe tani që jam me pushime, kam skicuar në mendje disa veshje mjaft interesante për sezonin e ri.
Për të gjithë ato gra dhe vajza që po përjetojnë një shtatëzani momentalisht, çfarë ju këshilloni që të veshin?
Pjesa e barkut duhet të jetë e shtrënguar dhe gjithmonë sugjerohet të vendoset një fashat e pambukut, jo llastiku në mënyrë që të marrë formën trupit kur bënë lëvizje të ndryshme. Në këtë mënyrë mundëson evitimin e problemeve për ecurinë e shtatzënisë. Unë them gjithmonë që, kush është elegante mundohuni të tregoni pjesën e barkut. Personalisht e kam ekspozuar shumë barkun në këtë shtatzëni dhe jam ndjerë shumë komode, por gjithmonë materiale pambuku ose të mëndafshta.
Po tek ngjyrat?
Femra shtatzëne është e shkëputur nga pjesa tjetër dhe për këtë arsye nuk ka lidhje shumë me stinën dhe ngjyrat që përdoren në një moment të caktuar, por ajo që unë sugjeroj janë dizenjot e ndryshme, vizat, lulet. Këtu e kam fjalën që, pjesa e pasme e fustanit për shembull të jetë një ngjyrëshe dhe pjesa përparme të jetë me disenjo, me lule, me topa . Në këtë mënyrë, nga prapa dukemi shumë elegante. Kjo është një metodë që unë vetë e kam përdorur dhe më ka funksionuar shumë mirë. Kjo i shkon çdo lloj trupi.
Këshilla
Si të dukesh bukur edhe gjatë shtatzënisë
Për muajt e parë (deri nga muaji i pestë) do t’u sugjeroja të visheshin me rroba të gjera, sepse kjo gjë mundëson fshehjen e barkut dhe të ndonjë ndryshimi që mund të pësojë trupi. Veshjet e gjera, të kombinuara me ‘legins’ (tip streçesh), janë një zgjedhje shumë feminile për të gjitha gratë shtatzëna dhe mund të kombinohen me gjithçka. Pastaj në muajin e gjashtë, do të sugjeroja veshje më të ngushta, pas trupit, por kujdes, materiali është mirë të jetë pambuk. Nuk është thënë të ndryshoni stilin pse jeni shtatzënë, mund të ruani të njëjtin stil veshjeje, me disa hile të vogla…
Sa bukur. Nuk e ndjeva kur e lexova :). Nje interviste ndryshe e Skifterit. Urime stilistes! Urime gazetes per kete profil!