Në datë 25 Mars isha pjesë e tryezës që Fondacioni Soros organizoi për të dhënë rezultatet e sondazhit “European Social Values” për Shqipërinë. Ky është një sondazh shumë i vlefshëm për studiuesit, por shifrat që po paraqiteshin nuk ishin ato zyrtare. Po paraqiteshin vetëm disa shifra të përzgjedhura dhe shifrat zyrtare do publikohen në shtator të 2013. Personalisht isha më shumë i interesuar për pjesën e punësimit në këtë sondazh, meqë kisha parë që sondazhi përmbante 30 pyetje personale për punësimin dhe po ashtu edhe pyetje të përafërta për familjaret e të intervistuarit, që arrinin në një total prej me shumë se 100 pyetjesh. Për punësimin (dhe papunësinë) aty u shpallën vetëm përgjigjet e dy pyetjeve shumë periferike, njëra nga të cilat ishte “A jeni i antarësuar në një sindikatë?”, kur për studiuesit dhe të gjithë të tjerët merret me mend që kjo është një pyetje me rezultat shumë të ulët dhe të padiskutueshëm (edhe nga sondazhi vetëm 3% ishin antarë në sindikatë).
Pas zhgënjimit nga evitimi i rezultateve në fushën e punësimit dhe të papunësisë vëmendja e dëgjuesve dhe e imja u fokusua tek rezultatet e pyetjeve që kishin lidhje me demokracinë dhe partitë politike. Pa u zgjatur shumë, u konsultova dhe një herë më pyetjet standard të sondazhit që ishin në internet dhe i kërkova disa herë përgjigje se përse kishin shmangur nga paraqitja e përgjigjeve njërën nga pyetjet, pa përgjigjet e së cilës nuk mund të bëhej menjëherë krahasimi mekanik i të dhënave të sondazhit. Fenomeni që vihej re ishte që Partia Socialiste kishte ruajtur shumë më tepër përkrahës nga 2009 se Partia Demokratike, i kishte “marrë” më shumë përkrahës po PD-së, kishte marrë përkrahës edhe nga LSI dhe i vetmi aspekt ku nuk kishte avantazh ishte pjesa e atyre që do votojnë për herë të parë. Si ka mundësi që me tre aspekte të favorshme në krahasimin e 2013 me 2009 PS të rezultonte me 3% më pak në 2013 kur rezultatet zyrtare flasin për një rezultat krejt të përafërt të dy partive kryesore në 2009?
Le të analizojmë pyetësorin në lidhje me këtë pjesë
Pyetja B10 në këtë pyetësor është: “Për cilën parti keni votuar në zgjedhjet e 2009?” Përgjigjet e kësaj pyetje nuk jepen në paraqitjen e rezultateve nga prezantimi i Fondacionit Soros. Megjithëse përgjigjet nuk jepen, ato gjithsesi kombinohen me përgjigjet e pyetjes B18 e cila është: “A ka ndonjë parti politike me të cilën ndiheni më afër se me partitë e tjera?”. Rezultatet e pyetjes B18 u shpallën nga Fondacioni Soros (figura 1). Më pas rezultatet e pyetjes B10 kombinohen me rezultatet e pyetjes B18 për të dhënë grafikun e paraqitur këtu në figurën 2, e cila po ashtu paraqitej në prezantimin e këtij sondazhi, dhe ky kombinim tregonte se çfarë orientimi të ri marrin votuesit e partive në 2009, plus ato që nuk kanë votuar dhe ato që kanë refuzuar të votojnë në 2009 (këto të fundit nuk i kam përfshirë në analizë, pavarësisht se edhe në këtë grup PS është në avantazh të lehtë).
Cili është problemi kryesor në këtë prezantim? Vërehet qartë që në këtë rast nuk është prezantuar pyetja e parë e bllokut të pyetjeve, pra ajo që interesohet për votimin gjatë 2009. Pyetje të tilla përfshihen në sondazh për të vënë re nëse përzgjedhja e të pyeturve është e anshme, apo është e ndikuar nga mosdhënia e lirë e opinonit për një pyetje që mund të konsiderohet e sikletshme dhe delikate për një çështje të ndjeshme për shumicën e të intervistuarve. Nuk duhet të harrojmë që pyetësori ka qenë me intervistë direkte, domethënë i intervistuari duhet të thoshtë hapur se për kë ka votuar në 2009 dhe për kë do votojë në këtë moment.
Për të eleminuar anshmërinë e rezultateve të sondazhit, nisemi nga rezultatet e zgjedhjeve të 2009 dhe llogarisim mbi to efektet e ndryshimit nga 2009 në 2013 që janë tek rezultatet e përafërta të grafikut (figura 2) duke shtuar këtu popullsinë e re që do votojë që sipas Censusit 2011 që vërtitet diku të 12% e popullsisë në moshën mb 18 vjeç. Kështu janë krijuar dy tabela të reja që do i quajmë Tabela 1 dhe Tabela 2. Në Tabelën 1 jemi nisur nga rezultatet faktike të zgjedhjeve të 2009 për 3 partitë kryesore, duke shtuar përqindjen e të rinjve që do votojnë.
Në grafikun që jep përgjigjet e pyetjes B18 (figura 2) vërehet që votuesit e PD-së në 2009 do të kishin një orientim të përbërë në 2013. Rreth 54.5% e tyre do ishin përsëri më afër PD-së, ose 21.9% e rezultatit total të vitit 2009. Rreth 2.9% e tyre do ishin tashmë më afër PS-së, me efekt 1.2% në rezultatit total të krahasuar me 2009 dhe rreth 36.7% nuk do ishin afër asnjë partie, me efekt 14.7% në rezultatin total. Po ashtu rreth 2.5% e tyre do votonin FRD me efekt 1% në total.
Nëse shohim orientimin e votuesve të PS-së në 2009, do të kemi rezultate disi më të ndryshme. Rreth 63.3% e tyre do ishin përsëri afër PS me efekt 25.9% në rezultatin total dhe rreth 30.6% nuk konsiderohen më afër asnjë partie me efekt rreth 12.5% në rezultatin total. Po ashtu rreth 2% rezultojnë të orientuar nga AK me efekt 0.8% në rezultatin përfundimtar.
I njëjti diskutim vlen edhe për votat e LSI në 2009 dhe për votat e reja në 2013 që i kemi vlerësuar që do jenë rreth 12% sipas Censusit të vitit 2011. Të gjithë efektet në rezultat mblidhen në kolonën e fundit.
Nëse rezultat pyetjes B10 (Cila parti është votuar në 2009) do dilte njësoj me rezultatet faktike të votimit në 2009, atëherë në mund të mbledhim të gjithë efektet në rezultat sipas katër grupeve kryesore do të kishim 24.1% të votuesve do ishin më afër PD-së, 28.5% më afër PS-së, 2.1% më afër LSI-së, AK me 1.6%, FRD me 1.2%, asnjë parti me 38.3% dhe 4 përqind për parti të tjera (të papërfshira në tabelë).
Ky duhet të ishin rezultati real i këtij sondazhi nëse ato persona që u morën me përpunimin e të dhënave do të kishin si bazë të dhënat reale në 2009 dhe do të peshonin dhe modifikonin rezultatin e sondazhit që të eleminonin efektin e anshmërisë dhe frikës që implikojnë sondazhet në vendet që kanë akoma probleme me demokracinë.
Për të treguar se cila ka qenë përgjigjet e mundshme të pyetjes B10, të cilën përpunuesit e sondazhit e kanë fshehur në momentin e shpalljes në sondazhit, kam simuluar rezultatin më të përafërt që do i përgjigjej rezultatit që ka shpallur fondacioni Soros. Këto paraqiten në tabelën 2.
Siç shihet që të arrijmë në shifrat e shpallura nga Fondacioni Soros në pyetjen B18 (“Partia politike që ndiheni më afër?”) dhe njëkohësisht të jemi në përputhje me tabelën e dytë, duhet që rezultati i pyetjes kontroll për zgjedhjet e vitit 2009 të jetë PD me 37.8%, LSI me 2% dhe PS me 27.2%. Meqënëse kjo pyetje ka sjellë me gjasë këto rezultate të anshme dhe dhe me një kampion përgjigjesh që i është shmangur një rezultati faktik, atëherë personat që shpallën rezultatin, ose duhet të kishin bërë korrektimin (ripeshimin) e përgjigjeve sipas asaj që ne bëmë në tabelën e parë, ose duhet të kishin shpallur dhe përgjigjet e pyetjes B10 (“Partia që keni votuar në 2009?”) dhe të gjithë do të konsideronin sondazhin si jo të besueshëm për këto dy pyetje.




pyetja per 2013-en ishte se me cilen parti e ndjejne veten afer te anketuarit, jo se per cilen parti do te votjne. dikush mund te mos e njeje veten afer me asnje parti, por sidoqofte mund te votoje per te keqen me te vogel ose per nje parti qe i intereson…
Une kam pershtypjen, madje bindjen, se disa nga drejtuesit e Fondacionit Soros ne Shqiperi, jane te deklaruar si perkrahes te Berishes. Prandaj edhe kane manipuluar rezultatin. Si idhulli i tyre.