Frank Riberi nuk fshihet, kërkon “Topin e Artë”

anazapta

Frank Riberi është shprehur se e meriton “Topin e Artë” më shumë se Kristiano Ronaldo, duke dhënë argumentet e tij për këtë çështje. Sipas francezit, është e vërtetë që portugezi ka shënuar më shumë gola, por ai ka fituar më shumë tituj me Bajernin, ndërsa në kombëtare ka qenë po aq vendimtar. “Jam i bindur se do ta fitoj unë “Topin e Artë”. Nuk kam aspak frikë. Kristiano ka shënuar shumë gola, por edhe unë e kam bërë këtë. Është e vërtetë që ai ka realizuar më shumë, por duhet të kemi parasysh se nuk kemi të njëjtin profil loje. Ndoshta unë nuk shënoj sa ai, por ama u kam vënë flakën mbrojtjeve kundërshtare”, thotë 30-vjeçari. Riberi kujtoi se në ndeshjen e kthimit me Ukrainën, në fund të së cilës Franca siguroi biletën për në Brazil, loja e tij ishte përcaktuese.

“Provokova përjashtimin e tre lojtarëve në dy ndeshje, dy në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe një tjetër u pezullua në sfidën e dytë. Mora pjesë gjithashtu në dy nga tre golat e Francës. Këto detaje nuk e tërheqin shumë vëmendjen, por kam besim se do ta fitoj unë “Topin e Artë”. Për Riberi, shtyrja e votimit për dy javë nga FIFA nuk ndikon në përcaktimin e fituesit, edhe pse Ronaldo po kalon formë të shkëlqyer dhe po shënon shumë gola. “Për të fituar “Topin e Artë” ishte shumë e rëndësishme që të ruaja nivelin e lojës dhe të kualifikohesha me Francën në botëror. Deri në këtë moment nuk kam bërë asnjë gabim. Kam qenë në nivel të lartë si me Bajernin, ku fitova gjithçka, edhe me Francën”. Pikërisht për sukseset e arritura me bavarezët, Riberi u shpall nga UEFA futbollisti më i mirë në Evropë për sezonin e kaluar.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *