Shumë futbollistë të Bayern Munich e shohin veten si më të mirët e botës, pavarësisht dështimeve që kanë pasur në Champions League, deklaroi Markus Babbel, i cili e vuri Frank Ribery në qendër të kritikave.
Ish-mbrojtësi i Bayern, Babbel, nuk ishte dakord me vendimin e drejtuesve për të shkarkuar Carlo Ancelotti, pas vetëm një viti punë në krye të skuadrës. Babbel, i cili gjithashtu ka luajtur për Liverpool, tha se shumë futbollistë të Bayern e kanë mendjen te ajo që ka ndodhur në të kaluarën dhe Ribery është një prej tyre.
Duke folur për “Sky” në Gjermani, Babbel tha: “Franck Ribery nuk ka shënuar një gol në Champions League në dy vitet e fundit dhe vazhdon ta shoh veten në të njëjtin nivel me Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, pavarësisht se e vërteta është krejtësisht ndryshe. E vërteta është se kur skuadra ka nevojë, ai nuk është i gatshëm.
Për mua është shqetësuese që i gjithë faji për situatën e krijuar i është vënë trajnerit Carlo Ancelotti. Ribery ka merita për atë që ka bërë te klubi i Bayern, ku ka qenë një lojtar fantastik por në sytë e mi pozicioni i tij nuk është më i njëjtë.”
Bayern e ka fituar Champions League për herë të fundit në vitin 2013 dhe Ribery, aktualisht 34 vjeç, ishte në fushë në finalen e “Wembley”. Gjithsesi, humbja 3-0 ndaj Paris SG në fazën me grupe të këtij edicioni të Champions League e detyroi klubin bavarez të shkarkonte trajnerin Ancelotti, pavarësisht se fitoi titullin kampion në sezonin e kaluar.
Ribery ka të ngjarë të ketë humbur pjesën më të madhe të sezonit, pasi dëmtoi gjurin gjatë barazimit 2-2 kundër Hertha Berlin, në ndeshjen e fundit të kampionatit.
