Franck Ribery foli qartë për atë që ndodhi në vitin 2013, kur ai ishte njëri nga tre finalistët e “Topit të Artë”, së bashku me Messin dhe Cristiano Ronaldon.
Francezi i Bayern Munich duhej të shihte se si portugezi ngriti trofeun në fjalë, pasi revista “France Football” e rihapi votimin, nisur nga fakti që ylli nga Madeira kualifikoi Portugalinë për në Botërorin e Brazilit, përmes “play-off”, me një “hat-trick” kundër Suedisë.
“Ata ma vodhën “Topin e Artë”. Kjo është e pakuptueshme. I kam fituar të gjithë trofetë e mundshëm, nuk mund të kisha bërë më shumë. Ishte një padrejtësi “, – tha anësori i Bayern Munich, i cili, gjithashtu, tregoi pakënaqësinë e tij ndaj Francës, vendit të tij të lindjes, nga e cila nuk ndihej i mbështetur. “Nuk kisha vendin tim pas meje. E pashë këtë me sytë e mi, se si francezët thanë se Cristiano Ronaldo duhej të fitonte. A dëshiron vallë portugezi, që Messi, ose unë të fitoj “Topin e Artë”? Natyrisht që jo”, – nënvizoi Franc Ribery për “Canal Football Club”.
