Rihana: “Kryeneçe por e brishtë”

anazapta

Deri tani ka publikuar shtatë albume dhe ka fituar çmime të ndryshme, midis të cilave 6 “Grammy”. E megjithatë ka kritikë muzikorë që ende nuk e marrin seriozisht dhe e akuzojnë se ka një zë të dobët dhe se është një balerinë mediokre. Sipas Kamil Palias (feministe kundër rrymës) Rihana “nuk është një kukull në duart e sistemit, por një model i ri femëror”

 Pas më shumë se 80 koncerteve nëpër kontinente, turi i saj “Diamonds World Tour” sapo është përmbyllur në Nju Orleans. Falë tij ka arkëtuar 50 milionë dollarë, thuajse aq sa shuma totale e fitimeve të saj gjatë vitit të kaluar, shkruan revista “Forbes”. Historia e Rihanës 25-vjeçare, është ajo e suksesit të jashtëzakonshëm të një vajzë multietnike (e zezë dhe irlandeze) e rritur në një shtëpi të varfër në ishullin karaibian, Barbados, nga i cili mbart shenjat e një fëmijërie të vështirë: i ati ishte një vartës droge që keqtrajtonte të ëmën.

Mbetet dyshimi se Rihana është vetëm një kukull në duart e producentëve hip-hop meshkuj, të cilët ia shkruajnë këngët dhe manovrojnë trajtimin e zërit në high-tech. Sikur të mos mjaftonte, ajo ka adoptuar slangun agresiv të reperëve metropolitanë, tatuzhet e mëdha  dhe bizhuteritë që bien në sy, deri më tani e kanë penguar në afirmimin si artiste të mirëfilltë. Por, pozat prej gangstereje janë një armaturë për të mbrojtur ndjeshmërinë e saj dhe për t’i lejuar që të mbijetojë nën dritat e dhunshme të reflektorëve. Asgjë më shumë se sa marrëdhënia e stuhishme me reperin Kris Braun nuk e ka dëmtuar reputacionin e saj. Ky u arrestua dhe u dënua sepse e rrahu brutalisht dhe tentoi ta mbyste pas një sherri në vitin 2009, në Los Anxheles. Impakti i episodit të turpshëm ishte i menjëhershëm në karrierën e Braun. Por të gjithë u shokuan kur tri vite më pas këngëtarja rifilloi të frekuentohej me të.

Në albumin e 2012-s “Unapologetic”, Rihana këndonte një këngë dashurie bashkë me Braun dhe deklaronte “Ain’t nobody’s business” (Janë punët e mia dhe të askujt tjetër) duke interpretuar një pjesë të famshme të këngëtarëve bluz Bessie Smith e Billie Holiday, ku dhuna fizike pranohet si çmimi i pasionit seksual. Ndërkohë Braun nuk gjente paqe midis Rihanës dhe rivales së saj Karrueche Tran. Saga e trazuar mori trajtat e serialeve melodramatike: Rihana e cila në fund e humbi betejën, fitoi staturën e heroinës së përvuajtur të romaneve realiste. Publiku që fillimisht e kishte dënuar për vendimin për t’u kthyer me reperin, filloi t’ia mëshironte vuajtjen dhe izolimin. Për të tërhequr vëmendjen e Braun shpesh herë iu drejtua instrumenteve si “Twitter” dhe “Instagram”, duke publikuar foto të guximshme me rroba banjo mikroskopike ose në shtrat në poza provokuese. Një mënyrë e tillë për të promovuar imazhin e saj i ka sjellë fyerje jo vetëm nga mijëra ndjekës, por edhe qortimet e ashpra të mamasë në Barbados, një grua shumë fetare dhe e devotshme. E megjithatë, ato imazhe paturpësisht joshëse bënë të dashurohen pas saj miliona njerëz të tjerë nëpër botë.

Rihana nuk ka hezituar të japë përshtypjet për një biseksualitet të mundshëm, duke pozuar me modelen Keit Mos dhe me këngëtaren Keti Perri, por ajo që i ka hedhur më shumë benzinë zjarrit të thashethemeve mbi jetën e saj intime, është lidhja e fortë me miken e kohëve të gjimnazit dhe tani asistente e saj, Melisa Ford. Pavarësisht periudhës së varësisë mazokiste ndaj Kris Braun, imazhi publik i Rihanës është ai një gruaje autonome dhe kryeneçe. Në ndryshim nga Beyoncé, e cila menaxhohej më parë nga prindërit dhe sot nga bashkëshorti autoritar, reperi Jay-Z, në publik Rihana nuk është shafqur kurrë e lidhur me një mentor të vetëm mashkull.

Imazhet e saj befasojnë gjithnjë, si kur janë formale e elegante, ashtu edhe kur e shfaqin si vajzë “rruge” të pacipë. Ka një sens të mrekullueshëm të formës dhe ngjyrës. E gjatë, me këmbë të mbushura dhe trupin që nuk ngjan aspak me ato të modeleve anoreksike, e shpon objektivin e kamerës edhe kur e ul kokën me ndrojtje. Në terma arketipash historikë të kulturës popullore, Rihana është një “rebele e re”, njësoj si  Brigitte Bardot me këmbët e zhveshura në rërë dhe flokët e zbardhura nga dielli. Me erotizmin e saj magnetik dhe me netët e palodhshmen e të zjarrta ngjan shumë me Ava Gardnerin energjike, uria e së cilës për seksin dhe alkoolin nuk shuhej kurrë, po aq sa dhe përballjet fizike me të dashurit.

Nëse Rihana do të vazhdojë të mbajë këtë trajektore krijuese mbetet për t’u parë, por nuk ka dyshim mbi faktin se është një artiste e rëndësishme bashkëkohore, e cila falë sukseseve të shumta meriton respekt dhe admirim./D.Gjuzi

rihanna-1809752822

Rihanna-05-485x728

Rihanna-smoking-hot-for-GQ-rihanna-32876436-2560-1600

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *