Rihapja e “Doktoraturave”/ Tarifa dhe programet për të cilat do të garohet tek Mjekësia!   

Ornela

Pranvera Kola

Janë 34 profilet e studimit në të cilat do të zhvillohen studimet e ciklit të tretë të “Doktoratës” në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës. Në vendimin e marrë së fundmi nga Bordi i Administrimit të këtij institucioni të arsimit të lartë, janë përcaktuar jo vetëm fushat e studimit në të cilat do të hapen apo riorganizohen studimet e ciklit të tretë në mjekësi, por edhe tarifa e ndjekjes së studimeve për kandidatët që do të jenë fitues në secilin program.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar 26 profilet mjekësore për të cilat do të mund të konkurohet për studimet e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë, tre programet në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, 3 programe në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, si dhe dy programet e doktoratës së përbashkët që do të zhvillohen me Universitetin e Bolonjës në Itali. “Tarifa e studimit për programet e ciklit të tretë në Universitetin e Mjekësisë do të jetë 600,000 lekë sipas propozimit të unifikuar të departamenteve përkatëse të njësive kryesore që janë pjesë e këtij institucioni”, saktësohet në vendimin e miratuar nga Bordi i Administrimit i UMT-së.

Sipas kushteve të përvaktuara në ligjin e arsimit të lartë, studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë ose njësia kryesore. Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë në lidhje me kriteret për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është edhe njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve ndërkombëtare të licencuara nga MASR në vendin tonë.

Krahas studimeve të “Doktoratës”, Bordi i Administrimit gjithashtu ka vendosur të miratojë të pandryshuar edhe tarifën e konkurimit në programet e studimeve po të ciklit të tretë të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, e cila do të vijojë të jetë në masën prej 5,000 lekësh. Po ashtu, e pandryshuar mbetet edhe tarifa e aplikimit për transferimin e studimeve në programet e specializimeve, që do të jetë sërish në masën e 5,000 lekëve. Ndërsa tarifa vjetore e shkollimit për studentët që ndjekin një program specilizimi afatgjatë do të jetë në masën e 115,000 lekëve. Sipas vendimit të përcaktuar të gjithë studentët që do të shpallen fitues për të ndjekur këto programe studimi do të duhet që të arkëtojnë menjëherë 30 për qind të tarifës vjetore të shkollimit, ndërsa këstet e tjera do të paguhen sipas afateve dhe masës që përcaktohet nga vetë fakulteti. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së plotë të vitit akademik ku vijojnë studimet.

Në garë për programet e specializimeve kanë të drejtë të përfshihen të gjithë kandidatët që plotësojnë këto kushte: kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave”, por që kanë kryer njesimin e diplomës pranë MASR. Edhe këta kandidatë duhet të kenë fituar edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *