Rikonstruksion të plotë të rrjetit elektrik në Qytetin Studenti

Saimir Lleshi

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë do të investojë 47.5 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të 10 kabinave ekzistuese dhe ndërtimin e dy kabinave të reja në zonën e Qytetit Studenti në Tiranë. Gjithashtu, do të eliminohen të gjithë linjat ajrore të rrjetit 6 kV që janë aktualisht në Qytet Studenti.

“Është pjesë e të gjitha investimeve që Operatori i Shpërndarjes po kryen jo vetëm në qytetin e Tiranës por në të gjithë vendin. Kjo është një zonë që e paguan në mënyrë të rregullt energjinë, por këtu kemi një rrjet shumë të vjetër të shpërndarjes, i ndërtuar që në vitet 60’. Janë mbi 2500 abonentë që përfitojnë nga këto investime që do të kryhen”, tha administratori i OSHEE-së, Ardian Çela.

Ai shtoi se vetëm në qytetin e Tiranës janë rreth 2.5 miliard lekë investime që janë në proces në zona të ndryshme.

Ndërkaq, zv.ministri Ilir Bejtja deklaroi se kompania dhe ministria kanë ndjekur politikën që jo vetëm të luftohen lidhjet e paligjshme, vjedhjet apo mospagesa, por ti kthehemi konsumatorit me investime. Sipas tij, janë pagesat e energjisë që tanimë po mundësojnë kryerjen e investimeve të munguara.

“Me gjithë kakofoninë e krijuar gjatë këtyre ditëve, është mirë që njerëzit ta dinë se ky sektor erdhi nga kolapsi dhe tanimë po kthehet në një sistem që vetmbahet, financohet, investon, rrit cilësinë e investimit dhe nuk mobilizon asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit. Ishin 150 deri 170 milion euro në vit humbje nga sistemi energjitik dhe tanimë ato para mund të përdoren kudo në sektorët e ekonomisë”, u shpreh Bejtja.

Investimi në Qytetin Studenti pritet të përfundojë brenda tre muajsh nga data e nisjes së punimeve dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji. /Dita/

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *