Rikonstruksioni, “Elbasan Arena” është gati më 4 tetor

redaktor

Elbasani pritet të luajë në shtëpi më përpara nga sa ishte menduar. Stadiumi i ri i programuar për të qenë gati më 11 tetor në sfidën e përfaqësueses Shqiptare ndaj Danimarkës mund të hapë zyrtarisht dyert një javë përpara. Kështu nëse ritmi i punimeve do të ecë kështu si deri më tani, atëherë me shumë mundësi do të jetë Elbasani që do të përurojë stadiumin me sfidën ndaj Apolonisë e programuar për fundjavën e 4 tetorit. Burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se po bëhet maksimumi që të arrihet diçka e tillë, për vetë faktin se përpara ndeshjes me Danimarkën duhet një provë gjenerale për Elbasan Arena, shtëpinë e re të kuqezinjve të De Biasit.

Për momentin kjo mbetet një dëshirë, por që mund të marrë konfirmimin pas datës 20 shtator kur të shihet se në ç’pikë kanë arritur punimet në stadiumin e ri. Të njëjta burime nga institucioni më i lartë i futbollit në vend, theksojnë se dëshira për të bërë gati stadiumin e ri për fundjavën e 4 tetorit është e madhe në mënyrë që sfida Elbasani-Apolonia të shërbejë si një provë për impiantin e ri për të evituar çdo të papritur për sfidën e madhe të 11 tetorit ndaj Danimarkës. Sipas kalendarit skuadra e Elbasanit duhet të luajë larg shtëpisë dy ndeshje të kampionatit të programuara për në “Elbasan Arena”, atë ndaj Teutës dhe Flamurtarit si dhe sfidën e Kupës së Shqipërisë ndaj Shkumbinit. Nëse diçka e tillë do të realizohet atëherë Elbasani do të ketë mbështetjen e tifozëve në stadiumin e ri në një përballje ndaj rivalit direkt si Apolonia.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *