Rikonstruktohen të gjitha godinat e pallateve “Hawai”

Leda Hysa

“Fondi i Komuniteteve” një nismë e Bashkisë së Tiranës u krijon mundësinë qytetarëve të rikonstruktojnë pallatet e tyre. Pas suksesit me pallatet e para “Hawai” në Rr. “Andon Z. Cajupi” në Njësinë 5, këtë mundësi e kanë pasur edhe banorët e godinave të tjera në këtë bllok banimi, të cilët i kanë dhënë një pamje krejt të re banesave të tyre, ndërkohë që Bashkia e Tiranës është duke punuar për rehabilitimin e rrugëve dhe të trotuareve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i lumtur që nisma po jep frytet e saj në kryeqytet dhe ftoi qytetarët e tjerë që të zgjedhin administratorët e pallateve për të përfituar nga “Fondi i Komuniteteve”.

“Filluam para pak muajsh me ato që ishin pallatet e para të ‘Arabit’ dhe banorët e tjerë e panë se si po dilte në dritë pallati ngjitur, ndaj filluan edhe ata të marrin nga energjia pozitive e transformimit. Thirrja ime për të gjithë banorët është: Ky është viti kur kemi financuar më shumë projekte komunitare, ndaj i ftoj që fillimisht të zgjedhin administratorin e pallatit të tyre dhe pastaj të aplikojnë. Ky është një pallat i cili deri dje dukej një katrahurë; sot as kabujt nuk duken më”, deklaroi ai.

Veliaj nënvizoi se përmirësimi i infrastrukturës ka sjellë edhe rritje të vlerës së pronës për qytetarët. Ndaj, ai kërkoi prej të gjithë banorëve që të tregohen bashkëpunues dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi të ofruar nga Bashkia e Tiranës.

“Fakti që sot veshja me kapotë e rrit ngrohjen deri në 4-5 gradë dhe për dy-tre vjet nxjerr koston e investimit dhe të pagesës modeste të çdo familjeje, është një formulë që ia vlen. Ndaj, ftesa për banorët është: Kopjoni më të mirët dhe nëse investimet në horizontal po e nxjerrin lagjen në dritë, po bëhen rrugët, rreth-rrotullimet, trotuaret, këndet e lojrave, duhet që edhe në vertikal të kemi të njëjtën cilësi. Kur qytetarëve s’u shkel këmba në baltë, ama edhe shkojnë në një shtëpi me ambient të ngrohtë, do të thotë se ky është një qytet ku ia vlen të investosh dhe ia vlen të jetosh”, tha Veliaj.

Gjatë këtyre katër viteve Bashkia e Tiranës ka realizuar një sërë investimesh të rëndësishme që kanë sjellë dhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të mirëmbajtur hapësirat e përbashkëta.

“Kemi bërë shumë punë këto katër vite, por një ndër gjërat për të cilën jam më shumë krenar është që këto katër vite kemi mësuar të jetojmë bashkë. Secili për vete, Zoti për të gjithë ishte një formulë që nuk funksiononte më për Tiranën; ama të gjithë bashkë, për të mirën e përbashkët, për një pallat të përbashkët, një hapësirë të përbashkët, një rrugë, kopësht, shkollë, çerdhe të përbashkët, kjo formulë funksionon dhe më vjen mirë që vatra e së mirës po përhapet. Deri dje përhapej vatra e së keqes, e pisllëkut, vatra e ndotjes, vatra e zaptimit; sot po përparohet vatra e së mirës”, shtoi Veliaj.

Administratori i Pallateve “Hawai”, Adem Cenmurati vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për ndihmën e dhënë, duke theksuar se falë këtyre investimeve janë përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve të këtij blloku.

“Ishte shumë problematike sa i përket fasadës. Banorët, pasi panë investimet që u bënë tek kullat përballë, ishin të interesuar për këtë ndërhyrje dhe shprehën gatishmërinë për të aplikuar dhe vë re se sa më shumë punë të bëhen në këtë lagje dhe njerëzit janë më të ndërgjegjshëm e të ndjeshëm ndaj problemeve, e ruajnë më shumë pronën e tyre”, nënvizoi ai.

Pallatet “Hawai” njihen si banesat e para që u ngritën në Tiranë gjatë periudhës së tranzicionit, të cilat deri pak javë më parë ishin në një gjendje të degraduar.

l.h/ dita

Share This Article
2 Comments
  • Pallatet “Hawai” te mashtruesit egjyptian El Sayed te ndertuara me:

    MATERIALE TE VORFNA

    Jane si Banka amerikone ABI e Lindes se Edvinit per te lare dhe shpelare parate e pista te Mafies dhe Mashtruesve alla Bashkim Ulaj&Lukuni.

  • Mashtrime Veliaj,Mashtrime po ben si gjithmone!
    Nuk tu hap barku per qytetaret,por kete po e ben per imazhin e pushtetit tend mashtrues!
    Keto pallate jane ne rruget kryesore,qe bien ne sy nga te huajt,gazetaret etj,per tu treguar atyre se sa bukur e ke bere Tiranen ti!
    Ata nuk e dine se ti ne brendesi i ke lene ne mizerje mijra banore sic ke vepruar per 4 vjet ne Yzberisht (Astir) ku nuk ke investuar asnje lek per 50 mije banore!
    Na ke diskriminuar njelloj sic vepronte edhe kjlika e Tito-Rankovicit me Kosoven,qe milionat i hidhte ne Serbi,Kroaci etj,ndersa ne Kosove vetem therrime!
    Te pakten ai i quante kosovaret ARMIQ,por ti nuk e dime se cfare na quan ne banoreve te Yzberishtit?
    Mallkuar qofsh ti dhe Rama!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *