Numëron kaloritë, bën kujdes për peshën dhe kontrollon sasinë e alkoolit që konsumon. Bridget Jones nuk ka ndryshuar aspak si tip, por jeta e saj po. Vazhdon të jetë e fiksuar me peshën, por tashmë ka e shqetëson edhe një numër tjetër: ai i ndjekësve në Tuiter.
Gafat që bën e vendosin në situata të vështira dhe ditari mbetet ai që i hap zemrën në fund të ditës. Ndryshimi është se Bridget është tashmë 51 vjeçe (por thotë se është shumë më pak), flet për rrudhat, thinjat dhe sikletet e moshës.
Në librin e tretë të sagës, i cili mban titullin “Mad About The Boy», i cili pritet të dalë këtë muaj, personazhi i krijuar nga shkrimtarja Helen Fielding është rritur. Nuk lufton më për dashurinë e simpatikut Mark Darcy. Në fakt, dashuria e tyre është kurorëzuar në martesë e vite më pas, Mark ka vdekur. Bridget është një vejushë me dy fëmijë.
Dashnori riosh
Pavarësisht fatit të keq, Bridget, e cila në ekran identifikohet me fytyrën e aktores Renée Zellwegger, nuk ka rënë në dëshpërim. Nga vdekja e burrit (Colin Firth në film), te lindja e një dashurie të re nuk kalon shumë kohë.
Veçse kësaj here, aventura vazhdon me një partner më të ri në moshë. Një “toyboy” pothuajse 30 vjeç, të cilin e njeh në Tuiter; një lidhje jo dhe aq e lehtë për shkak të diferencës së moshës.
Kritikat e fansave
Adhuruesit e dy librave të tjerë nuk e kanë pëlqyer kthesën e madhe në jetën e Bridget Jones, në mënyrë të veçantë vdekjen e Mark Darcy-t. Për ta, eliminimi i këtij personazhi është njësoj si të vrasësh princin e kaltër. Për pasojë, kanë nisur hipotezat se libri i tretë nuk do të ketë suksesin e dy të parëve (të publikuar në 1995 dhe në 1999), të cilët kanë shitur mbi 15 milionë kopje.
Arsyeja e nxjerrjes së Darcy-t nga skena supozohet se lidhet me jetën private të shkrimtares. Libri duket se ka nota autobiografike, pavarësisht se autorja e ka hedhur poshtë një supozim të tillë. Nuk është rastësi që njësoj si Bridget, Helen Fielding është 55 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe e divorcuar në vitin 2009. Analogjitë janë të dukshme. / Përgatiti: Gazmira Sokoli
