Rikthehet struktura e vjetër arsimore 5+4+3

anazapta

Nisja e vitit të ri shkollor do të shoqërohet me një sërë ndryshimesh, të cilat nuk prekin vetëm strukturën mësimore, por edhe ndryshueshmërinë e teksteve që do të përdoren nga nxënësit. Sipas përcaktimeve të bëra në Raportin e Reformës së Arsimit Parauniversitar është  vendosur që të rikthehet struktura e vjetër arsimore 5+4+3, që ndiqet aktualisht edhe në sistemin arsimor të Kosovës. Rikthimi i kësaj strukture, ku 5 vjet i përkasin fillores, plus katër të tjera që do të plotësojnë arsimin e detyruar 9-vjeçar, ndërsa shkolla e mesme do të jetë me tre vite. Autoritetet e arsimit sqarojnë se sistemi arsimor nuk do të jetë më 6 +3+3 siç e parashikonte ligji i ri i arsimit parauniversitar, por do të ndiqet modeli i Kosovës dhe ai i disa vendeve evropiane 5+4+3. Rikthimi i sistemit të vjetër justifikohet nga autoritetet arsimore me faktin se modeli ekzistues nuk funksion më, prandaj ka nevojë për një reformim kundrejt rikthimit të cilësisë. Në këtë ndryshim parashikohet që ngarkesat e lëndëve të shmangen dhe nxënësit të orientohen më tepër drejt praktikës, se sa të mësuarit përmendësh. Kështu, duke shtuar orët e praktikës dhe thjeshtësimin e teksteve shkollore synohet që të mos vijohet më me mësimin përmendesh, që prodhon rezultate të dobëta siç ishin ato të raportuara në provimet e maturës shtetërore. Në thelb të kësaj reforme, frytet e të cilës do të zbatohen që në nisje të muajit shtator sigurohet që tekstet e nxënësve do të jenë më të thjeshta, pa ngarkesa dhe shumëllojshmëri alternativash rreth të njëjtës lëndë. Aktualisht ka nisur puna për hartimin e programeve lëndore që nga e para, të cilat më pas do të jenë të njëjta me ato që do të përdoren edhe në shkollat e Kosovës. Gjatë viteve të fundit mësuesit dhe nxënësit janë ankuar pasi tekstet e mbingarkuara, me gabime dhe përsëritje janë bërë pengesë e procesit mësimor. Një tjetër risi që parashikon reforma është edhe trajnimi që do t’u bëhet të gjithë arsimtarëve për mënyrën se si duhet të zhvillojnë procesin mësimor dhe se si do ti përçojnë dijet tek nxënësit. Gjatë vitit të ri shkollor tekstet e reja do te pilotohen ne disa shkolla për t’u shtrire më pas në të gjithë vendin. “Qasja e re ndaj kurrikulës, duke e bazuar atë në kompetenca, paraqet një zhvendosje domethënëse nga kurrikula tradicionale, duke e përafruar me kurrikulat e vendeve evropiane dhe kërkon ndryshime të thella, që prekin të gjithë sistemin arsimor, dokumentacionin kurrikular, organizimin dhe vlerësimin e nxënieve, reformimin e sistemeve të formimit fillestar, të kualifikimit dhe të zhvillimit profesional të burimeve njerëzore në punë, deri tek infrastruktura fizike e institucioneve arsimore”, ka deklaruar gjatë prezantimit të këtij raporti për reformën ministrja Lindita Nikolla. Grupi i punës, i mbledhur që në muajin nëntor 2013-të, ka hartuar raportin paraprak, pas konsultimeve me ekspertë nga vendit dhe Kosova. Gjatë këtij muaji dhe me nisjen e vitit të ri shkollor do të zhvillohen trajnime me mësuesit, ndërkohë që risia e kësaj reforme është se për herë të parë është projektuar pilotimi i kurrikulës në disa klasa, deri në hyrjen në zbatim të plotë të saj në periudhën 2018-2019.  Ministrja Nikolla tha se modeli është përshtatur sipas përparësive të politikës tonë arsimore. Ai do të sigurojë kalimin nga përqendrimi mbi përmbajtjet lëndore dhe kohën mësimore, drejt një gjendjeje të re, që thekson rezultatin e nxënies (njohuri, shkathtësi, vlera, qëndrime etj.).

 

Rikthimi i strukturës së vjetër

Struktura e sistemit . Janë njësuar nivelet arsimore të sistemit tonë me të sistemit kosovar (5+4+3) dhe do kalohet nga viti shkollor, si njësia bazë e kohës mësimore, tek shkalla e kurrikulës, që zgjeron me më shumë se një vit kohën e nevojshme për nxënësit që të arrijnë rezultatet e të nxënit përcaktuar për secilën shkallë. Shkalla kurrikulare i lejon shkollat dhe mësuesit të përshtatin më mirë nxëniet me ritmet dhe stilet e nxënësve. Gjithashtu ky ndryshim do të lejojë mësuesit dhe specialistët e tjerë të koordinojnë më mirë përpjekjet e tyre, që nxënësit të përparojnë sipas aftësive dhe të nxiten për të bërë më të mirën e tyre të mundshme.

 

Fushat e përbashkëta me Kosovën

Kurrikulat e përgatitura kanë pesë fusha të përbashkëta, ndërsa fushat “Shëndetit/mirëqenia” dhe “Jeta dhe puna”, të kurrikulës së Kosovës, në modelin tonë kurrikular, janë përshtatur si fusha “Edukim fizik, sporte dhe shëndeti dhe “Teknologjia dhe TIK-u”. Përshtatja do të sjellë disa ndryshime jo thelbësore në Kurrikulat bërthamë për nivelet arsimore. Gjithashtu, specialistët e hartimit të kurrikulës, nisur nga vështirësitë dhe sfidat që formulon kurrikula e re për mësuesit, për drejtuesit, për trajnuesit, për vlerësuesit dhe për hartuesit e teksteve shkollore, po diskutojnë mundësinë e përgatitjes së programit mësimore, instrument të cilin nuk e përmban kurrikula e Kosovës.

Brendia dhe në hierarkia e dokumenteve kurrikulare.

Zhvendosja nga pedagogjia me objektiva (përmbajtja lëndore si qëllim i nxënies) drejt qasjes bazuar në kompetenca (përmbajtja lëndore si mjet për ndërtimin njohurive të reja dhe të kompetencave), tejkalon konceptin e lëndës dhe promovon si instrument kurrikular konceptin e fushave të nxënies. Fushat pasqyrojnë arritjet, mendimet, çështjet, zbulimet dhe kufizimet e njerëzimit. Ato qarkojnë aspekte të ndryshme të kulturës dhe grupojnë lëndë që janë të lidhura ose kanë fokuse të përbashkëta.

 

Profili i nxënësit. Pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, pritet që:

Nxënësi të komunikojë në mënyrë efektive.

Nxënësi të mendojë në mënyrë krijuese.

Nxënësi të dijë si të mësojë vetë.

Nxënësi të kontribuojë në mënyrë produktive.

Nxënësi të bëjë jetë të shëndetshme.

Nxënësi të përkushtohet ndaj të mirës së përbashkët.

Nxënësi të përdorë teknologjinë për të nxitur inovacionin.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *