Ish-ambasadori amerikan më popullor në Shqipëri do jetë në qytetin e flamurit në datën 27. Ftesa është bërë nga Bashkia e Vlorës dhe prezenca është konfirmuar dje
Aida Nako
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, do rikthehet në Shqipëri për herë të parë pas mbarimit të mandatit. Burimet bën të ditur dje për gazetën DITA se ish-ambasadori do të jetë në vendin tonë për 100 vjetorin e pavarësisë, i ftuar nga Bashkia e Vlorës. Zoti Uidhers, do jetë në Vlorë në datën 27 nëntor për të marrë titullin Qytetar Nderi i Vlorës. Ftesa e bashkisë më të rëndësishme në festimet e 100 vjetorit është bërë disa ditë më parë dhe konfirmimi i vizitës nga z.Uidhers është bërë dje.
Uidhers është një nga njerëzit më popullorë në Shqipëri, dhe është angazhuar edhe pas largimit të tij në prononcime dhe intervista mbi situatën në vend, duke shprehur në vijimësi shqetësim për përkeqësimin e standarteve të demokracisë shqiptare.
Xhon Uidhers (John L. Withers, II) ka qenë ambasadori i dymbëdhjetë i SHBA-së në Shqipëri. Ai u emërua në korrik të vitit 2007 dhe qëndroi deri në gusht të vitit 2010. Njihet si ambasadori më popullor i SHBA-së në Tiranë duke qenë mjaft aktiv në shumë situata.
Në mars të vitit 2008 kur ai iu bashkua fuqimisht zërit qytetar në Shqipëri që kërkonte drejtësi për ngjarjen e Gërdecit, Berisha thuajse e shpalli person të padëshiruar. Kabllogramet e Ëikileaks të publikuara më pas treguan se Uithers kishte një seri vërejtjesh për mënyrën si Sali Berisha qeveriste vendin. Me largimin e tij nga Shqipëria, Uithers u tregua dhe më i drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Ai u shpreh pak muaj më parë se vendi është në buzë të humnerës. Aktualisht ai jeton me familjen e tij në Maryland të SHBA-së. Ka paralajmëruar se do të flasë hapur vazhdimisht për Shqipërinë dhe i ka bërë disa herë thirrje shqiptarëve që të mos e lënë vendin të shkojë drejt një gremine dhe rruge pa kthim. E ka mbajtur fjalën. Lidhur me kabllogramet, të cilat njerëzit e kryeministrit shqiptar i quajtën “limonata” ka thënë: “Amerika nuk gënjen asnjëherë”.
“Patriotët e 1912-s do trishtoheshin nga një qeveri si e sotmja”
Intervista e ish-ambasadorit Xhon Uidhers: “Ngrini zërin dhe në fund keni për të fituar…”
Në këtë intervistë me gazetarin Skënder Minxhozi, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers e lidh situatën e sotme me 1912-n. “Nëse këta patriotë do të mund të flisnin sot, nuk kam asnjë dyshim që do të na thoshin se ëndrra e 1912 ende nuk është përmbushur dhe se lufta për liri nuk është fituar akoma” – thotë ai.
Zoti Ambasador, Ju keni ngritur zërin për të mbështetur përparimin e parimeve dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Pasi jeni larguar nga Shqipëria si do ta përshkruanit gjendjen e demokracisë në vendin tonë sot?
Më lejoni që t’i përgjigjem kësaj pyetje në këtë mënyrë: një shekull më parë, një grup i vogël patriotësh shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i huaj dhe ngriti flamurin e Skënderbeut në truallin shqiptar, për herë të parë pas pesëqind vjetësh. Ato ngjarje do të festohen me krenari nga shqiptarët anembanë botës, këtë vit. Burrat dhe gratë e guximshme që ngritën atë flamur në Vlorë në 28 nëntor 1912 kishin pak armë dhe burime. Ata përballeshin me armiq në çdo anë. Por ata ishin të frymëzuar nga traditat e mëdha liridashëse të popullit tuaj dhe parimet vizionare të presidentit amerikan Woodroë Wilson, një shembull i vlerave demokratike universale. Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij shpresonin ta ndërtonin shtetin e tyre të porsalindur mbi këto vlera. Por çfarë do të mendonin vallë ata patriotë të mëdhenj shqiptarë, nëse do të shihnin se si është politika e sotme shqiptare? A nuk do të pezmatoheshin ata po të shihnin sesi po tkurren ato liri, për të cilat ata luftuan me aq trimëri dhe përballë vështirësish aq të mëdha, nga një qeveri moskokëçarëse? A nuk do të trishtoheshin ata po të shihnin sesi po abuzohet me idealet demokratike për të cilat ata sakrifikuan aq shumë, nga zyrtarë të etur për pushtet e që përpiqen me dëshpërim vetëm për të mbajtur pushtetin? Nëse këta patriotë do të mund të flisnin sot, nuk kam asnjë dyshim që do të na thoshin se ëndrra e 1912 ende nuk është përmbushur dhe se lufta për liri nuk është fituar akoma.
Zoti Ambasador, në media ka një debat të madh në lidhje me nevojën për një ndryshim madhor të elitës politike në Shqipëri. Klasa politike nuk ka ndryshuar që kur ju u larguat nga vendi. Cili është mendimi juaj?
Ajo që duhet të ndryshojë më shumë se çdo gjë tek elita politike shqiptare është mentaliteti. Sot, klasa qeverisëse shqiptare i përmbahet një koncepti të vjetër, e madje regresiv, se gëzon privilegje në raport me njerëzit e zakonshëm, se ka imunitet nga sundimi i ligjit, se nuk i nënshtrohet vullnetit të popullit. Asgjë nuk ka influencuar për të minuar progresin drejt demokracisë që i duhet vendit, më shumë sesa këto qëndrime arkaike të njerëzve me pushtet. Shqipëria është një demokraci e re. Gjatë më shumë se njëzet vjetëve që kanë kaluar që prej rënies së komunizmit, nevoja e saj më e madhe ka qenë ndërtimi i institucioneve kyçe të një demokracie: një gjyqësor të pavarur dhe të besueshëm, një media të çliruar, një sistem elektoral që është realisht i lirë dhe i ndershëm, një shtet ligjor që e lufton realisht korrupsionin dhe që është njësoj i vlefshëm si për ata me pushtet, ashtu dhe për ata pa pushtet, një kulturë politike që është e aftë të arrijë konsensusin për çështjet e mëdha që lidhen me interesin kombëtar, një përqendrim i pareshtur për t’iu përgjigjur nevojave të popullit.
Asgjë prej këtyre nuk është arritur. Shikoni qeverinë aktuale. Vepra që ka lënë pas shkon tërësisht kundër ndërtimit të demokracisë. Ajo ka kanosur gjykatat në mënyrë rutinë, madje edhe nën fasadën e një ligji antikushtetues lustracioni. Ka sulmuar në mënyrë poshtëruese zyrën e Prokurores së Përgjithshëm, teksa ajo përpiqej të gjente përgjigje për tragjeditë që ndodhën në Gërdec dhe në 21 Janar 2011. Është përpjekur të kufizojë liritë e medias, përmes ligjeve shtrënguese dhe jodemokratike dhe përmes presionit ndaj ambienteve në të cilat funksionon media. Dhe rast pas rasti, ajo ka manipuluar dhe të drejtën demokratike më themelore, procesin elektoral. Është e trishtueshme, që përkundrejt gjithë punëve të mira që mund të kishte bërë një qeveri largpamëse, reformiste dhe pro demokracisë, kjo qeveri ka treguar një interes aktiv, e madje obsesiv, vetëm për një objektiv: pushtetin, me çdo mënyrë që ka në dorë. Sikur ta kishte përdorur mandatin e saj qeverisës për të avancuar parimet demokratike, ky komb do të kishte ecur shumë përpara. Por siç vërejmë, një mundësi e madhe është humbur.
Më lejoni të jem i qartë. Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk janë thjesht politikanë më rinorë, por një mentalitet i ri. Burrat e vërtetë të shtetit, si Nelson Mandela në Afrikën e Jugut apo i ndjeri Vaclav Havel i Republikës Çeke, ishin burra në moshë mjaft të madhe, por besimi tek idealet demokratike ishte thelbi i karakterit dhe qenies së tyre. Ky besim udhëhiqet çdo veprim që bënin dhe çdo vendim që merrnin. Për fat të keq, sot udhëheqësve shqiptarë, qoftë kur janë në moshën e Kryeministrit Berisha apo të Lulzim Bashës, ky besim ju mungon. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë, që të gjejë të tjerë udhëheqës – burra dhe gra, të vjetër apo të rinj, të çfarëdo feje apo etnie – tek të cilët flaka e demokracisë vazhdon të shndrijë.
Ju keni qenë mjaft kritik ndaj mënyrës sesi zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Një nga kabllogramet e ËikiLeaks, të dërguara gjatë mandatit tuaj si Ambasador, shkruan se pavarësisht njëfarë progresi “Shqipëria mbetet një vend ku janë të pranishme manipulimet, abuzimet elektorale dhe praktika të tjera negative.” Vazhdoni të jeni i të njëjtit mendim?
Unë nuk mund të komentoj mbi elementë specifikë të raporteve të ËikiLeaks. Në lidhje me pyetjen më të gjerë, mbi shkeljet elektorale në Shqipëri, historiku i trishtë i zgjedhjeve të fundit shqiptare flet vetë. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 thjesht nuk i përmbushnin standardet e pranuara ndërkombëtare, pavarësisht përpjekjeve të mazhorancës qeverisëse për t’i shtrembëruar raportet ndërkombëtare, për të provuar të kundërtën. Ndërsa votimet për bashkinë e Tiranës vitin që shkoi ishin një farsë dhe, për ta thënë troç, turpëruese për vendin.
Më lejoni të flas shkoqur: Nuk më intereson se cili kandidat fiton apo humbet. Por procesi duhet të jetë i ndershëm. Por kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e tregon veten se nuk është asgjë më tepër, se një vegël e partisë në pushtet, ndërsa Kolegji Zgjedhor tkurret përballë përmbushjes së detyrave themelore që parashikon mandati i tij, procesi është qartazi i pandershëm – dhe në mënyrë transparente jo demokratik. Unë e di që pas përfundimit të polemikave mbi zgjedhjet e vitit të shkuar, ka pasur thirrje për një reformë të mëtejshme elektorale. Për fat të keq, jam skeptik. Gjëra të tilla janë provuar edhe më parë. Nuk kanë funksionuar. Dhe as që nuk kanë për të funksionuar, derisa udhëheqësit shqiptarë të fillojnë t’i shohin zgjedhjet si një shprehje të padhunueshme të vullnetit publik dhe jo si një përpjekje për mbajtjen e pushtetit, përmes anashkalimit të të drejtave demokratike elementare. Për sa kohë nuk është zhdukur ky mentalitet, kam frikë se zgjedhjet në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë të njollosura.
Zoti Ambasador, cili është parashikimi juaj për të ardhmen?
Pavarësisht vështirësive për të cilat folëm, unë mbetem shumë optimist për Shqipërinë. Historia është në anën tuaj. Sot që flasim, teksa përballen me mundësinë e vazhdimit të sundimit me dorë të fortë, njerëzit anembanë botës janë duke kërkuar demokraci. Jo shumë kohë më parë, kjo ndodhi në Europën Lindore. Sot është radha e Lindjes së Mesme. Një ditë demokracia do të përhapet kudo. Sepse nëse historia na mëson një gjë, ky është mësimi më themelor, se nuk mund të tallesh me vullnetin e popullit. Në fund, fuqia e votës së tyre ka për të fituar. Historia po priret drejt demokracisë. Askush nuk mund ta ndalojë këtë, e padyshim as ata pak udhëheqës regresivë, të cilët, siç ka thënë Presidenti Obama “janë në anën e gabuar të historisë.” Shqipëria ka qenë gjithnjë në udhëkryqin e historisë. Dhe aty jeni sërish. Ngrini zërin për demokracinë tuaj, ngulni këmbë për të kërkuar të drejtën tuaj të lindur si një popull i lirë, dhe në fund keni për të fituar.
Intervista e plotë:
http://www.revistajava.al/kryesore-ne-kopertine/2012319/gerdeci-nje-akt-kriminal