Edmond Kapllani u shndërrua në njeriun e ditës te FSV Frankfurt, në Bundesligën 2 gjermane.
Sulmuesi shqiptar ishte vendimtar në fitoren 3-2 që skuadra e tij regjistroi në shtëpi përballë favoritëve të Bochum, duke realizuar golin e triumfit.
Kapllani u aktivizua si zëvendësues në të 83-ën dhe i mjaftuan vetëm tre minuta në fushën e lojës që të shënonte. Përveçse ishte goli i parë në gjashtë ndeshje të luajtura në këtë kampionat dhe faktit që i dha tri pikë FSV Frankfurt, rrjeta ka vlera të veçanta për sulmuesin. Për 33-vjeçarin sfida ndaj Bochum ishte jubilare, pasi ai regjistroi ndeshjen e 200-të në Bundesligën e Dytë. Një ditë e festuar në mënyrën më të mirë, duke marrë edhe vlerësimet e mediave prestigjoze gjermane, nga Kicker deri te Focus.
Të gjitha vlerësonin rikthimin e FSV Frankfurt pas disavantazhit fillestar 0-2, ndërsa Kapllani cilësohej heroi i ekipit. Sulmuesi tha se “ishte një fitore e rëndësishme” dhe u shpreh “i lumtur për ekipin” dhe për faktin se shënoi “në një ditë të veçantë”.
Kapllani kurorëzoi një fitore të kërkuar nga ekipi i Frankfurtit, që nuk u dorëzua për asnjë moment, megjithë avantazhin e dyfishtë të miqve me Terodde dhe Hoogland pas vetëm 23 minutave lojë. Vendasit nuk u dorëzuan dhe fillimisht Dedic shkurtoi shifrat, ndërsa në të 71-ën Florian Ballas riktheu barazpeshën. Në fund, ishte Edmond Kapllani ai që vulosi suksesin që e ngjit FSV Frankfurtin në vendin e nëntë në renditje.
https://www.youtube.com/watch?v=_PygVUSonfI
