Dërguar me email
në adresën e redaksisë
E mora spunton për të shkruar këto rreshta duke parë emisionin ku transmetohet konkursi “100 milionë” në TCh dhe u ktheva vite të shkuara prapa, në vitet ‘60 kur unë dhe brezi im ka mbaruar shkollën 8 vjeçare. Nuk ma do mendja se do të gjeje nxënës të asaj kohe që mos i njihnin kolosët e letërsisë shqipe, Dritëro Agolli e Ismail Kadare dhe të mos dinin vendlindjet e tyre, qoftë këta dhe me përparim të dobët në mësime, vetëm ndonjë rast i rrallë që mund të ishin të vonuar mendërisht. Kur dëgjova pyetjen nga regjia që kishte të bënte me vendlindjen e njërit prej këtyre shkrimtarëve, e konsiderova si një budallallëk të regjisë, sepse nuk ma donte mendja që të kishte njeri që të mos e dinte një gjë të tillë, aq më tepër pjesëmarrës në këtë konkurs që presupozohet të kenë njëfarë niveli të kulturës së përgjithshme, por zhgënjimin më të madh e pësova kur pashë dilemën për të vendosur të dy vajzave të reja për vendlindjen e Dritëroit dhe vendlindjen e Ismailit ta çosh në Berat. Do të doja të ishte kjo një lajthitje apo rast sporadik. Por jo, se dhe herë tjetër dëgjova në një TV që një edukatore kopshti fëmijësh apo shkolle fillore në një fshat të Librazhdit ju shpjegonte fëmijëve që pavarësinë e Shqipërisë e kishte shpallur Skënderbeu. A duhet të rrimë të qetë përballë këtij analfabetizmi funksional, të gjithë ne, shoqëria në përgjithësi e sidomos shteti dhe Ministria e Arsimit për këtë nivel të shkollës sonë? I.H., Elbasan.
