Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, për të rikthyer në krye të detyrës Haki Çakon, ka reaguar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat, ku ishte i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ishte veshur me uniformën, ministri tha se rruga për të moderinizuar Policinë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve gjithmonë do të hasë pengesa.
Ai ju referua akuzave të opozitës, por tha se çdo “plagë” që policia merr në rrugën për ndryshim, i shtyn akoma edhe më shumë për të ecur para.
“Jemi të bindur që rruga për të reformuar sistemin e drejtësisë, sapo ka nisur, ashtu siç beteja jonë për të garantuar që ligji të jetë i barabartë sapo ka nisur. Rruga për të reformuar policinë e shtetit është në drejtimin e duhur. Jemi të bindur që puna që kemi bërë deri më sot për të rritur besimin tek Policia, jemi në rrugën e duhur. Rruga jonë në këtë drejtim ka pengesa, vështirësi, sakrifica. Çdo plagë, gërvishtje që marrim rrugën na bën të bindur që jemi në rrugën e duhur për të garantuar një shoqëri më të drejtë”, tha Tahiri.
Referuar akuzave të sotme të opozitës se vendimi për të rikthyer Haki Çakon në detyrë është bërë nën presionin e qeverisë, kreu i Ministrisë së Brendshme tha se këto janë akuzat e segmenteve të caktuara të drejtësisë dhe të demokratëve që nuk e duan reformën në drejtësi.
