Lajme të mira për Atleticon e Madridit. Sulmuesi kroat Mario Mandzukic, i cili në sfidën që kampionët e Spanjës humbën në Athinë përballë Olympiacosit pësoi një dëmtim në hundë, po e merr plotësisht veten dhe mund të jetë i gatshëm për Los Colchoneros që në takimin e kësaj fundjave në La Liga ndaj Sevillias. Mandzukic është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës në dy ditët e fundit, duke e hedhur kështu pas krahëve dëmtimin e pësuar, edhe pse për të shkak të ndërhyrjes kirurgjikale që kreu ai vazhdon ta mbajë të fashuar hundën e tij.
Futbollisti kroat nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë skuadrën e Simeones këtë të Mërkurë në transfertën e Almerias, megjithatë e rëndësishme për trajnerin e argjentinas është që ta ketë të gatshëm Mandzukicin për ndeshjen e rëndësishme të mesjavës së ardhshme në Champions League përballë Juventusit, dhe duke parë përmirësimin e madh të 28-vjeçarit në ditët e fundit prania e tij në atë sfidë është thuajse e sigurt. Simeone ka si objektiv ta aktivizojë ish lojtarin e Bayernit që në fundjavë në takimin përballë Sevillias që gjithashtu do të ketë një rëndësi jo pak të vogël për Atleticon duke parë nisjen jo shumë të mirë që i kanë bërë kampionët e Spanjës sezonit të ri në La Liga. Kroati i ardhur këtë verë te Los Colchoneros është pa diskutim lojtari më i rëndësishëm i skuadrës bardhëkuqe në sulm. Mandzukic me golin e tij në sfidën e kthimit të Superkupës përballë Realit i dha trofeun e parë Alteticos në këtë sezon.
