Ka nëna heronjsh, ka edhe shtëpi-heroina. E tillë është kjo shtëpi e vëllezërve Frashëri, ngritur në vendlindjen e tyre. Cila si kjo i dha historisë shqiptare tre personalitete të fuqishme, tri mendje kaq të ndritura, tri zemra të mëdha?…Shtëpia e rilindasve të mëdhenj rilindi përsëri mbi themelet e saj të dikurshme, në prehër të maleve të Kokojkës e Qelqezës, qarkuar nga shkëmbinj si fortesa. Frashëri dhe kjo shtëpi e tij, janë larg e thellë maleve, por janë afër e thellë zemrave. Këtu ata lindën. Këtu kishin rrënjët. Dhe kjo shtëpi e tyre ha bukë veç. Sepse ha bukë veç vepra e tyre e pavdekshme. Ajo i shpërthen caqet e kohës kur ata lindën… Në sheshin para shtëpisë, tre bustet e tyre të punuara mjeshtërisht nga dora e Skulptorit të Popullit, lindur në këto vise, Odhise Paskalit. Na duket sikur ata kanë dalë të presin miq. Ashtu siç prisnin dikur luftëtarët e lirisë, fëmijët me abetare në dorë, atdhetarët e djegur nga malli…Zbresim të gjithë në dhomën e pritjes, në ambientin e ngrohtë familjar. Në vatër “digjet” zjarri. Rrimë mbi shilte dhe shikojmë fotografitë e familjeve të Të Treve. Pastaj një grua me emrin Naime, mbesa e poetit, sipas zakonit vendës, u afron të gjithëve nga një gotë raki. “Gëzuar”! “Një këngë”!…Për një çast heshtje. Pastaj një zë dhe isoja që e mbush: “Ngrehu, o Abdyl, nga varri, Se t’u mbarua qëllimi”!…Një tjetër këngë popullore: “Që të tre burra të ndjerë, Na nderuan mëmëdhenë”!…
U lumçin duart atyre që punuan për ngritjen dhe pajisjen e kësaj shtëpie-muze! Nderi dhe respekti ndaj bijve më të mirë të popullit është nder dhe respekt për vetë popullin.
*Fragment nga reportazhi i botuar me rastin e përurimit të shtëpisë muze të Vëllezërve Frashëri më 18 qershor 1974
***
Sot, më 25 Prill, Dita e Naimit në Frashër
Këtu e 20 vjet më parë, poeti ynë i njohur, Xhevahir Spahiu me një grup miqsh, mes tyre edhe ish-kryetarin e komunës së Frashërit, Tomorr Kotorrin, vendosën që më 25 prill të çdo viti të zhvilloheshin pelegrinazhe dhe aktivitete në Frashër. Ka 20 vjet me radhë që në bazë të kësaj tradite, Frashëri në këtë ditë merr gjallërinë e dikurshme. Vijnë këtu frashërllinj të larguar, njerëz të artit dhe të kulturës, historianë dhe akademikë, nxënës shkollash dhe studentë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët pasi vizitojnë shtëpinë muze të Vëllezërve Frashëri dhe teqenë po muze të Frashërit, zhvillojnë konferencën shkencore me të reja jo vetëm nga historia e Vëllezërve Frashëri, por edhe të gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Në krye të këtyre veprimtarive, si gjithmonë do të gjesh historianin sdhe organizatorin e palodhur, Kastriot Bezatin. Sot, psh, në Ditën e Naimit, atë e ke atje, në krye të detyrës, duke pritur miqtë…si zot shtëpie.
Ja ata që i dhanë emër Frashërit
Vëllezërit Abdyl, Sami, Naim Frashëri janë një nga pasuritë më të zëvendësueshme dhe të patjetërsueshme të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ata i dhanë emër vendit të lindjes së tyre, Frashërit, duke e kthyer në një simbol patriotizmi dhe atdhedashurie për çdo shqiptar.
Frashëri, një kupë qiell, por i ndritur mes malesh
Frashëri është dhe do të mbetet pa dyshim në zemrën e shqiptarëve vetë shpirti i Rilindjes sonë Kombëtare, panteoni më i plotë i diturisë e i ardhmërisë së Shqiptarëve, djepi i gjuhës së kulluar shqipe, yll ndriçues, guri kreysor vendosur në themelet e kulturës shqiptare. Një kupë qiell mes malesh është Frasheri, por që i dha aq shumë dritë dhe dituri Shqipërisë dhe Shqiptarëve, sa që nuk mund të ketë universitet në botë. Frashëri ka historinë e lavdinë e vetë. Është zona që ndër të parat ka zgjuar frymën kombëtare dhe ka ndikuar fuqishëm për të ngjizur kombin shqiptar. Në një farë mënyre Frashëri ka bërë Shqipërinë, ai është frymëmarrja e Shqipërisë.
Frashëri, siç e dëshmojne historianët, ka qenë qytet i zhvilluar e i njohur në tërë hapësirën juglindore. Por ajo çka e bën Frashërin monument të historisë dhe të kultures sonë kombëtare është vendlindja e vellezerve Frasheri, Abdylit, Naimit, Samiut, që tërë veprën dhe jetën e tyre, ata i dhanë Shqipërisë. Frashëri është një nga vatrat më të rëndësishme të bektashizmit me bashkëjetesë shembullore. Teqeja e Nasibiut dhe e Baba Alushit daton një nga teqet më të hershme e më të lidhura me çështjen kombëtare. Teqeja e Frasherit ishte jo vetëm shkollë e dijes dhe e mësimit në gjuhën shqipe, por ajo u bë edhe selia e Degës së Lidhjës Shqiptare të Prizerenit për Shqipërinë e Jugut. Për tërë vlerat e kontributet e bijve të dëgjuar të kësaj krahine, Frasheri zë një nga vendet e ndritura në historinë e popullit shqiptar. Ai nuk duhet prishur, nuk duhet të humbasë, pasi është një vatër e rëndësishme e krenarisë dhe e atdhedashurisë shqiptare.
Ç’mund të bëhet me Frashërin?….
Intelektualët e shumtë të Frashërit, të shpërndarë në gjithë Shqipërinë janë shqetësuar shumë këto kohët e fundit për vendlindjen e tyre. Ata janë mbledhur, kanë mbledhur edhe firmat, ku i luten qeverisë që në rastin e Frashërit të bëjë një përjashtim: ta lërë Frashërin qendër me një status të veçantë historik. E mbështesin këtë ide edhe në përvojën botërore. Ka shumë vende në botë, si në Zvicër, Austri, Francë e gjetkë, që nuk plotësojnë kriteret e tjera, por plotësojnë kriterin memoristik dhe janë lenë si qendra administrative, qyteza muzeale dhe historike. Dhe Frashëri nga kjo pikëpamje është një muze i gjallë, ka shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, ka teqenë historike, ka resurse të turizmit malor si në dimër dhe në verë, ka mundësi të tjera zhvillimi si të pemëtarisë, blegtorisë dhe bletarisë. Vetëm do kujdes dhe projekte, të cilat në vija të përgjithshme në lutjen e fundit të intelektualëve i janë paraqitur qeverisë dhe Kuvendit. Varet sa ata do të dëgjojnë.
Frashëri është quajtur “Meka” e shqiptarëve. Nuk e dimë a do të na e lënë këtë vend të falemi!…Në rast se jo, kjo do të jetë një fatkeqësi e madhe kombëtare!…
