Kryeministri shqiptar, Sali Berisha vijon të krijojë një amulli fiskale që e ka nisur që në fillim të vitit zgjedhor, e tani po e përforcon në ditët e fushatës së tij elektorale. Kështu dje në mbledhjen e ekzekutivit u miratua vendimi për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Kryeministri Berisha tha se kjo masë fiskale merret në kuadër të reformave të shpallura për mbështetjen e fermerëve dhe nxitjen e prodhimit bujqësor, ndërsa njoftoi edhe uljen e TVSH-së për industrinë turistike. “Prodhimi bujqësor, që është rritur me shpejtësi, sigurisht si destinacion ka eksportin dhe eksporti i perimeve është rritur 2-3 herë, por edhe konsumin e brendshëm si një faktor tjetër shumë i rëndësishëm. Dhe 4.7 milionë turistë e vizitorë padiskutim nënkupton një rritje të madhe të konsumit”, u shpreh ai. Në të vërtetë Shqipëria renditet si një prej vendeve ku barra fiskale për sektorin e turizmit është ndër më të lartat në rajon. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për sektorin e hotelerisë dhe të restoranteve është në nivelin 20%, çka sipas operatorëve turistikë, ndikon negativisht duke mos mundur të ofrojë shanse të barabarta konkurrimi. Vetë shoqata e e hotelierëve i ka kërkuar qeverisë shqiptare që TVSH-ja për sektorin e hoteleve dhe restoranteve të jetë në nivelin 8%, aq sa Turqia, Greqia apo Mali i Zi. Kjo është një kërkesë e përsëritur e sipërmarrësve që operojnë në turizëm, por që me sa duket kryeministri ynë e ka parë të udhës ta marrë vendimin vetëm tani, edhe pse tashmë kostot e premtimeve elektorale do të rëndojnë më shumë për qytetarët shqiptarë dhe duket se nuk janë të studiuara mirë nga ekspertët fiskalë.
