Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) i është rikthyer normalitetit, me një ndikim shumë të vogël në operimet e fluturimeve një ditë pas shirave të rrëmbyeshëm që përmbytën shumë zona të Shqipërisë.
Të gjitha fluturimet po kryhen normalisht, përveç disa vonesave. Në një njoftim për shtyp TIA, bën të ditur se, më 30 Nëntor 2017, dy fluturime të cilat ishin parashikuar për t’u ulur në orën 21.50 janë devijuar. Dy fluturimet e Shoqërive Ajrore Pegasus Airlines dhe Blue Panorama, (BP) kanë zbritur në Shkup dhe Bari përkatësisht. Më vonë, Pegasus Airlines është ulur në Tiranë në orën 02.50 ndërsa Blue Panorama ka akomoduar pasagjerët në një hotel në Bari.
“Fluturimi BP është nisur nga Bari në orën 09.00 për të zbritur më pas në Tiranë në orën 09.35. – Shoqëritë Ajrore Turkish Airlines, Austrian Airlines dhe Alitalia kanë anuluar fluturimet e tyre të mesnatës për t’i operuar ato ditën e sotme më datë 1 Dhjetor. Pasagjerët e Fly Ernest me destinacion Milanon u nisën në orën 00.30 sapo kushtet e motit u përmirësuan në masë të mjaftueshme”, sqarohet në njoftim.
Sipas TIA-s, “më 1 dhjetor, fluturimet iu rikthyen normalitetit, edhe pse me disa vonesa të cilat janë njoftuar në faqen zyrtare të internetit të Tirana International Airport: www.tiranaairport. com. Deri në këtë moment për shkak të reshjeve, ka pasur vonesë për pasagjerët të cilët udhëtonin drejt destinacioneve si Roma dhe Stambolli”.
“Është e qartë se kushtet e këqija të motit kanë ndikuar në fluturimet e TIA-s me disa fluturime të anulluara dhe dy prej tyre të devijuara. Megjithatë, së bashku me shoqëritë ajrore dhe strukturat e Aviacionit Civil, është arritur që fluturimet të kthehen në normalitet me sukses”, sqaron TIA.
Në këtë situatë, TIA i ka dhënë përparësi sigurisë dhe gjen rastin të falenderojë të gjithë stafin e saj, si dhe të gjitha palët e tjera të përfshira në mbrojtjen e njerëzve në zonat e përmbytura. TIA mbështet solidaritetin për të gjithë palët e prekura nga përmbytjet dhe jo vetëm Aeroportin.
TIA i bën apel pasagjerëve të cilët zbresin në aeroportin e Tiranës të konsultohen me burimet zyrtare shtetërore përpara se të kthehen në shtëpi, si dhe të udhëtojnë me kujdes në rrugët e hapura për kalim.
