Urdhri i Ministrisë së Arsimit për ndarjen e plotë të kuotave për transferimin e studimeve dhe vijimin e programeve të dyta në 13 universitetet publike
Plot 200 kuota pranimi do të rihidhen sërish në garë për kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në programin e nivelit të dytë, Master Shkencor në universitetet publike të vendit. Nëpërmjet një urdhri të firmosur së fundmi, Ministria e Arsimit ka detajuar edhe ndarjen e kuotave që do të rishpërndahen për të 13 strukturat universitare që ofrojnë këtë cikël studimi në të gjitha rrethet. Krahas kandidatëve që do të aplikojnë për transferimin e studimeve master nga një universitet i rretheve drejt kryeqytetit , janë rezervuar edhe 100 kuota të tjera për kandidatët që duan të vijojnë studimet master si fakultet i dytë në degën e përzgjedhur. Fakultetet janë udhëzuar tashmë për çeljen e aplikimeve në të cilat do të pranohen kandidatët e rinj sipas kuotave të përcaktuara.
Për të siguruar një të drejtë studimi aplikuesit duhet të dorëzojnë pranë sekretarive mësimore në fakultetet përkatëse dosjen e dokumenteve të kërkuara. Dosja e dokumenteve duhet të ketë në përmbajtje: “ Fotokopje e noterizuar e diplomës së ciklit të parë të studimeve me listën origjinale të notave, fotokopje e dokumentit të identifikimit, 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit (2500 lekë) paguar në postën shqiptare, si dhe deklaratën që kandidati vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë “Master Shkencor” në institucionet e Arsimit të Lartë publik”. Pas mbylljes së aplikimeve komisionet e ngritura në secilin departament të fakultetit do të verifikojnë të gjitha dosjet një e nga një për të përcaktuar kandidatët që plotësojnë kriteret për të vijuar studimet e larta në këtë cikël gjatë vitit të ri akademik 2012-2013. Për programet ku kërkesat do të jenë më të larta se sa kuotat e miratuara përzgjedhja e fituesve do të bëhet nëpërmjet mesatares.
Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar rishpërndarjen e plotë të kuotave të përcaktuara për transferimin e studimeve, si dhe kuotat për vijimin e programeve të dyta studimore master. Gjithashtu është përcaktuar tashmë është edhe tarifa e shkollimit që do të paguajë secili kandidat për vijimin e studimeve në programin ku shpallet fitues. Kjo tarifë derdhet në disa këste sipas përcaktimeve të bëra nga vetë fakulteti. Një sërë kategorish përfitojnë edhe rimbursim të kostos së studimeve. Konkretisht bëhet fjalë për kandidatët që i përkasin shtresave sociale që vuajnë nga aftësi të kufizuara, janë invalidë para e tetraplegjikë, rrjedhin nga familjet e efektivave blu të rënë në krye të detyrës, gëzojnë statusin e jetimit, u përkasin romëve e egjiptianeve, shtresa të cilat do të paguajnë vetëm 50 për qind të tarifës së studimeve.
