Rinisin reshjet e borës në qarkun e Kukësit. Bora që vazhdon të bjerë i është shtuar sasisë së mëparshme dhe shtresave të akullit në rrugë, duke shkaktuar edhe probleme në qarkullimin e disa automjeteve.
Kështu, sipas të dhënave, probleme paraqiten në Zapod, Kalis, Shishtavec, Grykëcaj në Kukës, Margegaj dhe Lekbibaj në Tropojë si dhe Fajza në Has, ku trashësia e borës arrin në 25 cm.
Ndërkohë, policia rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që të përdorin zinxhirë në rrugët që lidhin këto komuna me qytetet Bajram Curri, Krumë dhe Kukës.
Përveç temperaturave të ulëta dhe reshjeve të borës, banorët e qarkut të Kukësit po përballen edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike. Ata thonë se gjatë ditëve të fundit, energjia elektrike është ndërprerë me dhjetëra herë.