Pas një mungese disavjeçare, Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës rikthen konkurrimet për pranimet e reja në studimet e ciklit të tretë të “Doktoraturës”. Duke nisur nga dita e hënë e datës 4 prill të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e përcaktuara për të vijuar studimet në këtë cikël. mund të aplikojnë duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara. Autoritetet e Fakultetit Ekonomik bëjnë me dije se kandidatët kanë një muaj afat për të bërë aplikimin për kuotat e doktoraturës.
“Afati i aplikimit zgjat një muaj nga data 4 prill deri më datën 6 maj”, bëjnë me dije burimet zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë. Konkurimi për vijimin e studimeve të larta të ciklit të tretë në Shkenca Ekonomike do të zhvillohen në nëfushat si: “Ekonomiks”, “Financë”, “Kontabilitet”, “Manaxhim”, “Marketing”, “Sisteme Informacioni në Ekonomi”, “Statistikë dhe Matametaikë e Aplikuar në Ekonomi”.
Kriteret e aplikimit
Janë detajuar edhe kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të konkurruar për studimet e ciklit të tretë në këtë fakultet. Për të garuar për këto kuota, studenti kandidat duhet të ketë përfunduar studimet e larta në Ekonomi në të paktën njërin nga nivelet e mëparshme të studimeve. Aplikuesi gjithashtu duhet që të zotërojë një diplomë të ciklit 4-vjeçar, apo një program të barazvlefshëm me të fituar jashtë vendit, si dhe të jetë i njohur nga organet kompetente. Po ashtu, duhet të ketë rezultate të larta në secilin nga studimet e kryera të ciklit të parë dhe të dytë. Të ketë mbrojtur një nga pesë gjuhët e huaja të BE-së sipas testeve ndërkombëtare të njohura nga MAS (anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht dhe frëngjisht). Një tjetër kriter konkurrimi është edhe fakti që ndaj aplikuesit duhet të mos jetë marrë masë disiplinore, apo të mos jenë gjetur shkelje të rregullave të etikës së kërkimit shkencor të të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale, apo shkelje të rregullave kundër plagjiaturës, si dhe të vetëdeklarojë se është në gjendje që të zbatojë standardet shkencore dhe etike në programin e studimeve.
Prioritetet në fazën e përzgjedhjes
Studimet e doktoratës ofrohen me prioritet për ata persona që e kanë detyrim ligjor kualifikimin e tyre në nivelin e tretë të studimeve për shkak të punësimit si personel në institucionet e arsimit të lartë. Prioritetet e shpallura janë: “Personel akademik i punësuar me kohë të plotë në Fakultetin e Ekonomisë të UT-së, si dhe fakulteteve të tjera të kësaj fushe në strukturat publike dhe private”. Prioriteti i dytë në përzgjedhje janë stafi akademik me kohë të pjesshme i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës kur është i punësuar me kohë të plotë në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Ndërsa prioriteti i tretë janë punonjësit e institucioneve dhe organizatave publike dhe jopublike që përfshihen në kërkim bazë ose të zbatuar, aktiviteti i të cilave lidhet me fushat e kërkimit të njësive bazë të fakultetit të Ekonomisë.
Dosja e aplikimit
Sikundër edhe u theksua më lart aplikimi do të bëhet me anë të dosjes. Dokumentacionin që duhet të përfshini në dosjen e aplikimit e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. “Kërkesa e studentit kandidat për të ndjekur programin e studimit të doktoratës në përputhje me fushat e shpallura nga njësia bazë ku aplikon duhet të përfshihet në dosjen e tij personale. Dorëzimi i dosjes së aplikimit me dokumentacionin e duhur bëhet pranë departamentit që ka programin me nënfushën ku aplikohet. Aplikimet do të pranohen çdo ditë pune në orarin 9:00-14:00.
Në varësi të programit ku do të aplikohet janë përcaktuar edhe kriteret specifike që duhet të përmbushin kandidatët që do të garojnë për kuotat e pranimeve të reja të vitit akademik 2022-2023. Sipas kushteve të përcaktuara më herët, studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë në lidhje me kriteret për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.
Studimet e doktoratës do zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar. Në rastet kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese. Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.
Tarifat e konkurrimit dhe regjistrimit si fitues
Sipas vendimit të marrë më herët nga Senati Akademik i UT-së, për të aplikuar në këto programe kandidatët duhet të paguajnë një tarifë prej 5,000 lekësh, ndërsa ndjekja e studimeve të këtij cikli do të kushtojë 450,000 lekë. Vetëm profesorët efektivë të Fakultetit të Ekonomisë mund të jenë udhëheqës të studimeve të doktoraturës.
Dosja e konkurrimit që duhet për të aplikuar për Doktoraturën:
- Kërkesën e kandidatit për nënfushën ku do të studiojë.
- Curriculum Vitae.
- Kopje të noterizuara të diplomave dhe suplementeve të tyre për ciklet e studimit të kryer.
- Certifikatë personale dhe fotokopje të Kartës së Identitetit ose të Pasaportës.
- Dëshmi e njohjes së gjuhës së huaj sipas testeve ndërkombëtare të rekomanduara.
- Deklaratë vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës.
- Vërtetim nga qendra e punës që vërteton se kandidati ka angazhim akademik pranë një institucioni të arsimit të lartë apo është personel kërkimor në një institucion të kërkimit shkencor bazë ose të zbatuar.
- Mandat pagesën e tarifës së përcaktuar të aplikimit për studimet e ciklit të tretë.
- Vetëdeklarimin të aplikantit se do të zbatojë standardet shkencore dhe etike të kërkimit shkencor të publikimit.
- Për të bërë një regjistrim të vlefshëm, çdo kandidat duhet të ketë siguruar edhe dy rekomandime nga personel akademik që kanë titullin “Profesor i asociuar” ose “Profesor” të cilët njohin mirë aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit
- Dëshmi dhe vërtetime në lidhje me kualifikime, trajnime, provime pasuniversitare ose artikuj shkencor programe shkëmbimi si Erasmus+, apo projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Certifikata për njohjen e programeve të përpunimit të të dhënave sasiore. (Excel të avancuar, Sata, Eviews, SPSS, etj).
Ku dorëzohet dosja e aplikimit?
- Nënfusha “Ekonomiks” në departamentin e Ekonomiksit, godina B kati i 4-t.
- Nënfusha “Financë” në departamentin e Financës, godina B, kati i 6-të.
- Nënfusha “Kontabilitet në departamentin e Kontabilitetit godina B, kati i 6-të.
- Nënfusha ” Manaxhim” në departamentin e Manaxhimit, godina B, kati i 5-të.
- Nënfusha “Marketing” në departamentin e Marketing-Turizmit, kati i 5-të.
- Nënfusha “Sisteme Informacioni në Ekonomi” dhe “Statistikë dhe Matematikë e aplikuar” ” në departamentin e SIZ, kati i 3-të.

Doktoraturat Shqiptare plagjatura…..as pine uje fare….shteti me me shume doktoratura per fryme e üa asnje Institut kerkimor….kulmi….98% plagjatura ti fusesh ne sistem per kerkim u del boja