Ripërkufizimi i Europës përballë valës së refugjatëve

Ornela

E vetmja mënyrë për të thyer këtë ngërç është që të lëvizim përtej tolerancës së thjeshtë të të tjerëve. Jo vetëm t’i respektojmë të tjerët: t’i japim atyre një luftë të përbashkët, meqenëse sot problemet tona janë të përbashkëta; të parashtrojmë dhe të luftojmë për një projekt pozitiv universal të bashkëndarë nga të gjithë pjesëmarrësit

(Vijon nga numri i kaluar)

Por përse ishte vrasja kaq për të qeshur? Gjatë karnavalit tradicional njerëzit e zakonshëm pezullonin rregullat normale të sjelljes dhe ceremonialisht e përmbysnin rendin shoqëror ose e kthenin atë kokëposhtë në një procedim me trazira. Karnavali ishte stina gëluese e gazit, e seksualitetit dhe e shfrenimit të prirë nga të rinjtë; dhe turma shpesh përfshinte torturë maceje në muzikën e saj të vrazhdë. Ndërkohë që talleshin me një brinarë ose me ndonjë viktimë tjetër, të rinjtë kalonin dorazi përreth një maceje, duke ia shqyer leshin për ta bërë të lëshojë mjaullima. Faire le chat, e quanin. Gjermanët e quajtën atë Katzenmusik, një term që mund të ketë rrjedhur nga mjaullimat e maceve të torturuara. Tortura e kafshëve, sidomos e maceve, ishte një zbavitje popullore përgjatë gjithë Europës së hershme moderne. Fuqia e maceve ishte e përqendruar në aspektin më intim të jetës shtëpiake: në seks. Le chat, la chatte, le minet ka të njëjtin kuptim në zhargonin francez, ashtu si ‘pussy’ në anglisht dhe kanë shërbyer për fëlliqësira për shekuj me radhë.

Pra, po sikur ta përfytyrojmë incidentin e Këlnit si një version bashkëkohor i faire le chat? Si një rebelim karnavalesk i të nëpërkëmburve? Nuk ishte shtysa e thjeshtë për përmbushje të burrave të rinj të uritur seksualisht – kjo mund të bëhet në një mënyrë më diskrete, të fshehur – ishte para së gjithash një spektakël publik i ngulitjes së frikës dhe poshtërimit, i ekspozimit të gjermanëve të privilegjuar ndaj pandihmshmërisë së dhimbshme. Natyrisht, nuk ka asgjë shëlbyese ose emancipuese, asgjë efektivisht çliruese, në një karnaval të tillë – por kështu funksionojnë karnavalet në fakt. Dhe ajo që ky qejf karnavalesk do të thotë është se askush nuk është thjesht një viktimë në këtë situatë. Është e vërtetë se Perëndimi (veçanërisht kolonizuesit e vjetër, Anglia dhe Franca dhe më vonë SHBA-ja) kohë më parë filluan të mbillnin erën – përmes ndërhyrjesh brutale koloniale, etj – dhe sot po korrin humnerën. Sidoqoftë, viktimat e tyre arabe gjithashtu ndajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë për brutalitetin karnavalesk: çfarë i bën ata fajtorë është mënyra se si ata e subjektivizojnë situatën e tyre të vështirë me anë të angazhimit në (vetë) shkatërrim nihilist dhe me agresivitet të ndytë – ne jemi gjithmonë plotësisht përgjegjës për mënyrën se si e shijojmë veten.

Kjo është arsyeja përse përpjekjet naive për të përndritur emigrantët (për t’i shpjeguar atyre se doket tona seksuale janë të ndryshme, se një grua që ecën në publik me një minifund dhe buzëqesh nuk sinjalizon kësisoj ftesë seksuale, e kështu me radhë) janë shembuj të një budallallëku që të lë pa fjalë. Emigrantët i dinë të gjitha këto shumë mirë – dhe prandaj po e bëjnë. Ata janë bukur të vetëdijshëm se ajo që ata po bëjnë është e huaj për kulturën tonë mbizotëruese dhe po e bëjnë këtë pikërisht për të prekur ndjeshmëritë tona. Çështja nuk është që t’u mësojmë atyre atë që ata sakaq e dinë shumë mirë, por ndryshimi i këtij qëndrimi zilie dhe agresiviteti hakmarrës. Shpesh dëgjojmë se lufta për të drejtat e grave dhe lufta kundër racizmit anti-emigrant janë e njëjta luftë – ata që shqetësohen rreth sulmeve ndaj grave duhet të shqetësohen edhe për sulmet ndaj refugjatëve – e vërtetë, por funksionon gjithashtu nga ana tjetër: Si i bëjmë përnjëmend ata në mesin e refugjatëve që sulmojnë gra të pranojnë se, lufta kundër asaj që ata po bëjnë në këtë rast specifik është gjithashtu luftë për vetë të drejtat e tyre?

Mësimi i vështirë i tërë kësaj meseleje është rrjedhimisht se nuk mjafton që thjesht t’i japim zë të nëpërkëmburve ashtu siç janë tani: në mënyrë që të sillet emancipim real, ata duhet të arsimohen (nga të tjerët dhe nga vetvetja) në lirinë e tyre – një punë pothuajse e pamundur në errësirën që po rritet nëpër të gjithë Europën dhe Lindjen e Mesme. Europa Perëndimore është gjithnjë e më pak e gatshme të pranojë refugjatë, e prapë se prapë ata nuk mund të rrinë të gjithë në Turqi. Ndërkohë situata në Siri po bëhet gjithnjë e më shumë e pashpresë, me asnjë zgjidhje për konfliktin kaotik që po paraqet veten, dhe me kërcënimin e një lufte të hapur e përhapur që po rritet përditë.

Ç’TË BËJMË?

Pra, çfarë nevojitet në një situatë të tillë të dëshpëruar? Çfarë duhet të bëjë Europa? Fredric Jameson së fundmi propozoi utopinë e militarizimit global të shoqërisë si një mënyrë të emancipimit: ndërsa ngërçet e kapitalizmit global janë gjithnjë e më të prekshme, të gjitha ndryshimet e imagjinuara demokratike të të shumtëve me rrënjë prej bazës ‘nga poshtë’ janë përfundimisht të destinuara të dështojnë, kështu që e vetmja mënyrë për të thyer në mënyrë të efektshme rrethin vicioz të kapitalizmit global është një lloj i “militarizimi”, i cili është një tjetër emër për pezullimin e fuqisë vetërregulluese të ekonomisë . Ndoshta kriza e refugjatëve që vijon në Europë jep një mundësi për ta provuar këtë variant.

Është tejet marrëzi të mendosh se një proces i tillë mund të lihet të shtjellohet lirshëm: edhe nëse asgjë tjetër nuk u duhet refugjatëve përveç ushqimeve dhe kujdesit mjekësor. Na duhet ta pranojmë se, në vitin 2015, Gjermania ka treguar një hapje të papritur në pranimin e qindra mijëra refugjatëve. (Vlen të pyetet se mos arsyeja e fshehtë për këtë zemërgjerësi gjermane është nevoja për të shpëlarë shijen e hidhur për mënyrën si u trajtua Greqia më parë në po të njëjtin vit). Ajo çfarë është e nevojshme, që të ndalet ky kaos, është koordinim dhe organizim në shkallë të gjerë: themelimi i qendrave të pritjes afër vetë bërthamës së krizës (Turqi, Liban, bregdeti sirian, bregdeti verior i Afrikës), ku mijëra vetë duhet të regjistrohen dhe shqyrtohen imtësisht; transporti i organizuar i atyre të pranuarve nëpër qendrat e pritjes në Evropë, si dhe rishpërndarja e tyre në vendet e tyre potenciale të strehimit. Ushtria është agjenti i vetëm që mund të ndërmarrë një punë të tillë të madhe në një mënyrë të organizuar. Të pretendosh se t’i japësh ushtrisë një rol të këtillë bie erë “gjendje të jashtëzakonshme” është thjesht hipokrite: një situatë në të cilën dhjetëra mijëra vetë kalojnë nëpër zonat e populluara dendur pa asnjë organizim është vërtet një gjendje e jashtëzakonshme dhe pjesë të Europës janë në gjendje të tillë tani.

Kriteret për pranim dhe strehim duhet të formulohen në një mënyrë të qartë dhe eksplicite: cilët dhe sa refugjatë të pranohen, ku duhet të rivendosen ata, dhe kështu me radhë. Arti këtu është të gjesh rrugën e drejtë të mesme midis ndjekjes së dëshirave të refugjatëve (duke marrë parasysh dëshirën e tyre për të kaluar në vendet ku ata tashmë kanë të afërm, etj) dhe kapacitetet e vendeve të ndryshme për t’i akomoduar ata. E drejta totale për “lëvizje të lirë” duhet të kufizohet, qoftë për asnjë arsye tjetër veçse që ajo nuk ekziston madje as në mesin e refugjatëve: se kush – në veçanti për sa i përket pozicionit klasor – është në gjendje të kapërcejë të gjitha pengesat dhe të hyjë në Europë është padyshim një çështje, ndër të tjera, e privilegjit financiar.

Për më tepër, është një fakt i thjeshtë se shumica e refugjatëve vinë nga një kulturë që është e papërputhshme me nocionet perëndimore europiane të të drejtave të njeriut. Problemi këtu është se zgjidhja e qartë tolerante (respekti i ndërsjellë i ndjeshmërive të njëri-tjetrit) është po aq e dukshme se nuk funksionon. Nëse myslimanët e gjejnë të pamundur të durojnë imazhet tona blasfemuese dhe humorin tonë moskokëçarës (të cilat ne i konsiderojmë pjesë të lirive tona), liberalët perëndimorë gjithashtu e gjejnë të pamundur të durojnë shumë praktika (të tilla si nënshtrimi i grave) që janë pjesë e botës jetike myslimane. Shkurt, situatat shpërthejnë atëherë kur pjesëtarë të një komuniteti fetar e përjetojnë, si lëndim blasfem dhe si një rrezik ndaj mënyrës së tyre të jetesës, jo një sulm direkt mbi fenë e tyre, por vetë mënyrën e jetesës së një komuniteti tjetër. Ky ishte rasti me sulmet mbi gejtë dhe lesbiket nga fundamentalistë myslimanë në Holandë, Gjermani dhe Danimarkë, si dhe me ata burra e gra franceze të cilët e shohin një grua të mbuluar nga një burka si një sulm mbi identitetin e tyre francez, që është arsyeja pse edhe ata e gjejnë ‘të pamundur të rrinë të heshtur’ kur ndeshen me një grua të tillë në mesin e tyre. Prandaj, duhet të bëhen dy gjëra: së pari, të formulohet një listë minimale normash të cilat janë të detyrueshme për të gjithë, pa frikë se ato do të duken ‘eurocentrike’: liritë fetare, mbrojtja e lirisë individuale kundër trysnisë së grupit, të drejtat e grave dhe kështu me radhë; dhe së dyti, brenda këtyre kufijve, detyrimisht të këmbëngulim në tolerimin e mënyrave të ndryshme të jetës. Dhe po sikur normat dhe komunikimi të mos funksionojnë? Atëherë forca e ligjit duhet të zbatohet në të gjitha format e saj. Duhet të flaket përqasja mbizotëruese humanitare e të majtës liberale. Ankesat që e moralizojnë situatën – të mantrës ‘Europa e ka humbur ndjeshmërinë; ajo është indiferente ndaj vuajtjeve të të tjerëve,’ e kështu me radhë – janë vetëm e anasjellta e brutalitetit racist anti-emigrantë. Ata bashkëndajnë presupozimin – i cili nuk është në asnjë mënyrë i vetëkuptueshëm – se mbrojtja e vetë mënyrës tënde të jetës e përjashton universalizmin etik.

Në debatin për Leitkultur-ën (kultura zotëruese) që u zhvillua rreth një dekadë më parë, konservatorët këmbëngulën se çdo shtet është i bazuar në një hapësirë kulturore mbizotëruese, të cilën anëtarët e kulturave të tjera që jetojnë në të njëjtën hapësirë duhet ta respektojnë. Në vend se të luajmë Shpirtin e Bukur dhe të vajtojmë lindjen e një racizmi të ri europian që lajmërohet prej pohimesh të këtilla, ne duhet të kthejmë një sy kritik mbi veten tonë, duke pyetur deri në çfarë mase vetë multikulturalizmi ynë abstrakt ka kontribuar në këtë gjendje të trishtë të gjërave. Nëse të gjitha palët nuk bashkëndajnë apo nuk respektojnë të njëjtën mirësjellje, atëherë multikulturalizmi kthehet në një formë ligjërisht të rregulluar të injorancës apo urrejtjes së ndërsjelltë. Konflikti rreth multikulturalizmit sakaq është një konflikt rreth Leitkultur-ës: nuk është një konflikt midis kulturash, por një konflikt midis vizionesh të ndryshme në se si kultura të ndryshme munden dhe duhet të bashkëjetojnë; rreth rregullave dhe praktikave që këto kultura duhet të bashkëndajnë nëse janë për të bashkëjetuar. Ne, rrjedhimisht, duhet të bëjmë kujdes të mos ngecemi në lojën liberale të se ‘deri në ç’masë mund të tolerojmë’: a duhet ta tolerojmë nëse refugjatët që strehohen në Europë nuk i lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë; nëqoftëse ata i detyrojnë gratë e tyre të vishen dhe të sillen në një mënyrë të caktuar; nëqoftëse ata rregullojnë martesat e fëmijëve të tyre, nëse ata keqtrajtojnë – apo më keq – homoseksualët mes radhëve të tyre? Në këtë nivel, sigurisht që ne nuk jemi kurrë mjaftueshëm tolerantë; ose ne jemi gjithmonë-sakaq tepër tolerantë, shpërfillim të drejtat e grave dhe kështu me radhë. E vetmja mënyrë për të thyer këtë ngërç është që të lëvizim përtej tolerancës së thjeshtë të të tjerëve. Jo vetëm t’i respektojmë të tjerët: t’i japim atyre një luftë të përbashkët, meqenëse sot problemet tona janë të përbashkëta; të parashtrojmë dhe të luftojmë për një projekt pozitiv universal të bashkëndarë nga të gjithë pjesëmarrësit.

Kjo është arsyeja pse puna vendimtare e atyre që luftojnë sot për emancipim është drejt një Leitkultur-e pozitive emancipuese, që është e vetmja që mund të mbajë një bashkëjetesë dhe përzierje autentike të kulturave të ndryshme. Aksioma jonë duhet të jetë që, lufta kundër neokolonializmit perëndimor ashtu si lufta kundër fundamentalizmit, lufta e Wikileaks-it dhe e Snowden-it ashtu si lufta e Pussy Riot, lufta kundër anti-semitizmit ashtu si lufta kundër sionizmit agresiv, janë pjesë të një dhe të njëjtës luftë universale. Nëse bëjmë çfarëdo kompromisi këtu, nëqoftëse përhumbemi në kompromise pragmatike, jetët tona nuk ia vlejnë të jetohen.

Për këtë arsye duhet ta zgjerojmë perspektivën: refugjatët janë çmimi që njerëzimi po paguan për ekonominë globale. Ndërkohë që migrimet e mëdha janë një tipar konstant i historisë njerëzore, shkaku kryesor i tyre, në historinë moderne, janë zgjerimet koloniale. Para kolonizimit, vendet më së shumti përbëheshin nga komunitetet lokale të vetëmjaftueshme dhe relativisht të izoluara: ishte pushtimi kolonial që hodhi jashtë binarësh këtë mënyrë tradicionale jete dhe që çoi në migrime në shkallë të gjerë (pa harruar, sigurisht, lidhjen me migrimet e tjera me forcë të tregtisë së skllevërve).

Vala aktuale e migrimeve në Evropë nuk është përjashtim në këtë. Në Afrikën e Jugut, mbi një milion refugjatë nga Zimbabveja ekspozohen ndaj dhunës nga të varfërit vendas pse ‘vjedhin’ punët e tyre. Dhe do të ketë më shumë migrime, jo vetëm për shkak të konflikteve të armatosura, por për shkak të ‘shteteve të reja të padrejtë’, të krizave ekonomike, të fatkeqësive natyrore, ndryshimet klimatike e kështu me radhë. Tani dihet se, pas katastrofës bërthamore në Fukushima të 2011-s, autoritetet japoneze menduan për një çast se e gjithë zona e Tokios – 20 milionë njerëz – ndoshta do të duhet të shpërngulej. Ku do të kishin vajtur ata, në këtë rast? Me çfarë kushtesh? A do t’u jepej atyre një copë tokë në Japoni në të cilën të vendoseshin, apo do të shpërndaheshin vërdallë në botë? Po sikur Siberia veriore të bëhej më e banueshme dhe e përshtatshme për bujqësi, ndërkohë që rajone të mëdha nën-Sahara bëhen tepër të thata për të mbajtur popullata të mëdha: si do të organizohej një këmbim i këtillë popullatash? Kur gjëra të ngjashme kanë ndodhur në të kaluarën, ndryshimet shoqërore ndodhën në një mënyrë kaotike dhe spontane, të shoqëruar me dhunë dhe shkatërrim. Një parashtrim i tillë është katastrofik në kushtet e sotme, me armë të shkatërrimit në masë në dispozicion për pothuajse të gjitha kombet.

 

Ripërkufizimi i Europës

Kriza e refugjatëve i ofron Europës një mundësi unike për ta ripërkufizuar veten, për të shënuar dallimin e saj nga të dyja polet që e kundërshtojnë atë: neoliberalizmi anglo-sakson dhe kapitalizmi autoritar injektuar me ‘vlera aziatike’. Ata që vajtojnë rënien që po i ndodh Bashkimit Europian duket se e idealizojnë të kaluarën e saj – megjithatë BE-ja ‘demokratike’, për humbjen e së cilës ata pendohen, nuk ka ekzistuar kurrë në fakt. Politikat e kohëve të fundit të BE-së janë thjesht një përpjekje e dëshpëruar për ta bërë Europën të përputhshme me kapitalizmin e ri global. Kritika e zakonshme e të Majtës liberale ndaj BE-së – se bazikisht është në rregull përveç të njëfarë ‘defiçiti demokratik’ – shpërfaq të njëjtin naivitet sikurse kritikët e vendeve ish-komuniste të cilët bazikisht i mbështetën këto vende ndërkohë që ankoheshin për mungesën e demokracisë. Në të dy rastet, sidoqoftë, këta kritikë miqësorë dështuan të kuptojnë se ‘defiçiti demokratik’ ishte një pjesë integrale, e domosdoshme, e strukturës.

Por, në këtë pikë, unë jam akoma më shumë një pesimist skeptik. Kur isha kohët fundit duke iu përgjigjur pyetjeve nga lexuesit e ‘Süddeutsche Zeitung’  rreth krizës së refugjatëve, pyetja që tërhoqi dukshëm vëmendjen më të madhe i përkiste pikërisht demokracisë, por me një dredhim Djathtist populist: kur Angela Merkel bëri apelin e saj të famshëm publik duke ftuar qindra e mijëra vetë për në Gjermani, çfarë ishte përligjja demokratike e saj? Kush ia dha asaj të drejtën për të sjellë një ndryshim të tillë rrënjësor në jetën gjermane pa konsultë demokratike? Qëllimi im këtu, sigurisht, nuk është të mbështesë populistët anti-emigrantë, por të vë në pah qartazi limitet e përligjjes demokratike. E njëjta gjë vlen edhe për ata që mbrojnë një hapje radikale të kufijve: a janë të vetëdijshëm ata se, meqë demokracitë tona janë demokraci komb-shtetërore, kërkesa e tyre është e barabartë me një pezullim të demokracisë – një transformim gjigant dhe themelor duhet të lejohet të ndikojë një vend pa këshillimin demokratik të popullsisë së saj? (Përgjigja mund të kishte qenë, sigurisht, se refugjatëve duhet t’u jepet po ashtu e drejta e votës – por kjo qartazi nuk është e mjaftueshme, meqenëse kjo është një masë që mund të ndodhë vetëm pasi refugjatët të jenë integruar në sistemin politik të një vendi.)

Vijon…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *