Mjekët apelojnë për kujdes gjatë kontakteve të përditshme me kafshët, pasi mund të bëhen burim transmetimi i sëmundjeve infektive. Temperatura e lartë dhe ethet, simptomat dalluese të këtyre komplikacioneve.
Pranvera Kola
Shërbimi i infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” së fundmi po trajton pacientë të prekur nga malarja, sëmundje e cila mendohej e zhdukur prej vitesh në vendin tonë. Sipas të dhënave të bëra publike nga ky shërbim, konstatohet se rastet e malarjes janë importuar në vendin tonë nga persona të cilët kanë qëndruar për një kohë të caktuar në vende mbartëse të këtij infeksioni.
Më tej, infeksionistët e këtij shërbimi shtojnë se krahas malarjes, problem mbetet edhe leshmanjoza, sëmundje e cila shkaktohet nga kontaktet me kafshët mbartëse të këtij infeksioni (kryesisht nga qentë). Aktualisht pranë infektivit në QSUT po trajtohen tre pacientë të infektuar nga leshmanjoza, e cila është transmetuar nga kafshët. Ndryshe nga sa ndodh për rastet me malarje ku sëmundja është importuar, për leshmanjozën mjekët bëjnë me dije se infeksionin pacientët e kanë marrë në vend, pas rënies në kontakt me qentë e sëmurë apo dhe kafshë të tjera.
“Vazhdojnë ende trajtimet për mbeturinat e malarjes, teksa na janë shfaqur edhe raste të leshmanjozës. Është një vatër e malarjes në Vlorë, e cila vjen si origjinë e importuar nga një vend afrikan, ku një pjesë e personave që kanë ardhur tek ne, kanë qenë punonjës në këtë vend afrikan nga ku kanë marrë këtë lloj sëmundjeje “, vë në dukje mjeku infeksionit i QSUT-së, Gentian Stroni.
Për të orientuar pacientët që të kërkojnë sa më herët ndihmën e specializuar mjekësore, mjeku infeksionist shton se temperatura e lartë është një ndër simptomat e para dalluese që shoqëron praninë e këtyre sëmundjeve infektive. Shenja të tjera shqetësuese janë edhe dhimbjet e shpeshta të kokës apo ethet. Nëse temperatura nuk zbret brenda tre apo katër ditëve nga momenti i shfaqjes, pacientët duhet të bëjnë ekzaminimet përkatëse pranë shërbimit infektiv në QSUT. Vetëm në këtë formë do të mund të mësohet se çfarë infeksioni ka prekur organizmin dhe se cila do të jetë kura trajtuese që duhet të ndiqet.
“Ne njihemi si një vend që jemi ende mik për leshmanjozën. Shenjat tipike për pjesën më të madhe të infeksioneve është temperatura. Kemi një prekje të organeve të abdominit. Kështu që përveç temperaturës, dalin në analizat që bëhen dhe në bazë të tyre ne nxjerrim diagnozën”, shpjegon Stroni. Trajtimi i këtyre sëmundjeve është efikas dhe pa pasoja vetëm nëse evidentohen në stadet e para të shfaqjes. Për të rendur drejt kurimeve të efektshme, mjekët apelojnë për më shumë kujdes veçanërisht në rastet e kontakteve të përditshme me kafshët.
Sipas mjekëve, popullata duhet të kërkojë ndihmë në rastet kur ka dyshime për ndonjë nga këto sëmundje infektive, të cilat mund të mbartin pasoja të rënda nëse nuk kurohen herët. Autoritetet shëndetësore pak kohë më parë, duke marrë parasysh rikthimin e rasteve të malarjes nëpërmjet importit vunë theksin tek masat që duhen marrë për forcimin e kontrolleve në vendet doganore, me qëllim kapjen në kohë të rasteve që mund të rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve.
Simptomat
Temperaturë e lartë
Dhimbje koke
Ethe dhe lodhje
Dhimbje muskujsh
Çrregullime me aparatin tretës
Të vjella e ndjesi të fikëti
