Qeveria e vendit tonë i ka të gjitha arsyet të rishikojë statusin e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI). Anëtarësia e Shqipërisë në OBI nuk përputhet me synimet dhe objektivat e kësaj Organizate, as me statusin fetar të popullit shqiptar. Gjithashtu, anëtarësimi në OBI nuk është në pajtim me vullnetin politik, publik dhe me kuadrin kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
Shqipëria aderon në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) me statusin e anëtarit, qysh prej vitit 1992. Në ato vite, vendi ynë përmbysi regjimin politik komunist, i cili i pati mohuar me dhunë ndjenjat dhe disponimet fetare, si dhe i pati shkatërruar të gjitha institucionet dhe organizimet fetare. Përkundër, regjimi i ri demokratik paskomunist krijoi kushtet për shprehjen e lirë të vullnetit dhe organizimit fetar. Pikërisht në këto kushte do të zhvilloheshin inisiativat për riorganizimet fetare dhe ringritjen e institucioneve sipas disponimeve përkatëse.
Por i gjithë ky proces u krye më së shumti me volontarizëm dhe sidomos, nën presionin e organizuar të influencave të qendrave fetare të jashtme, jo rrallë të servirura si veshje për influenca politike. Për më tepër rikthimi i organizimeve dhe institucioneve fetare, u bë në kushtet e mungesës së Kushtetutës së vendit, si dokumenti themeltar që përcakton raportet e fesë me shtetin. Sikurse është e njohur, jeta dhe veprimtaria e vendit në vitet e para paskomuniste, zhvilloheshin në bazë paketash kushtetuese, e jo të një Kushtetute të miratuar me shumicë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua vetëm në vitin 1998. Në këtë Kushtetutë, përcaktohet se në Republikën e Shqipërisë “nuk ka fe zyrtare; shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes; shteti njeh barazinë e bashkësive fetare; marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësive të tyre dhe Këshillit të Ministrave; e këto marrëveshje ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, etj.
Shkruesi i këtyre radhëve, dyshon nëse bashkëqytetarët e tij janë të informuar se si janë zbatuar këto e të tjera kërkesa kushtetuese, lidhur me statusin e bashkësive të sotme fetare në Shqipëri. Kjo është një temë jo pak e rëndësishme e cila prek, deri edhe sigurinë e sovranitetin e vendit. Për këtë, ndoshta mjafton të theksohet se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) u bë pikërisht në kushtet e zbrazëtisë kushtetuese të para vitit 1998. Aktualisht, statusi i vendit tonë në këtë Organizatë është në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, statusi i OBI, kërkon midis të tjerash, që… “vendet anëtare të udhëhiqen nga vlerat Islamike; të përpiqen për rigjallërimin e rolit parësor të Islamit në botë; të krijojnë kushtet e përshtatshme për edukimin e shëndoshë të fëmijëve dhe të të rinjve myslimanë dhe për ngulitjen tek ata të vlerave Islamike; të përhapin, promovojnë dhe ruajnë mësimet dhe vlerat Islamike; të arrijnë integrimin ekonomik që do të çonte në krijimin e një Tregu të Përbashkët Islamik”, etj.
Nuk mendoj se anëtarësimi i Shqipërisë në OBI ka qenë një angazhim substancial. Më së shumti do të ketë qenë një lëvizje me prapavijë interesash pragmatiste. Por në çastin kur ky angazhim është kanalizuar organizativisht e politikisht, atëherë krijohet hapësirë për çfarëdo lloj leximi apo interpretimi: për anësi të shtetit ndaj një feje të caktuar; për disponime fetare në sjelljen shtetërore; për tjetërsim të përkatësisë gjeografike, historike, qytetërimore e kulturore të kombit shqiptar, etj.
Statusi fetar i shqiptarëve nuk është çështje tapie, siç mund të jenë tapitë e pronave. Se çfarë përbën feja e besimet fetare për shqiptarët, çfarë përkatësie fetare kanë shqiptarët, – këtë e vërtetojnë të gjitha studimet e kërkimet, si dhe jeta sociale e shqiptarëve e çdo kohe dhe epoke. Mjafton të përmendim faktin ndoshta unik se shqiptarët emigrantë në këto dy dekadat e fundit (të cilët përbëjnë afro një të tretën e popullsisë së vendit), në rastin më të zakonshëm identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, e në rastin më të pazakonshëm, aplikojnë vetëm besimet fetare të vendeve perëndimore ku kanë emigruar, duke u integruar kështu natyrshëm në besimin e hershëm të të parëve të tyre.
Shumëkush në Ballkan e, fatkeqësisht edhe më gjerë, do të donte që kombi apo shteti shqiptar të identifikohej si një komb apo shtet mysliman, mbase për ta përdorur këtë kartë si mbulesë të disponimeve të tjera ekstremiste, ultra të djathta etj. Me sa duket, shumëkush për mungesë informacioni, për paragjykim apo për shkaqe akoma më të thella, duket se dëshiron ta renditë edhe Shqipërinë si vend mysliman, duke e sjellë Europën e shekullit të ’17-të në shekullin e ’21-të.
Asnjë vend tjetër Ballkanik nuk është deklaruar anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Turqia ka arsyet e veta gjeopolitike, gjeografike e historike, të përzgjedhë të jetë anëtare e kësaj Organizate. Bosnjë-Herzegovina prej dy dekadash aplikon vetëm statusin vendit vëzhgues në këtë Organizatë. Për arsyet e tyre edhe vende si Republika e Afrikës Qëndrore, Mbretëria e Tailandës, Federata Ruse dhe Republika e panjohur zyrtarisht e Qipros së Veriut, aplikojnë status vëzhguesi në këtë Organizatë. Republika e Maqedonisë e ka një komunitet turk, si dhe një të tretën e popullsisë së vendit me popullsi shqiptare të shpallur në besimin mysliman, por nuk ka zhvilluar ndërmarrje të tilla të ç`orientuara. Do të ishte kundër procesit, që hapa të tilla të ndërmerrte Republika e Kosovës.
Atëherë, në respekt të statusit të vërtetë kushtetues, politik, kulturor, qytetërimor e fetar të Shqipërisë, në respekt të vetë fesë islame, ashtu sikurse në respekt të çdo besimi tjetër fetar, Qeveria e Republikës së Shqipërisë i ka të gjitha arsyet dhe detyrimin, të tërhiqet nga statusi i anëtarit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, duke ruajtur, për etikë dhe interes, statusin e vëzhguesit në këtë Organizatë.
*Autori është Kolonel në rezervë, ish-atashe ushtarak, dhe Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Do ishte nje fitore per kombin shqiptar
Antaresimi i RSH ne organizaten myslimane eshte nje ferre e mbjelle nga Sali Berisha per interesa pragmatiste te pasurimit te familjes se tij. Interesave te Saliut u bente fresk edhe Kryetarja e Kuvendit, katolikja karrieriste Jozefina Topalli. Kushdo shqiptar e kerken qe mazhoranca e sotme e Kuvendit te Shqiperrise te terhiqet urgjentish nga OBI- kobezi per Shqiperine Europiane
Money is in MidleEast.
West is dead meat that you don’t know.
And that’s bad.
And one more thing I forgot 80% of Albania population in the last census are declared Muslims .
Now shut-up.
More Linux , po komenton ne Financial Times , apo ne nje gazete shqiptare ? Po he a i vrare , shkruaj shqip .
Nuk eshte e vertete , Linux . Sipas censimentit te fundit ne Shqiperi , myslymanet jane 56% . Jemi dakord ?