Rishikohet marrëveshja me koncensionarin “Rapiscan”

Dita

 Skanimi i kontejnerëve në dogana dhe kostoja e lartë e tyre prej kohësh janë kthyer në një problem për biznesin. Ministria e Financave shqiptare ka rinegociaur marrëveshjen me “Rapiscan Systems” për të riparo tarifat e zhdoganimit. Kështu tarifa, që bizneset do të paguajnë për skanimin e kontejnerëve në dogana nuk do të jetë 39 euro për deklaratë, si në variantin fillestar, por do të ulet në 22 euro. Skema e re e pagesës do të jetë me tarifa të përshkallëzuar në dy blloqe. Më konkretisht, për deklaratat doganore me vlerë mbi 1 mijë euro, biznesi do të paguajë 22 euro për shërbimin e skanimit, ndërsa për deklaratat nën këtë vlerë, pagesa do të jetë 5 euro. Përmes ndryshimit të negociuar me mirëkuptim, pretendohet t’i kursehen ekonomisë dhe sipërmarrjeve më shumë se 100 milionë euro për 15 vitet e ardhshme. Sipas relacionit të marrëveshjes, me skemën e parë, kompania koncesionare “Rapiscan” do të përfitonte 316 milionë euro për 15 vitet e koncesionit. Por, me rishikimin e marrëveshjes, kjo shumë kufizohet në 210 milionë euro, ose 106 milionë euro më pak.

Çfarë përmban marrëveshja e rinegociuar?

Sipas marrëveshjes të publikuar në fletoren zyrtare tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratat doganore, me vlerë nën ose të barabartë me 1 000 (një mijë) euro, do të jetë 5 (pesë) euro për deklaratë doganore ose vlera përkatëse në lekë, konvertuar sipas procedurave doganore. Tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratat doganore, me vlerë më të madhe se 1 000 (një mijë) euro, do të jetë 22 (njëzet e dy) euro për deklaratë doganore ose vlera përkatëse në lekë, konvertuar sipas procedurave doganore. Po kështu shërbimi i skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera trajtohet si furnizim i tatueshëm me TVSH me shkallë tatimore 0 (zero). Kjo marrëveshje e arritur bën që neni 2 i ligjit nr. 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërisë “Rapiscan Security, INC.”, si koncesionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit” shfuqizohet.

Si u arrit marrëveshja?

Palët kanë zhvilluar kohët e fundit diskutime në përputhje me Marrëveshjen e Konfidencialitetit, të datës 20 shkurt 2015 (Marrëveshja e Konfidencialitetit), në lidhje me marrëveshjen e Koncesionit, të datës 10 prill 2013 dhe mosmarrëveshjen, e cila është aktualisht në procedim para IÇ-së (Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë) në lidhje me Marrëveshjen e Koncesionit. Si rezultat i këtyre diskutimeve, është rënë dakord që: i) të gjejnë zgjidhje për Arbitrazhin (Marrëveshja për Zgjidhjen me Mirëkuptim të Mosmarrëveshjeve); ii) të amendojnë Marrëveshjen e Koncesionit (Marrëveshja e Amendimit) dhe iii) të gjejnë zgjidhje për të gjitha mosmarrëveshjet, pretendimet, shkaqet për pretendime dhe/ose përgjegjësitë midis palëve që rrjedhin nga faktet ose ngjarjet ekzistuese ose që kanë ndodhur përpara datës së hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve, qoftë të njohura apo të panjohura.

Pse u rinegociua marrëveshja me “Rapiscan”

Marrëveshja e koncesionit ishte  miratuar nga Këshilli i Ministrave në nëntor 2011 dhe më pas me ligjin nr.123/2013, në prill 2013. Deri në shtator 2013 ky shërbim nuk ofrohej nga kompania Rapiscan Systems, e cila fitoi një kontratë 15 vjeçare në këtë periudhë. Kundërshtimi dhe rezistenca e biznesit ishte e konsiderueshme, sidomos në lidhje me tarifën shumë të lartë të shërbimit, madje ata protestuan për këtë fakt, e ku opozita e djeshme u bashkua në këtë zë. Me ardhjen në pushtet të qeverisë së re në 21 qershor, njëra nga koncesionet që u kërkua të anullohej ishte pikërisht skanimi i kontenierëve në doganave. Pas muaj të tërë negociatash mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Rapiscan” nuk u arrit në një emërues të përbashkët, dhe kjo e fundit ju drejtua gjykatës ndërkombëtare. Qeveria jonë kontraktoi kompaninë Omnia Strategy të zonjës Cherie Blair, për të mbërritur në një zgjidhje të çështjes. Por pas tërheqjes nga arbitrazhi të qeverisë tonë me argumentin që vlera e kontratës të ulur nga 316 milionë dollarë  në 210 milionë euro, do të sillte minimizim kostosh, u negociua për tarifa të reja. Përfaqësuesit e qeverisë tonë kërkuan rishikimin tërësor të marrëveshjes, por kompania Rapiscan pranoi ndërhyrje vetëm në vlerën e koncesionit dhe në saktësimin e kohëzgjatjes së tij.  “Nga ndryshimi i mënyrës së llogaritjes së çmimit të kontratës u arrit të kursehen minimalisht 106 milionë euro”, thuhet në relacionin që shoqëron marrëveshjen e re mes qeverisë dhe koncensionarit “Rapiscan Systems”.

Share This Article
1 Comment
  • KONTRAT PO E MARRIN NE QAFE BISNESIN DHE NE TE NJEJTEN KOHE DHE BUXhetin e shtetit se diferenca prej 106 milion qe duhet te paguaj biznesi vetem nga nje formalitet burakratik i jep sa do pak frymarje biznesit NE tarifat e reja nuk eshte e drejte qe 1000 euro nga 5 ero kalon ne 22 euro do te ishte mire qe kjo te ishte propcionale duke ju referuar cmimit te pare Te shikohet mundesia e ketyre lekeve te qarkullohen ne shqiperi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *