Përfundon hedhja e të dhënave online për 110 mijë pensionistë, drejt përfundimit edhe pjesa e mbetur. Brenda një harku të shkurtër kohor edhe llogaritja e pensionit do të kryhet online. Të parët përfitojnë pensionistët e Vlorës.
Hedhja e të dhënave online (në internet) shkurton kohën e marrjes së pensionit. Mijëra pensionistë në të gjithë vendin do të mund të tërheqin përfitimet e tyre në një kohë më të shkurtër, duke shmangur qëndrimet e gjata në radhë apo sorollatjet për gjetjen e dokumenteve të caktuara. Lajmi është konfirmuar dje nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, e cila pohoi fillimin e përdorimit të sistemit të dixhitalizuar të shpërndarjes së pensioneve, çka shkurton ndjeshëm kohën e përllogaritjes, teksa shmang edhe vonesat që hasen për shkak se dokumentacioni gjendet ende në kopje letre.
Deri më tani ky proces ka filluar të zbatohet në disa rrethe dhe disa qendra të Tiranës, ku po bëhet shpërndarja me dokumentacion online. Nga ky dixhitalizim i të dhënave përfitojnë rreth 110 mijë pensionistë, të cilëve tashmë u duhet vetëm dy apo tre minuta kohë për të marrë pensionin e tyre. Megjithatë, ky shërbim do të shtrihet brenda një harku të shkurtër kohor në të gjitha rrethet e vendit, për të cilat grupet e punës po detajojnë të dhënat në sistemin online. Sipas Brahos, hedhja e dixhitalizuar e të dhënave do të bëjë të mundur që edhe procesi i llogaritjes së pensionit për të gjithë aplikuesit të bëhet online.
Në kuadër të 100-vjetorit, pensionistët e Vlorës do të jenë të parët që do të mund t’i drejtohen sistemit online për të verifikuar llogaritjen e pensionit që u takon në bazë të vjetërsisë kontributive të kryer. Aktualisht, numri i pensionistëve në vendin tonë që trajtohen me pension pleqërie në fshat dhe qytet shkon në 636 mijë.
Hapet zyra e konsulencës për emigrantët
Po gjatë ditës së djeshme është përuruar edhe çelja e të parës zyrë konsulence që ISSH-ja dhe Ambasada Italiane kanë ngritur në Tiranë, për këshillimin në fushën e sigurimeve shoqërore, bashkimeve familjare, studimeve, marrjes së nënshtetësisë etj, që do të ofrohet për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme. Sipas Brahos, kjo zyrë do t’u vijë në ndihmë të gjithë emigrantëve që aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por edhe atyre që janë kthyer, duke bërë të mundur njohjen e kontributeve në të dy vendet, për të gëzuar të drejtën e pensionit po në të dy vendet.
“Katër vite më parë një marrëveshje mes patronatit italian INAS-CISL dhe ISSH-së, i dha jetë një bashkudhëtimi në përpjekjen për të asistuar nga ana jonë çdo emigrant shqiptar lidhur me skemën e sigurimit shoqëror në Shqipëri dhe me të drejtat që u lindin në skemën tonë. Falë këtij bashkëpunimi INAS mori përsipër që të asistojë falas në dhënien e informacionit për mbi 500 mijë emigrantë legalë që ndodhen sot në territorin italian.
“Falë këtij bashkëpunimi nisi të bëhej i mundur ofrimi falas i informacionit për të gjithë emigrantët që jetojnë në Itali lidhur me legjislacionin shqiptar të Sigurimeve Shoqërore dhe të gjitha ndryshimet që i bëhen këtij legjislacioni në kohë reale”, deklaroi Braho. Në këto kushte çdo bashkëqytetar mund të përfitojë nga sistemi aktual i sigurimeve shoqërore në Shqipëri, duke mos humbur asnjë kontribut të punës së tij në Shqipëri, si dhe duke e përfituar edhe në vendin ku ka emigruar.