Detajimet në Kodin e Punës detyrojnë punëdhënësit që të argumentojnë me shkrim arsyet e largimit nga puna të punonjësve
Për t’i dhënë fund punës informale apo abuzimeve që bëhen në kurriz të punonjësve, do të zbatohen një sërë ndryshimesh sa i takon marrjes në punë. Ndryshimet e bëra në Kodin e Punës kushtëzojnë heqjen e kontratës verbale për punësimet. Në këto kushte të gjitha subjektet do të duhet të paraqesin në mënyrë të dokumentuar kontratën me shkrim për secilin nga punonjësit e marrë në punë.
Kreu i drejtorisë së marrëdhënieve të Punës pranë Ministrisë së Punës, Vasil Dodi, tregon se këto detaje do të mundësojnë frenimin e abuzimeve që bëhen në kurriz të punonjësve, abuzime të cilat janë të pamonitorueshme në rast se lidhja e kontratës mbetet në nivele verbale. Një tjetër pikë që do të pësojë ndryshime është edhe forma e ndërprerjes së kontratës, për të cilën vendosen kritere më të ashpra dhe afate për t’u respektuar.
Kështu, punëdhënësit do të jenë të detyruar që të argumentojnë në bazë të kritereve të caktuara çdo largim nga puna të punonjësit. “Në kuadër të minimizimit të informalitetit dhe abuzimit që ndodh u vendos në Kodin e Punës që të hiqej forma verbale e kontratës. Ka një përjashtim që ne e kemi futur në draft që kjo të bëhet për arsye objektivisht të justifikueshme”, shprehet Dodi.
Më tej ai sqaron se detaje të reja parashikohen edhe në formën se si do të përcaktohet ndërprerja e kontratës së punës. Kjo e fundit pritet të shtojë arsyetimet e argumentuara që punëdhënësi do të jetë i detyruar që të japë në rastet kur do të zgjidhë kontratën. Megjithatë në të gjitha rastet, arsyet e zgjidhjes së kontratës së punës duhet të lidhen me aftësinë, sjelljen e punëmarrësit apo kërkesat operacionale të ndërmarrjes. Vetëm pasi të jetë argumentuar se përse duhet të ndërpritet marrëdhënia e punës, duhet t’i lihet një afat deri në një javë punonjësit të japë përgjigje nëse arsyet e largimit qëndrojnë apo jo.
Respektimi i këtyre kushteve vjen për shkak të problemeve që ndodhin herë pas here me largimin e punonjësve në mënyrë të pajustifikuar. Largim i cili bëhet edhe më i vështirë në rastet kur kontrata e punës është lidhur në formë verbale.
“Tashmë kjo pikë është ndryshuar në Kodin e Punës dhe kjo është bërë për të qenë në përputhje me Konventën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës , konventa 173 e cila shprehimisht thotë: Arsyet e ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga punëdhënësi duhet të jenë lidhur detyrimisht me një nga tre kriteret bazë, ose me sjelljen e punëmarrësit, ose me aftësinë e tij ose me kërkesat operacionale të ndërmarrjes. Kjo është futur aktualisht në Kodin e Punës. Punëdhënësi përveçse respekton afatin e njoftimit duhet të japë dhe arsyetimin me shkrim”, shton më tej eksperti, Vasil Dodi.
Një tjetër detyrim që parashikon Kodi është që hartimi i kontratave të reja duhet të kenë një afat të pacaktuar. Ndërsa për kontratat me afat të caktuar do të mund të bëhen vetëm në rastet e punësimeve të pjesshme. Format i cili njëkohësisht mbetet tepër i preferuar në vendin tonë.
Ndryshimet që pëson Kodi i Punës
Ekspertët e Ministrisë së Punës bëjnë me dije se ndryshimet krijojnë të drejta më të mëdha për punëmarrësit, por edhe punëdhënësit duke i dhënë një frymëmarrje të re marrëdhënieve të punës në tregun shqiptar nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve. Ndër ndryshimet më të rëndësishme të Kodit të Punës që kanë prekur rreth 90 nene kanë të bëjnë me parashikimin për herë të parë të rregullave për telepunën, një dukuri kjo e re në vendin tonë, rritja e mbrojtjes për gratë shtatzëna dhe nënat e reja nëpërmjet rritjes së periudhës së detyrueshme të lejes së paslindjes nga 42 në 63 ditë, ndalimin e punës së natës për gratë shtatzëna dhe me fëmijë në gji, mbrojtjen nga diskriminimi në punë dhe barazinë në pagesë pa diskriminim, mbrojtjen më të mirë në punësimin e të miturve nëpërmjet rritjes së moshës nga 14 vjeç në 15 vjeç.
Një mbrojtje më madhe siguron Kodi i Punës për punëmarrësit duke parashikuar që njoftimi që i bën punëdhënësi për zgjidhjen e kontratës së punës duhet ta shoqërojë edhe me shkaqet e prishjes dhe se barrën e provës për të vërtetuar se shkaqet ekzistojnë e ka punëdhënësi. Garanci të reja parashikon Kodi edhe për aksionin sindikal, duke përgjysmuar kohëzgjatjen e pajtimit, duke sanksionuar të drejtën për grevën e solidaritetit, të grevës së përgjithshme në nivel kombëtar apo rajonal etj.
“Po ashtu, ndryshimet e bëra në nenin për të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare vetëm kur ato bien në ditë pune, lehtësojnë koston e punës për punëdhënësit, duke e përmirësuar klimën e biznesit, dhe duke e përputhur atë me praktikën evropiane”, deklarojnë zyrtarët e Ministrisë së Punës. Kodi parashikon kohën maksimale javore e punës, e cila së bashku me orët shtesë, jo më shumë se 48 orë dhe se maksimumi i orëve shtesë në vit për një punëtor nuk mund të jetë më shumë 200 orë.
Si do bëhet lidhja e kontratave të punës
- Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Ajo mund të ndryshohet me shkrim nëse palët bien dakord për ta bërë këtë.
- Kontrata e punës quhet e lidhur kur punëmarrësi pranon kryerjen e një pune ose shërbimi për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar brenda kuadrit të organizimit dhe sipas urdhrave të punëdhënësit dhe që në bazë të këtyre rrethanave kryet vetëm kundrejt pagesës.
- Kontrata e punës duhet të përmbajë sidomos:
Identitetin e palëve
Vendin e punës
Përshkrimin e përgjithshëm të punës
Datën e fillimit të punës;
Kohëzgjatjen kur palët lidhin kontratë me afat të caktuar;
Kohëzgjatjen e pushimeve të paguara
Afatin e njoftimit për zgjidhjen e kontratës
Elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj
Kohën normale javore të punës
Referenca në kontratën kolektive në fuqi
Periudhën e provës
- Për raste të veçanta tw justifikueshme , nëse kontrata nuk është lidhur sipas pikave të përmendura më lart, punëdhënësi është i detyruar ta lidhë atë brenda shtatë ditëve kalendarike që nga momenti i punësimit.
- Kur punëmarrësit i kërkohet të punojë jashtë Shqipërisë për një periudhë më shumë se një muaj, punëdhënësi pasi merr dhe pëlqimin e punëmarrësit, duhet t`i japë atij një dokument me shkrim, i cili duhet të përmbajë sw paku informacionin e kërkuar në pikën mbi përmbajtjen e kontratës, si dhe informacionin plotësues që ka të bëjë me kohëzgjatjen e punësimit jashtë shtetit, llojin e monedhës që do paguhet, nëse është e nevojshme, përftimet në para apo në natyrë për punësimin jashtë shtetit, nëse është e nevojshme, kushtet që rregullojnë rikthimin e punëmarrësit.
Kushtet e reja se si do bëhet zgjidhja e kontratës së punës
- Pas kohës së marrjes në provë, kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedojw me të.
- Punëdhënësi gjatë kësaj bisede i parashtron punëmarrësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësi për t’u shprehur.
- Zgjidhja njoftohet me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit, duke përfshirë dhe arsyet e zgjidhjes. Arsyet e zgjidhjes së kontratës së punës duhet të lidhen me aftësinë , sjelljen e punëmarrësit, kërkesat operacionale të ndërmarrjes ose me ekzekutimin e një vendimi të formës së prerë për rikthimin në vendin e punës për punëmarrësin në administratën publike.
- Punëdhënësi që nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim prej dy muajsh pagë, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. Zgjidhja e kontratës në kundërshtim me këtë dispozitë mbetet e vlefshme”.
- I takon punëdhënësit të provojw arsyet e zgjidhjes se kontratës, si dhe respektimin e procedurës së përcaktuar në këtë nen.
- Kjo procedurë nuk zbatohet në rastet e pushimeve kolektive nga puna, por arsyet me shkrim për zgjidhjen e kontratës do t’i jepen punëmarrësit sipas afateve të përcaktuara.