Më në fund, Rita Ora ka folur për lidhjen e saj me Rob Kardashian dhe akuzat e këtij të fundit se e kishte tradhtuar me disa meshkuj gjatë kohës kur ishin bashkë. “Kur ke qenë i lidhur me dikë për disa kohë dhe vendos t’i shprehësh ndjenjat e tua në publik… Në fakt kjo nuk është lloji i terapisë që preferoj unë, por secili e merr ndarjen në mënyrën e tij. Mendoj se duhet fillimisht të ekzaminohesh për të parë nëse je mendërisht në rregull, para se të shprehesh në Tuiter”, tha ajo.
Këngëtarja me origjinë nga Kosova citohet nga mediat britanike: “Nuk kam menduar kurrë se ishte një marrëdhënie tamam. Kur u ndava prej tij, i thashë se po e bëja pasi nuk isha kurrë e pranishme dhe nuk dija si ta menaxhoja lidhjen në kushte të tilla. Vetëm kaq i thashë, pastaj këto gjërat e tjera rrodhën vetë”.
