Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Kryeministri Zoran Zaev u ka dhënë fund dyshimeve mbi datën, pasi paraprakisht vetë ai paralajmëroi shtyrje të mundshme të zgjedhjeve për më 31 tetor, për shkak të përputhjes së fushatës zgjedhore me periudhën e regjistrimit të popullsisë.
Sipas ligjit për Censusin e popullsisë, regjistrimi brenda territorit duhet të zhvillohet nga 5 deri 30 shtator. Kryeministri Zaev thotë se Censusi mund të përfundojë para kohe, por edhe nëse ka përputhje me fushatën nuk paraqet problem.
“Censusi gjithmonë është organizuar në 20 ditë, këtë herë janë përcaktuar 30, me të vërtetë mund të përfundojë më herët. Ka mjaftueshëm kohë, nuk ka nevojë për ndryshim të datës së zgjedhjeve”, tha Zaev.
Në zgjedhjet e ardhshme lokale, LSDM e kryeministrit Zaev dhe BDI e Ali Ahmetit do të marrin pjesë bashkërisht si koalicion, por nuk janë definuar deri në fund detajet e bashkëpunimit për komunat veç e veç.
Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa mbeten në koalicion të përbashkët edhe për zgjedhjet lokale.
e.r/dita
