Roben “tradhton”: “Topin e Artë” e meriton Ronaldo

redaktor

Frank Riberi ka marrë përkrahje nga shumë njerëz për të fituar “Topin e Artë”, por ndërkohë edhe goditje të befasishme andej nga nuk e ka pritur. Pas shokut të skuadrës në kombëtaren e Francës, Sakho, tani është një koleg te Bajerni, Arjen Roben, ai që “voton” për rivalin kryesor të francezit, Kristiano Ronaldo. Holandezi beson se trofeun do ta fitojë portugezi, pasi paraqitjet e tij këtë vit kanë qenë të nivelit më të lartë, me kombëtaren dhe klubin. Roben ishte edhe vetë një nga kandidatët, por jo në listën finale me tre emra, ku është edhe fituesi i katër viteve të fundit, Lionel Mesi. “Nuk e kam menduar asnjëherë se unë personalisht do të isha në një garë të tillë, veçse në listën me 23 kandidatë. Tashmë lista përbëhet nga tre kandidatët finalë, që të gjithë me meritë”, thotë Roben. “Ky është një çmim individual, prandaj unë mendoj se Kristiano Ronaldo ka më shumë mundësi për ta fituar. Ai e meriton vërtetë “Topin e Artë”. Kjo është një deklaratë që mund të shkaktojë probleme për harmoninë e brendshme te Bajerni, ku të gjithë kanë qenë pro francezit për të fituar trofeun. Riberi dhe Roben kanë shkëlqyer gjatë gjithë këtij viti me Bajernin dhe në maj e qershir ndihmuan skuadrën të fitonte tre trofe. Roben ishte në kulmin e formës së tij në sezonin aktual, por u dëmtua në ndeshjen kundër Augsburgut për Kupën e Gjermanisë dhe do të rikthehet pas pauzës dimërore. Roben e Riberi janë afruar mjaft me njëri-tjetrit pas incidentit në gjysmëfinalen e Champions League më 2012, kur francezi e goditi me grusht holandezin në dhomën e zhveshjes në pushim të takimit me Realin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *