Në një intervistë për gjermanen “Die Welt”, me rastin e publikimit të librit të tij të ri “Zero, Zero, Zero”, shkrimtari italian thekson se si krimi i organizuar në Gjermani është i sigurt në një mënyrë absurde
Roberto Saviano rrëfen për “Die Welt”-in magjepsjen e tij pas botës së mafies: “Krimi i organizuar ushtron një lloj joshjeje te njerëzit. Mafiozët ndërtojnë imazhin e burrave të nderit që jetojnë sipas një kodi, grumbullojnë shumë para dhe nuk kanë frikë nga vdekja. Ky mit duhet çrrënjosur: dua të tregoj se sa qesharakë janë me frikërat e tyre dhe ekzistencën e tyre të mjerueshme. Besoj vërtet se gjërat mund të ndryshojnë nëse shkruhen. Ky është dhe obsesioni im, të shkruaj për botën e nëndheshme të krimit”.
Shkrimtari vë në dukje ndryshimin e madh midis mafies meksikane ku drejtuesit e karteleve të kokainës festojnë në vila luksoze me qindra prostituta dhe jetës së kufizimeve të krimit të organizuar italian: “Bosët italianë janë kalvinistët e fundit të Perëndimit. Pjesën më të madhe të kohës së tyre e jetojnë në një vrimë nëntokësore dhe për suksesin e tyre heqin dorë nga çdo luks”.
Jetë në kurth
Saviano pohon se, nëse do të kthehej mbrapa në kohë, nuk do ta shkruante “Gomorra”-n. “Nuk ia vlen të shkruash një libër që të shkatërron jetën. Është e rëndësishme të rrëfesh të vërtetën mbi mafien dhe të mos detyrohesh t’i nënshtrohesh heshtjes, por gjithashtu është e rëndësishme të përshkosh rrugën tënde drejt lumturisë. Tani nuk di më se si ta gjej, jetoj i izoluar nga njerëzit”. Megjithatë 38 mijë orët e kaluara me forcat e rendit i kanë lejuar Savianos të ketë akses në informacione që i mundësuan shkrimin e librit “Zero, Zero, Zero”. “Në sajë të mbikëqyrjes kam arritur të takoj një numër të madh personash të vënë nën hetim dhe të marr dëshmi që më kanë lejuar të studioj dinamikat e karteleve të drogës. Tingëllon paradoksale, por sa më shumë jetoj i mbrojtur, aq më e madhe është qasja ime me atë që ndodh në botën e kriminalitetit, edhe pse nuk mund t’ia lejoj më vetes që të eci nëpër rrugë”.
Pushteti i kokainës
Vëllimi i ri i Savianos i dedikohet kokainës, biznesit më të madh të mafies botërore. Kokaina, sipas gazetarit dhe shkrimtarit napoletan nuk perceptohet nga personat si drogë, por si një lloj aperitivi: “Është ilaç kundër lodhjes, edhe pse kokaina është një drogë që të jep më shumë jetë, në fund çmimi i saj është vdekja”. Saviano rrëfen se nuk e ka provuar kurrë dhe për këtë ndjen njëfarë keqardhje meqë “do t’i shërbente për librin”.
Kokaina vjen në Evropë nga Amerika e Jugut përmes Afrikës dhe portat kryesore janë Italia, Spanja, Holanda dhe Gjermania. Për mafien, portat gjermane janë më të mirat, sepse janë edhe më pak të kontrolluarat. “Gjermania e nënvlerëson trafikun e drogës në mënyrë dramatike dhe policisë i mungojnë mjetet e nevojshme juridike për ta kundërshtuar në mënyrë efikase. Në Gjermani mafia është e sigurt në mënyrë vërtet absurde”.
Ai e mbështet legalizimin e kokainës, sidomos për shkak të biznesit të madh që përfaqëson. “Kokaina zotëron një treg prej 400 miliardë dollarësh në vit. Legalizimi i saj do t’u jepte shteteve mundësinë për t’i hequr krimit të organizuar burimin më të madh të të ardhurave dhe me të mund të ndiqej e njëjta politikë si ajo e publicitetit kundër duhanit”.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
Shume e drejte qe droga te legalizohet,eshte nje politike shume e mire sepse bosat e droges fitojne miliarda pa paguar shtetit asnje takse nga gjithe ai biznes multimiliardesh.te pakten me leket e tyre te behej dicka ne favor te benefiteve te popullsise.sepse sado qe te jene te forta masat kunder droges ajo pune nuk do mbaroje kurre.mjafton qe te behen publicitet per efektet negative kunder drogave dhe asnje nuk e detyron dike per te marre.cdonjeri merr me vullnet te lire.Ne treg do gjendeshin edhe droga te pastra jo perzierje qe po vrasin cdo dite te rinj.te pakten do kishte edhe nje kontroll mbi perdorimin